Zejnulla VESELI
Shkup, 17 janar – Një qeveri që vazhdimisht e rrit deficitin dhe borxhin publik si dhe artificialisht mban buxhetin duke rritur joproduktivitetin, sipas ekspertëve ekonomik, nuk mund të përmirësojë kushtet e jetesës dhe ato ekonomike, shkruan gazeta KOHA. Ekspertët ekonomik shprehet pesimist se në kohë afatshkurtër në Maqedoni mund të pritet rritje ekonomike që mund të tejkalojë 3 përqindëshin. Situata politike e tanishme me vonesë të formimit të qeverisë po sjellë pasoja të rënda jo vetëm për mirëqenien e çdo qytetari por një numër i madh i afaristëve kanë frikë të investojnë sepse kanë probleme më likuiditetit dhe prishjen e marrëveshjeve për investime. Taktizimet partiake për formimin e qeverisë së re, sipas analistit ekonomik Sllobodan Najdovski, minimizojnë çdo parashikim për rritje ekonomike, sepse është ngushtë e varur se si po zhvillohet situata politike për formimin e qeverisë. “Nëse kjo situatë vazhdon dhe më në fund arrihet marrëveshje për formim të qeverisë teknike, kjo do të reflekton probleme edhe me të mëdha për biznesin. Në anën tjetër, edhe sikur të arrihet marrëveshje për formimin e Qeverisë, kjo aspak nuk do të thotë se mund të kemi lëvizje pozitive në ekonomi, sepse për ketë vit janë paraparë kushedi se çfarë investime kapitale që do të çonte në rritje ekonomike”, thotë për KOHA, Najdovski. Megjithatë, edhe sikur të realizohet rritja ekonomike e paraparë prej 3.2 për qind, kjo nuk është e mjaftueshme që të kemi zhvillimin ekonomik, sepse që të arrihet zhvillim i mirëfilltë ekonomik, rritja ekonomike më së paku duhet të jetë 6 për qind dhe qeveria e ardhshme të bënë çmos që të ulë deficitin buxhetor. “Në një shtet ku deficiti buxhetor dhe huamarrjet janë më të larta se rritja ekonomike, nuk mund të presim ndonjë perspektivë. Problemi qëndron në faktin se Qeveria viteve të fundit në mbushjen e buxhetit mbështetet në rritjen e konsumit të përgjithshëm, ndërsa iniciativat private i ka ngulfatur dhe më këtë po ngadalëson rritjen ekonomike”, thotë Sllobodan Najdovski, profesor universitar. Përkeqësimi artificial i situatës politike me mosformimin e Qeverisë se re sipas drejtorit të Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Fatmir Bytyqi, është një mekanizëm shumë i keq për të mbajtur peng biznesin në realizimin e projekteve të tyre investuese. “Kjo situatë momentale i ngjanë shumë qeverisë e cila udhëhoqi me pushtetit plotë 10 vite dhe në vazhdimësi çdo dështim e përshkruante si zhvillimi normal që të ngjante si sukses, pra për të shitur si real një sukses artificial. Nëse sërish bizneset mbështet në optimizmin e qeverisë se këtë vit do të kemi rritje ekonomike prej 3.2 për qind edhe sikur të formohet qeveria e njëjta nuk do të jetë stabile është më se e sigurt se stagnimi ekonomik do të vazhdojë edhe për një kohë më të gjatë, ndërsa rritja ekonomike mund të jetë vetëm 2.5 për qind”, thotë Bytyqi. Për fat keq, thotë ai, përkeqësimi i ambientin të biznesit në Maqedoni jo vetëm për bizneset vendore, por edhe të huaja, është fajtore vetë qeveria. “Për shkak të politikave të gabuara ekonomike të Qeverisë vitin që lamë pas e përfunduam me ulje rekorde të rritjes ekonomike dhe kjo ka bërë që edhe një kohë të gjatë bizneset të ballafaqohen me probleme serioze me likuiditetin, me aktivitete punuese rrjedhëse, me mosrealizimin në afat projekteve investuese si dhe më ndërprerjen e shumë kontratave e për bashkëpunim me kompani vendore apo të huaja për shkak të situatës së rëndë politike që ende nuk ka zgjidhje”, thotë Fatmir Bytyqi, drejtori i OEMVP-së.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.