Amnistimi i deputetëve e bartësve të funksioneve të larta publike nga përgjegjësia për krimet dhe abuzimet e bëra në periudhat e kaluara, përfshi edhe ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit, si dhe urdhërdhënësit e ndryshëm për prishjen e aparaturave të përgjimeve, pa harruar edhe ish kryeministrin në ikje, janë plagët e pambyllura të një morali të dyfishtë politik e gjyqësor, i cili ngjashëm si brirët e dashit në thes, nuk mund të fshehë përmasat e deformimit në sytë e publikut
Nga Emin AZEMI
Prokuroria Publike Speciale, sipas të gjitha hulumtimeve, gëzonte besueshmërinë më të lartë në sytë e publikut, ndërkohë që po bëhen përpjekje që kjo prokurori të zëvendësohet me një tjetër, e cila do të godiste krimin e organizuar. Para se të ndodhë kjo e fundit, nuk bën të kalojnë në heshtje shkaqet dhe përgjegjësitë që e çuan në shuarje PSP-në. Nëse kalohet në heshtje, sikur asgjë s’ka ndodhur, atëherë edhe kjo prokuroria e re që do të formohet , mund ta ketë fatin e PSP-së.
Duhet, parasëgjithash, të mbajnë përgjegjësi ata prokurorë brenda PSP-së qe kanë sjellë situatën në këtë derexhe dhe ndaj tyre nuk duhet të ketë kurrfarë amnistie. Praktika e standardeve të dyfishta në zbatimin e drejtësisë, duke lënë të lire gjithë ata që e degraduan deri në këtë shkallë sistemin e drejtësisë, përfshi edhe PSP-në, është qasja më e gabueshme që i bëhet gjoja reformimit të këtij sistemi.
Deri ku mund të shkohet me hedhjen nën qilim të mbeturinave?
Askush nuk duhet të ketë iluzion se kjo metodologji e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë mund të japë rezultate të pritshme. Zbulimi i aferave sa për të bërë spektakle mediatike, dhe degradimi i saj duke kursyer emra të tjerë të përfshirë në afera, e bënë lojë fëmijësh gjithë këtë gjoja vullnet të mirë të politikës për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.
Nëse ky është modeli i luftës së krimit dhe korrupsionit dhe nëse ky model zbatohet edhe në Prokurorinë ere, që pritet të formohet, atëherë që tani e kemi të garantuar dështimin.
Çfarë standardi drejtësie mund të vendoset këtu kur paraprakisht u lejua të dështojë PSP, një institucion kredibil i cili u formua pas shumë betejave politike dhe me ndihmën diplomatëve ndërkombëtarë?
Nëse dikush këtu synon përmes improvizimeve të arrijë ndonjë objektiv që do t’iu pëlqente burokratëve të Brukselit, të cilët do të shtonin në rubrikat e tyre ‘të arriturat kolosale’ në sistemin e këtushëm të drejtësisë, si parakusht për marrjen e datës së negociatave me BE-në, atëherë që tani duhet me dhembje duhet konstatuar se ky rezon politik e institucional nuk të shpie askund.
Amnistimi i deputetëve e bartësve të funksioneve të larta publike nga përgjegjësia për krimet dhe abuzimet e bëra në periudhat e kaluara, përfshi edhe ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit, si dhe urdhërdhënësit e ndryshëm për prishjen e aparaturave të përgjimeve, pa harruar edhe ish kryeministrin në ikje që instaloi një sistem të tërë inkriminues në tenderime jotransparente dhe në abuzime flagrante me paranë publike, janë plagët e pambyllura të një morali të dyfishtë politik e gjyqësor, i cili ngjashëm si brirët e dashit në thes, nuk mund të fshehë përmasat e deformimit në sytë e publikut.
T’i kalosh gjithë këto precedente penale në sitën e prishur të sistemit të drejtësisë dhe të tentosh të riparosh këtë sistem me instalacione të reja që nuk garantojnë ndonjë frymë apo qasje tjetër, flet për një dioptri komplet të shtrembëruar të elitave politike, të cilat duan të na bindin se tash tutje bartësit kryesorë të krimit, korrupsionit, nepotizmit, haraçit do të ndodhen prapa grilave.
Është luks i tepërt t’iu besosh këtyre iluzioneve, sidomos atyre që e instaluan këtë mendësi të mosbesimit ndaj institucioneve. (koha.mk)