Njohësit e rrethanave ndëretnike thonë se në Maqedoni ende populli nuk është i perceptuar si qytetar i barabartë dhe i trajtuar sipas nevojës, por sipas etnisë. Ndarja e buxhetit, postet, investimet të gjitha perceptohen me përqindje (ne aq për qind, ju aq për qind ). Nga këtu fillon gjithçka
Omer XHAFERI
Shkup, 25 korrik – Tendenca e qarqeve politike për të ndarë Shkupin në baza etnike është zanafilla e incidenteve ndëretnike dhe për rrjedhojë vitin e kaluar janë regjistruar një numër i konsiderueshëm i përleshjeve etnike, me theks të posaçëm mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Përfaqësuesi i Forumit Rinor Shqiptar, Ariton Rama, për gazetën KOHA, thotë se Shkupi mbetet vatër e perceptimeve dhe konflikteve ndëretnike, sepse është ndoshta ndër qytetet me numër të shumtë dhe gati të barabartë dhe të përzier mes etnive të ndryshme që varrojnë në këtë kryeqytet.
“Në Shkup edhe pse shumë qarqe politikë kanë tentuar ta ndajnë si me thikë qytetin andej dhe këndej urës në baza etnike, por nuk arritën asnjëherë, ndoshta këto nuanca që secili të jetë dominant, e disa duke pretenduar të jetë më prezentë në çdo pjesë të Shkupit reflekton edhe në përplasjet etnike, edhe ato në çdo aspekt, urbane, politik , sportiv, kulturor, në fushën e arsimit me anë të shkollave të mesme”, thotë Rama. Sipas tij, burimi i këtyre incidenteve qëndron te stimulimi politikë për konflikte ndëretnike.
“Vendimet dhe mentaliteti politik në vendin tonë është ashtu i ndërtuar si sistem ku populli nuk është i perceptuar si qytetar i barabartë dhe i trajtuar sipas nevojës, por sipas etnisë. Ndarja e buxhetit, postet, investimet të gjitha perceptohen me përqindje (ne aq për qind, ju aq për qind ). Nga këtu fillon gjithçka. Lufta për të marr hisen që të takon dhe jo për të ndarë hisen aq sa kush ka nevojë, është pikënisja e konflikteve ndëretnike, duke krijuar një atmosferë të tillë që në këtë vend duhet të ndihmohen ,janë të mirë vetëm ata që e flasin një gjuhë”, thekson Rama.
Gjatë vitit 2019, në Maqedoninë e Veriut, nga ana e Komitetit të Helsinkit janë regjistruar 159 incidente dhe vepra nga urrejtja, pjesa dërmuese e të cilëve kanë qenë zënka ndër etnike. Sipas raportit vjetor të Komitetit të Helsinkit, “Krimet nga urrejtja në vitin 2019”, thuhet se këto incidente janë regjistruar në bazë të raporteve të mediave dhe njoftimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në këtë raport të komitetit, mes tjerash thuhet se vetëm 20 për qind apo 33 incidente janë vërtetuar, ndërkohë 80 për qind e rasteve në fjalë nuk janë vërtetuar, respektivisht për rastet e fundit nga MPB nuk janë përgjigjur se vallë përkatësia etnike është prezent edhe në këto ngjarje.
Shikuar nga prizmi kohor numri më i madh i incidenteve është regjistruar në muajt prill dhe maj të vitit të kaluar, gjegjësisht jo pak incidente kanë ndodhur edhe gjatë muajve dhjetor dhe janar. Numri i viktimave që kanë pësuar nga këto incidente, kryesisht ndër etnike është 169 persona, prej të cilëve 104 janë të mitur. Nga ana tjetër krimet nga urrejtja është regjistruar se i kanë kryer mbi 350 veprues, prej të cilëve 93 janë të mitur.
Ndryshe, sipas të dhënave statistikore nga raportet e kësaj natyre të publikuar nga Komiteti i Helsinki, thonë se në vitin 2013 prej 116 incidente në nivel republikan, 98 kanë qenë me karakter etnik, në vitin 2014, prej 87 incidenteve 53 përleshje kanë ndodhur mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Tutje, sipas këtyre të dhënave ne vitin 2015, janë regjistruar vetëm 15 incidente ndër etnike, respektivisht në vitin 2016, 34 incidente ndër etnike. Ndryshim të theksuar nuk ka pasur as në vitin 2017, ndërkohë rritje e incidenteve ndër etnike është regjistruar në vitin 2018, kur prej 123 rasteve, 74 zënka kanë qenë në bazë të mos tolerancës etnike. (koha.mk)