Kurthet e mosdijes shkencore mund të jenë të ndryshme, mirëpo kur ato mbërthejnë politikën, atëherë duhet ndërmarrë diçka që pasojat të mos jenë më të rënda. Në moralin e një politike të qytetëruar do të ishte që të dilet me një sqarim në formë ndjese, me çka do të dëshmohej se të gabosh është njerëzore, kurse rrugët e sigurta rrahen vetëm atëherë kur njihen paraprakisht
Nga Emin AZEMI
Kur politika i shkel rregullat e gramatikës, kësaj të fundit s’i mbetet gjë tjetër pos të kërkoj azil diku larg ku jetohet pa rregulla gjuhësore. Po bëhen disa ditë që ekspertë të fushës së gjuhësisë po mundohen të bindin politikanët që të tregohen pak më modest në njohuritë e tyre linguistike dhe të heqin dorë nga eksperimentet e tyre politiko-gjuhësore. Mirëpo, politikanët jo vetëm që nuk po tregohen modest në (pa)dituritë e tyre, por ata po mundohen të thonë se krejt ky kundërshtim shkencor po bëhet disi për inati.
Në fazat parapërgatitore të negociatave me Greqinë, rreth emrit të shtetit, kryeministri Zaev, siç bëjnë të ditur nga Qeveria, ka konsultuar njohës të fushave të ndryshme në Akademinë e Shkencave, ambasadorë, përfaqësues të diasporës dhe shoqata të ndryshme qytetare.
Kur jemi te Zaevi të citojmë edhe një deklaratë të tij të dhënë dje, pas interesimit të gazetarëve rreth problemeve të përkthimit të emrit të ri në gjuhën shqipe.
“Unë nuk do të jepja koment, dua t’i dëgjoj ekspertet… ata ta tregojnë si duhet të jetë dhe ashtu do të jetë”, tha Zaev pasi doli nga seanca gjyqësore e rastit “Ryshfet”.
Çka të thonë tani ekspertët dhe a është vonë për mendimet e tyre? Nëse kryeministri Zaev në fazën parapërgatitore të negociatave ka konsultuar ekspertë të ndryshëm, shtrohet një pyetje e logjikshme se kënd kanë konsultuar politikanët shqiptarë para se të vendosin për variantin “Ilinditase”, një konstrukt ky i çoroditur, jo vetëm gramatikor, por edhe semantik. Por, edhe nëse kanë konsultuar ndonjë individë shqiptarë jashtë Maqedonie, shihet se ai nuk e njeh natyrën e gjuhëve sllave, për arsye se gabimisht e ka veçuar rrënjën e fjalës Ilinden, duke vënë theksin te ILIN, që shqip i bie i/e Ilisë. Ai shqiptari jashtë Maqedonie ja ka fut kot kur ka dhënë “ekspertizë”gjuhësore për fjalën e çuditshme“Ilinditase”, që s’është asgjë tjetër pos një përkthim mekanik gjysmak i Ilindenit, duke e ndarë atë në ILIN – DITA.
Vetëmjaftueshmëria për t’u marrë me gramatikë në kohë të lirë, e deligjitimon edhe vetë qasjen politike ndaj këtij problemi mjaft problematik, siç është çështja e emrit të shtetit.
Ata që marrin përgjegjësi për të dëbuar shkencën nga politika, po japin një mesazh dekurajues për të gjithë njerëzit vullnetmirë, të cilët mund të jenë krah i fuqishëm i proceseve të cilat nuk janë thjeshtë politike, por edhe kulturore, shkencore, identitare etj. Mospërfillja e mendimit shkencor për një çështje kaq të rëndësishme, siç është çështja e emrit të shtetit, nuk është thjeshtë mungesë sensi, por edhe qasje joserioze në tryezën e negociatave, ku politika do të dukej shumë e varfër sikur të mos bashkëshoqërohej me njohuritë përcjellëse nga fusha përkatëse.
Ky mosbashkëpunim i politikës me mendimin shkencor mund të jetë edhe pasojë e një inercioni antiarsiomor që ka prodhuar vetë politika, teksa në qarkullim kemi një mori antivlerash të stolisur me tituj të pamerituar akademikë. S’do mend se në një atmosferë të tillë refuzuese kulturore-arsimore, politika mund të ndjehet disi më komod që të zëvendësojë edhe mendimin kompetent shkencor, prandaj edhe këtyre ditëve na ra të dëgjojmë e lexojmë lloj-lloj arsyetimesh amatore për një problem shumë të thjeshtë gjuhësor.
Kurthet e mosdijes shkencore mund të jenë të ndryshme, mirëpo kur ato mbërthejnë politikën, atëherë duhet ndërmarrë diçka që pasojat të mos jenë më të rënda. Në moralin e një politike të qytetëruar do të ishte që të dilet me një sqarim në formë ndjese, me çka do të dëshmohej se të gabosh është njerëzore, kurse rrugët e sigurta rrahen vetëm atëherë kur njihen paraprakisht. (koha.mk)