Politika na tradhtoi

0

“Nuk mund ta kuptojmë apatinë dhe neglizhencën e tyre, ndërsa në hapjet pompoze të kazinove marrin pjese si të ftuar të tyre. Madje, organizatorët e lojërave të fatit paraqiten si shpëtimtarë të shtetit, ndërsa ata i ka verbuar interesi dhe nuk janë të vetëdijshëm për shkatërrimin e harmonisë familjare”, deklaruan nga Lëvizje Anti-bixhoz

Urim HASIPI

Tetovë, 27 dhjetor – Lëvizja Anti-bixhoz është e zhgënjyer me qasjen e deritanishme të presidentit të shtetit, kryeministrit, zëvendëskryeministrave dhe partive politike lidhur me mos zgjidhjen e problemit me kazinotë. Në një takim me gazetarët, nga kjo shoqatë theksuan se shteti nuk është i përkushtuar për sjelljen e ligjit për lojërat e fatit. Sipas tyre, politikanët tjetër flasin në takime dhe tjetër veprojnë në realitet. “Është premtuar dislokim të kazinove dhe bastoreve, sepse edhe kryeministri deklaroi se do të bëhet diçka pasi situata është alarmante, mirëpo asgjë nuk duket se është duke u punuar për këtë çështje. Flitet për transparencë, ndërsa nga ana tjetër – Ministria e Financave jep leje të reja për bastore. Dyshojmë se vokabulari i zyrtarëve është më tepër politik sesa zgjidhje adekuate. Zëvendëskryeministri nuk u prononcua për dhënien e lejes në seancën e 136 për hapjen e zinxhirit te bastoreve Maxbet, ndërsa heshtin edhe institucionet tjera”, tha Jushi Emërllahu nga Lëvizja Anti-bixhoz. Nga kjo Lëvizje nënvizuan se ende nuk është mbajtur debati i dytë për Ligjin e ri për lojërat e fatit.

“Pas debatit publik në Komisionin për financa dhe buxhet , në muajin e gjashtë, brenda dy javësh duhej të mbahej debati i dytë, mirëpo nuk ndodhi asgjë. Ne nuk mund ta kuptojmë apatinë dhe neglizhencën e tyre, ndërsa në hapjet pompoze të kazinove marrin pjese si të ftuar të tyre. Madje, organizatorët e lojërave të fatit paraqiten si shpëtimtarë të shtetit, ndërsa ata i ka verbuar interesi dhe nuk janë të vetëdijshëm për shkatërrimin e harmonisë familjare”, deklaruan nga kjo lëvizje.

Më tej, ata përsëritën se kërkesën që distanca e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet dhe institucionet publike duhet të jetë 3 kilometra. “E vërteta është se në këto objekte pëson popullata, pasi atje paguan shtresa më e varfër e popullatës. U bëjmë thirrje autoriteteve vendimmarrëse që sa më shpejtë të mbrojnë qytetarët dhe të miratojnë Ligjin me dislokim 3 kilometra larg vendbanimeve. Jemi shndërruar në Las Vegas të Ballkanit”, tha Emërllahu. Gjatë takimit të djeshëm me gazetarë, nga kjo lëvizje potencuan se nëse në një kohë të shkurtër nuk miratohet ligji, atëherë do të pasojnë protesta masive në Shkup dhe do të bllokohen madje edhe rrugët. “Ne kemi menduar se kemi të bëjmë me politikanë të ndërgjegjshëm dhe kemi lënë hapësirë që të reflektojnë, por nga ajo që po shohim – kemi të bëjmë me njerëz të papërgjegjshëm, prandaj shumë shpejt do të kemi edhe protesta masive”, theksuan nga Lëvizja Anti-bixhoz. Ata ftuan partitë politike që të merren më seriozisht me këtë çështje – në të kundërtën, revolta do të jetë e madhe. Ata ndjehen të tradhtuar nga politika, sepse nuk është bërë asgjë deri më tani që ky problem të merr epilog. (koha.mk)

Comments are closed.