Derisa në Shqipëri me Ligj u përcaktuan kushtet për funksionimin e kazinove dhe bastoreve, në Maqedoni, banorët protestojnë ndërsa pushteti nuk i dëgjon kërkesat e tyre për zbatimin e kushteve të njëjta si ato në Shqipëri. Arsyetimet janë të ndryshme, por në esencë del në sipërfaqe lidhja e fortë e lojërave të fatit më politikën në vend. Mes popullit dhe “kumarit”, politika zgjedh këtë të dytën
Evis HALILI
Tetovë, 20 shkurt – Nxënësit tetovarë para se të hyjnë dhe të dalin nga shkollat kalojnë pranë objekteve ku organizohen lojëra të fatit. të cilat janë të vendosura në vet hyrjet, ose në vetëm disa metra nga institucionet e arsimit, shkruan gazeta KOHA. Nxënësit e shkollave të mesme ndërsa jo rrallë edhe të shkollave fillore e fillojnë ose e përfundojnë ditën e shkollës me pagesë të ndonjë bilete ose ndonjë loje të fatit. Ky fenomen është prezent me vite. Organet kompetente janë të shurdhër, ndërsa rezultat i gjithë asaj janë 140 bastoret dhe 30 kazinotë në qytetin nën Sharrin, ose siç e quajnë tani qyteti i bixhozit.
Luftën kundër bixhozit dhe mbrojtjen e të rinjve nga ky ves, në vend të institucioneve, e filluan nga Lëvizja “Ani Bixhoz”, të cilët me protesta dhe presione deri te qeveria parandaluan të mos hapet kazino e vendosur vetëm pesëdhjetë metra nga shkolla e mesme dhe Universiteti i Tetovës. Por lufta nuk përfundon këtu. Në pritje të sjelljes së propozimi-ligjit të ri për lojërat e fatit, i cili parasheh 500 metra largësi të kazinove dhe bastoreve nga objektet publike, në Lëvizjen “Anti Bixhoz” thonë që nuk do të heqin dorë nga dy kërkesa. “I pyetëm qytetarët se çfarë mendojnë për shfaqjen masive të kazinove dhe bastoreve. Thanë që duhet të rregullohen me ligje më të rrepta, por një pjesë e madhe e tyre u përgjigjën që objektet në të cilat organizohen lojëra të fatit, nuk duhet aspak të ekzistojnë”, thotë për KOHA, Xhemal Abdiu nga kjo lëvizje.
Përndryshe, lufta kundër kumarit i bashkoi tetovarët e të gjithave komuniteteve fetare dhe etnike. Në protestën e fundit kundër kumarit morën pjesë qytetarë nga komunitete të ndryshme etnike si dhe nga dy komunitetet fetare më të mëdha, komuniteti islam dhe kisha ortodokse e Maqedonisë. Së bashkë kërkuan që autoritetet qytetare dhe qendrore ta parandalojnë vesin e bixhozit, i cili e po shkatërron rininë.
“Ne do të rrimë këtu për të mbrojtur rininë që të mos na ikin apo ata do ti fusim në borxhe do ti sëmurim psiqikisht dhe të ikin nga vendlindja. Me këmbëngulshmëri duhet të kërkojmë që rinia jonë të jetë e qetë të jetë e rehatshme që të mund të mësojë, të mund të besojë të mund të përgatit vetveten dhe të mund ta ushqejë vetveten në këtë vend”, pati thënë në protestë Qani Nesimi, myfti i Muftinisë në Tetovë. Edhe nga Komuna e Tetovës i mbështesin protestat dhe kërkesat e lëvizjes “Anti Bixhoz”. Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, thotë që Këshilli i Komunës ka dhënë mendim dhe propozim që kazinotë dhe bastoret të largohen nga objektet publike dhe qendrat e qyteteve. Propozimi tashmë është dorëzuar te Qeveria, e cila është përgjegjëse për objektet në të cilat organizohen lojërat e fatit”, tha Arifi.
“Në të njëjtën kohë ne kemi vazhduar të bashkëpunojmë me këto lëvizje për sa i përket çështjeve të ndryshme ku kemi ingerenca, të cilat kanë të bëjnë me rregullshmërinë e leje me të cilat punohet. Komuna nuk ka ingerenca, prandaj në të ardhmen çfarëdo ndryshimi ligjor të bëhet, duhet të përfshijë më shumë autorizime për të kontrolluar, sepse problemet ndodhin këtu, kurse dikush në nivele tjera vendosë për këto çështje”, thotë Arifi. Edhe psikologët kërkojnë që kazinotë dhe bastoret të jenë sa më larg të rinjve. Ata jetojnë në një shoqëri krize dhe shpëtimin për problemet e tyre e shohin në kumar, shprehet psikologu Lulzim Murtezani.
“Nga lëvizja ‘Anti Bixhoz’ shpresojnë që do kenë sukses në luftën e tyre dhe do të miratohet një ligj, me të cilin kazinotë dhe bastoret do të largohen 3 kilometra nga vendet e banueshme. Në atë i kanë bindur një pjesë më e madhe e partive politike me të cilët kanë realizuar takim. Por, prapë se prapë i frikëson respektimi i Ligjit, siç është rasti me ligjin ekzistues të lojërave të fatit, i cili parasheh që këto lloje të objekteve të funksionojnë si të pavarura ose në përbërje të hoteleve”, thotë për KOHA, psikologu Murtezani.
Në Tetovë, bastore dhe kazino ka gjithandej, pjesa më e madhe në vendbanime ose pranë vetë shkollave. Aleanca për Shqiptarët, BESA, PDSH dhe BDI i kanë dhënë mbështetje Lëvizjes “Anti Bixhoz”, megjithëse është LSDM ajo që po ngurron të pranojë propozimin që, së paku, 3 kilometra larg vendbanimeve të transferohen lojërat e fatit. Në LSDM mërziten për aspektin social – thonë se do mbeten pa punë shumë punonjës, ndërsa partitë shqiptare këmbëngulin të miratohet Ligji i kërkuar nga tetovarët, por edhe nga qytetarët e qyteteve tjera. Rast të njëjtë ka edhe në Kumanovë. Në afërsi të shkollës së mesme dhe dy shkollave fillore, tre kazino dhe disa bastore janë “ulur këmbëkryq”. Deri tani në Komunën e Kumanovës janë dorëzuar iniciativa për largimin e tyre, megjithëse pa sukses. Në Komunë arsyetohen se nuk kanë ingerenca ligjore, por se ankesat i janë drejtuar pushtetit qendror. Kjo e fundit nuk është përgjigjur akoma, ashtu siç nuk po përgjigjet edhe për protestat e shumta në Tetovë. (koha.mk)