Atë që shqetësohet vetëm për interesa personalë të ngushtë, që shkel çdo etikë morale, çdo kod nderi, që vjedh, vret e pret për të pasur pushtetin e siguruar, që këtë të fundit e sheh si mjet për t’u pasuruar e për të kontrolluar jetën e ne të tjerëve, admiruesve të Padronëve, të shefave të Pamoralshëm që shesin Moral dhe ne ja blejmë, me jetën tonë, me jetën e fëmijëve tanë dhe i duartrokasim!
Nga Dr.Arben TARAVARI
Nikola Makiaveli do të shkruante e botonte një vepër të cilin e quante “Princi”. Në vitin e largët 1532 libri do të botohej me lejen e Papa Klementit të VII, megjithëse ishte lexuar si dorëshkrim para se të njihte dritën e botimit. Kishte shkaktuar jo pak zhurmë në shoqërinë e asaj kohe që sapo kishte hyrë në epokën e përndritjes. 5 vjet pas vdekjes së Makiavelit libri do të klasifikohej si hapi i parë drejt asaj që më vonë u pagëzua si Filozofia Moderne.
Kjo vepër i dedikohej sundimtarit të atëhershëm të Firences, Lorenco di Peiro de Medeçi, i cili i përkiste dinastisë së familjes Mediçi, dinasti e cila ishte kundër veprimtarisë dhe vizionit të teoricientit politik Makiaveli. Në qendër të këtij libri është në fokus sjellja dhe mënyra e një sundimtari që mund të jetë një princ, president, kryeministër, kryetar Komune apo kryetar partie. Sipas Makiavelit populli duhet të marrë të mirëqenë dhe si krejt të natyrshme, që një udhëheqës duhet të bëjë gjithçka për të mbajtur pushtetin e tij. Është e famshme thënia e tij: më mirë të kenë frikë se sa të të duan.
Sipas autorit natyra njerëzore është e paqëndrueshme, është lakmitare dhe shumë më e bindur ndaj atij që ja ka frikën se sa ndaj ndonjë njeriu që e lidh vetëm respekti dhe dashuria. Libri krijoi shumë polemikë, vetë Vatikani e klasifikoi në librat e ndaluar. Nga subjekti i këtij traktati doli dhe termi “makiavelist” që nënkupton dinakëri dhe dyfytyrësi në artin e qeverisjes apo në çfarë do lloj pozite drejtuese.
Ka shumë teoricien e politologë që Makiavelin e kanë cilësuar si një gjeni të asaj që quhet Politikë Moderne, duke e shpallur libërthin e tij si një nga satirat më të mëdha të veprave politike të shkruara ndonjëherë. Dhe e famshmja Realpolitika që thërret për pragmatizëm shpesh herë barazohet me makiavelizmin. Pra, sundo me çfarë do lloj çmimi, bëj edhe keq duke shkelur çdo normë morali apo kod parimor sepse për një udhëheqës të shëndoshë “qëllimi justifikon çfarë do lloj mjeti”. Tani le të vijmë nga Firenca e 1532-it në Maqedoninë e 2018-ës.
A kemi ne politikan makiavelistë apo kemi një prirje më të justifikuar drejt Realpolitikës apo kemi politika socialiste, demokratike apo qoftë edhe kapitaliste deri tek komuniste?! Rrymat politike janë pak a shumë si librat e shenjtë që aq shumë sa besimtarët kanë konflikte me njëri-tjetrin aq shumë ideologjitë e tyre ngjajnë. Çfarë jemi ne të prirur të krijojmë me llojin e politikanit që promovojnë dhe natyrisht vetpromovohet? Mos ndoshta jemi ne një popull që krijojmë dhe mbrojmë figurën e politikanit makiavelist?
Shembulli është i thjeshtë: Nëse marrim vesh që në lagjen tonë ose vendin e punës dikush ka vjedhur 100 euro e shpallim hajdut, e marrim inat, e shmangim nga rrethi ynë shoqëror, paralajmërojnë të gjithë ata që i duam të kenë kujdes nga “hajduti” dhe e marrim si shembull të së keqes duke pasur frikë dhe urrejtje ndaj tij. Ndërkohë që situata është krejt ndryshe nëse vjedhja bëhet nga ndonjë politikan, i cili punon në ndonjë funksion ku mund të grabisë qindra e mijëra euro.
Ai nuk është hajdut për ne! Ai është thjesht Politikan! Duket se jo vetëm është i arsyetuar në grabitjen e tij, por edhe gati i admiruar nëpërmjet dëshirës gati patologjike që kemi për të pasur miqësi me pushtetarët ose me “shefat”. Amnistia që shfaqim përballë krimit dhe korrupsionit politik është e pashpjegueshme. Glorifikimi që i bëjmë këtyre individëve edhe pse janë shumë larg moralit dhe parimeve mbi të cilat duam të edukojmë fëmijët tanë, është kaq i madh, sa ndonjëherë kthehet në një proces të denjë për analizë profesionale psikologjike. Çfarë na shtyn të admirojmë me votën tonë “Politikanin e Plotfuqishëm”, “Babën”, “Bacën”, “Shefin”…
Çfarë është kjo dakordësi zyrtare dhe e vetëdijshme me paudhësitë morale dhe parimore të politikanëve?! Mos jemi ende shumë të ndjeshëm dhe të pamësuar për t’u përballur me atë që e quajmë Shtet të Drejtë, Shtet të Lirë, Shtet të Demokracisë?! Mos ndoshta jemi një grumbull dembelash që na pëlqen të rrisim fëmijët tanë në një ambient të minuar duke mbështetur pasurimin e shpejtë nëpërmjet korrupsionit? Një gjë është e sigurt, ne përligjimin politikën makiaveliste.
Atë që shqetësohet vetëm për interesa personalë të ngushtë, që shkel çdo etikë morale, çdo kod nderi, që vjedh, vret e pret për të pasur pushtetin e siguruar, që këtë të fundit e sheh si mjet për t’u pasuruar e për të kontrolluar jetën e ne të tjerëve, admiruesve të Padronëve, të shefave të Pamoralshëm që shesin Moral dhe ne ja blejmë, me jetën tonë, me jetën e fëmijëve tanë dhe i duartrokasim!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)