Partitë politike shqiptare pranojnë se nuk kontrollojnë gjithçka në rrjetet sociale. Ato distancohen nga gjuha e vrazhdë që mund të përdorë dikush në emër të siglës së tyre partiake. Nga ana tjetër njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se punën në terren dhe takimet e drejtpërdrejta me qytetarët, partitë politike shqiptare i kanë zëvendësuar me “Facebook”-un
Destan JONUZI
Shkup, 15 nëntor – Nuk ka kaluar shumë kohë pas takimit të liderëve partiak me Presidentin Pendarovski, prej ku doli edhe dakordësia që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen me 12 prill të vitit të ardhshëm, aktivistët dhe militantët partiak filluan “betejën” politike në rrjetet sociale. Nën siglën e partive politike shqiptare shumë grupe dhe individë të cilët fshihen prapa siglave partiake i tregojnë “dhëmbët” mes vete, duke treguar ’muskuj’ se lideri i kujt është më i mirë, kush është më dështak, madje edhe më patrioti i skenës politike shqiptare.
Partitë politike nuk e mohojnë një fenomen të tillë, por distancohen nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes për qëllime propagandistike. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për gazetën KOHA, thonë se qëndrimet zyrtare të partisë së tyre shfaqen vetëm në profilet zyrtare të partisë. “Në të gjitha faqet zyrtare të partisë jepen deklarata dhe qëndrime zyrtare të partisë. Ndërsa sa i përket qëndrimeve tjera të aktivistëve, ne nuk bartim përgjegjësi. Në vazhdimësi kemi promovuar një kulturë të lartë të komunikimit në rrjetet sociale dhe me qytetarët. Partitë e vogla opozitare janë ato që shfaqin neveri në rrjetet sociale”, thonë për KOHA nga BDI.
AKTIVISTËT, JANË TË PAKONTROLLUESHËM
Nga ana tjetër, nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) në opozitë thonë se nuk mund të kontrollojnë gjithçka në rrjetet sociale, por thonë se në rast se shfaqen tone ofenduese ndaj oponentëve politik nën siglën e kësaj partie nuk do të thotë se ai është edhe qëndrimi zyrtar i partisë.
“Tani më kemi shumë përkrahës, simpatizues dhe anëtarë të cilët në forma të ndryshme krijojnë opinion pro ASH-së edhe nëpër rrjetet sociale. Ata janë të lirë për ti shprehur bindjet e tyre, na japin lëvdata, kurajo por edhe nëse duhet, na kritikojnë. Realisht nuk mund ti kontrollojmë, nëse ndonjëherë janë më të ashpër në paraqitjet e tyre ndaj oponentëve tanë politik, megjithatë ata nuk përfaqësojnë qëndrim zyrtar të subjektit tonë. Ju bëjmë thirrje gjithmonë madje intervenojmë që të jenë të kujdesshëm dhe që mos të nxitet gjuha e urrejtjes mes subjekteve politike. Jemi të kujdesshëm dhe tregojmë nivelin e duhur tek faqet zyrtare të subjektit tonë politik, ku informojmë publikun për aktivitetet tona dhe qëndrimet partiake. Është e vërtetë se ka shumë faqe të rreme ne Facebook me emrin e ASH, ose individ dhe mund të ndajnë informata te ndryshme që nuk përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të ASH”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.
Nga kjo parti iu bëjnë thirrje simpatizuesve të tyre që të kontribuojnë në ruajtjen e standardit dhe nivelit të komunikimit.
“Subjekti ynë nuk e njeh gjuhën e urrejtjes, dhe me dinjitet përfaqëson një pjesë të madhe te elektoratit shqiptar. Ata që kane averzion ndaj oponentëve tanë, dhe duan ti ndihmojnë ASH këtë duhet ta shprehin me votë ditën e zgjedhjeve, kjo është forma e duhur për ti ndihmuar subjektit tone politik”, thekson Bexheti.
RRJETET SOCIALE KANË ZHVENDOSUR BETEJAT POLITKE
Ndërkaq, Arjanit Hoxha sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA potencon se politikat e partisë nuk determinohen nga rrjetet sociale. “Lëvizja BESA është e fokusuar në kontaktet e drejtpërdrejta me strukturat dhe me gjitha ata që e simpatizojnë këtë parti, prandaj gjithçka që zhvillohet jashtë organizimit partiak ne nuk e konsiderojmë si diçka serioze dhe nuk harxhojmë energji për të njëjtën. Ne si parti rrjetet sociale i shfrytëzojmë për informim të qytetarëve prandaj gjithçka që publikohet në faqen oficiale të partisë është qëndrim zyrtar dhe për gjithçka tjetër jashtë kësaj ne nuk mbajmë përgjegjësi si parti politike”, deklaroi për KOHA, Hoxha.
Selim Ibraimi, nga Instituti ISSD-Maqedonia, vlerëson se rrjetet sociale i kanë zhvendosur politikanët nga terreni dhe takimet e drejtpërdrejta me qytetarë para kompjuterëve dhe aty, sipas tij “gatuhen” politikat e mëdha.
“Dikur kur rrjetet sociale nuk ishin të zhvilluara, natyra e debatit ishte më klasike dhe bëhej drejtpërsëdrejti në terren dhe në ambientet publike. Tash rrjetet virtuale u mundësojnë politikanëve dhe aktivistëve një hapësirë të madhe dhe të pakufizuar të gjuhës së urrejtjes dhe antagonizmave politike. Fërkimet partiake në rrjetet sociale më shumë vërehen në mes ushtarëve partiak të BDI-së , ASH-së dhe BESËS. Hapësira e pakufizuar sociale dhe përplasjet brenda sistemit virtual gjithnjë në një ambient të vogël siç është Maqedonia Veriore, krijon kushte për zbritje të mos durimeve në terrenin elektoral. Duke e parë konkurrencën në mes partive, kësaj radhe kemi indikatorë që tregojnë se fushata do të jetë e ashpër para dhe gjatë zgjedhjeve. Nuk kemi mekanizma që sot mund të kufizojnë liderët dhe anëtarët e partive politike qoftë edhe ekstremistë të zhvillojnë fushatë të ndershme e demokratike. Megjithatë, Maqedonia e Veriut dhe shtetet post komuniste mbeten në fazën testuese të fushës së lirisë individuale dhe përgjegjësisë publike”, vlerëson Ibraimi.
Ndryshe, në takimin e 20 tetorit në vilën presidenciale në Vodno, liderët e partive parlamentare janë dakorduar që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen me 12 prill, ndërsa Parlamenti duhet të shpërbëhet deri më 11 shkurt të vitit të ardhshëm. Sipas dispozitave të Marrëveshjes së Përzhinës, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendi udhëhiqet nga Qeveri teknike, në të cilën merr pjesë edhe opozita me disa ministri, midis të cilave udhëheq edhe me Ministrin e Brendshme.
POLITIKANËT TË JENË TË KUJDESSHËM
Për sociologun Ali Pajaziti, gjuha agresive e aktivistëve partiakë në rrjetet sociale, në rastin konkrete në Facebook është refleksion i atmosferës së krijuar, siç shprehet ai, nga “tajkunët e politikës”. “Gjuha e urrejtjes në Facebook është refleksion i atmosferës së krijuar nga ‘tajkunët e politikës’, gjegjësisht nga prijësit e karvanëve apo taborëve dikursivisht violente në prononcime dhe debate nëpër media. Bisedat joformale nëpër shtabet partiake, janë pasqyrim i mesazheve të dhëna militantëve dhe bosëve lokal që janë të gjendje të bëjnë të pamundurën për hir të kauzës së ngushtë partiake. Ky tren bart rrezikshmëri të nivelit të lartë, meqë ende jemi shumë larg zgjedhjeve të 12 prillit, pra ka shumë kohë deri të ‘finalja e përballjes politike’. Andaj detyrë morale e prijësve është të jenë të kujdesshëm, të thërrasin për garë racionale politike, jo emocionale dhe përtej”, nënvizon sociologu Pajaziti.(koha.mk)