Delvina KËRLUKU
Kaltrina Azizi Luta është lindur më 13 mars 1991 në Kumanovë. Me prejardhje është nga fshati Mateç, Komuna e Likovës. Ka kryer Fakultetin Juridik në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Është magjistre e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe doktorante në Fakultetin Juridik në Universitetin Shtetërorë të Tetovës. E punësuar si zëdhënëse në Komunën e Çairit prej vitit 2012 deri më vitin 2014, ndërsa përbërjen e kaluar ishte deputete pranë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
KOHA: Maqedonia ka ndërtuar një imazh deri diku pozitiv në drejtim të përgatitjes së politikave kombëtare për të rinjtë, përfshi edhe pjesëmarrjen e tyre në politikë dhe vendim-marrje. Por, ndonëse janë bërë hapa përpara në drejtim të demokratizimit të jetës së saj politike, këto hapa nuk janë shoqëruar me nisma ligjore për të mbështetur pjesëmarrjen e të rinjve?
AZIZI – LUTA: Republika e Maqedonisë që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot është përballur me shumë sfida në impenjimin për ndërtimin e shtetit qytetar dhe demokratik. Kjo nënkupton funksionimin e shtetit ku të gjithë qytetarët do të duhej të ndanin ndjenjën e përkatësisë, pjesëmarrjes, përfshirjes, njohjes dhe legjitimitetit, pa dallim gjinie, race, feje dhe moshe. Në këtë drejtim, duhej zhvilluar dhe politikat kombëtare për përfshirjen e të rinjve në jetën politike, sociale dhe kulturore. Si një kategori shumë e rëndësishme e shoqërisë e cila ka ditur të bëj revolucione, të ndërtojë të ardhmen dhe krijojë zhvillimin. Vendi ynë krahas aspiratave për të qenë pjesë e demokracisë së madhe, e veçanërisht pjesë e familjes europiane, është përpjekur të huazojë praktikat dhe politikat më pozitive në fuqizimin e të rinjve, sepse roli i rinisë në demokracitë e reja është i një rëndësie të veçantë. Mirëpo, pavarësisht vullnetit dhe tendencave në përvetësimin e praktikave për përfshirjen e të rinjve në vendim-marrje, ato edhe më tej i gjejmë thjeshtë si një vullnet i mire i partive politike dhe jo si domosdoshmëri institucionale. Dhe Maqedonia ende sot nuk ka ligj për të rinjtë ose edhe ndonjë lloj strategjie konkrete në nivel shtetëror që rregullon këtë çështje. Edhe pse në të kaluarën ka pasur disa herë iniciativa për sjelljen e një ligji të tillë, të cilin edhe vet personalisht e kam mbështetur gjatë mandatit tim si deputete, megjithatë gjithmonë si temë mënjanohej ose pezullohej për shkak të klimës politike e cila viteve të fundit në Maqedoni ka qenë mjaft problematike dhe komplekse.
KOHA: Kur nisi dëshira për të hyrë në politikë dhe a duhet politika të vlerësohet për atë që ti jep, për atë që ti thua dhe punën që bën?
AZIZI – LUTA: Dëshirën për t’u marrë me politikë në termat e mi gjithmonë e kam përkthyer me dëshirën për të ndryshuar gjërat. Diku kam lexuar të thuhet se bota është vend i rrezikshëm për të jetuar dhe jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve të cilët nuk bëjnë asgjë për këtë. Nga ky këndvështrim, kam vendosur që gjërat të mundohem t’i ndryshoj nga brenda dhe jo thjeshtë të qëndroj spektatorë përderisa ne nuk merremi me politikën por politika merret me ne. Politikës i duhet impulsi rinorë, për frymën që ata përçojnë, vullnetin që ata kanë, energjinë me të cilën i qasen proceseve dhe fundja thjeshtë për të bërë ndryshimin. Në botë trend i ri i politikës është pikërisht përfshirja e të rinjve në organet më të larta të vendim-marrjes dhe po ky trend ka treguar se aspak nuk ka qenë një zgjidhje e keqe. Prandaj, dhe angazhimi im në politikë dhe i të rinjve në përgjithësi, duhet parë si mundësi e mire në artikulimin e kërkesave dhe nevojave të të rinjve, sjelljen e modeleve të reja qeverisëse, qasjes profesionale ndaj problematikave të shumta, si një vlerë e shtuar e demokracisë ose thjeshtë si një element diversiteti institucional.
KOHA: Cili është rrëfimi ndryshe për jetën, sfidat dhe klimën politike?
AZIZI – LUTA: Politikën, përveç se e shoh si mënyrë veprimi në drejtim të arritjes së një lloj ideali, duhet pranuar se e gjej edhe si pasion brenda vetes. Kjo ka bërë që të përballoj edhe të papërballueshmen, të qëndroj karshi shumë situatave, sepse klima politike në Maqedoni ndonjëherë është krijuar si mjaft e vështirë. Fundja politika është kjo, një horizont i gjerë të panjohurash dhe sfidash, por njëkohësisht dhe një mundësi për të ndihmuar shoqërinë në hapa drejt zhvillimit, krijimit dhe garantimit të një të ardhme sa më të mirë dhe të sigurt. Mes sfidash nëse do të më duhej të nënvizoja diçka padyshim se do të theksoja vështirësinë e funksionimit në një shoqëri maskiliste duke qenë femër, një shoqëri diskriminuese duke qenë shqiptare dhe një shoqëri paragjykuese, duke qenë një 23 vjeçare në ulëset plot gjemba të Kuvendit.
KOHA: Është shumë i rëndësishëm krijimi i një mjedisi miqësor brenda dhe midis partive që reflekton pjekuri politike, bazuar mbi vlera e parime të shëndosha, në mënyrë që të rinjtë të fillojnë ta shohin politikën me besim dhe si një mjet në dobi të interesit publik?
AZIZI – LUTA: Padyshim që po. Kjo, mbase mund të jetë një element shumë i rëndësishëm në perceptimin ndaj politikës dhe politikanit. Rivaliteti politik mes partive, konkurrenca dhe gara për më të mirën mes kandidatëve duhet të shihen si përparësi dhe vlerë e asnjëherë si bazë për të kultivuar urrejtje, raporte jo korrekte të cilat pastaj ndikojnë në rritjen e mosbesimit ndaj politikës dhe aktorëve të saj tek qytetarët në përgjithësi dhe tek të rinjtë në veçanti. Në drejtim të kësaj, unë vlerësoj se ajo që duhet bërë është që termi politikë përfundimisht të marrë kuptimin e mirëfilltë të saj duke konsistuar në mirëqeverisje dhe jo manipulim, në parime dhe jo intrigë, përparësi dhe jo përjashtim, në miqësi dhe jo armiqësi. Edhe pse e vështirë, nuk është e pamundur të krijosh raporte miqësore në një ambient ku natyra e punës ndikon raportin mes individëve. Megjithatë, unë personalisht në këtë rrugëtim të quajtur politikë kam fituar shumë miq, me të cilët bashkë kemi ndarë momente gëzimi e trishtimi, humbje e triumfi, momente krenarie dhe dëshpërimi. Miq e kolegë me të cilët privilegjin dhe përgjegjësinë gjithmonë e ndjenim të përbashkët.
KOHA: Ku ndryshon partia juaj nga Maqedonia? Dhe mes Maqedonisë dhe partisë, Ju kë zgjidhni?
AZIZI – LUTA: Subjekti që unë përfaqësoj, siç e dimë, u themelua si rezultat i pakënaqësive të shumta të gjeneruara nga mospërfillja, diskriminimi dhe përbuzja e shqiptarëve që kishte ndodhur vite me radhë në Maqedoni. Dhe si e tillë gjithmonë ka punuar në funksion të ndërtimit të shtetit, ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, vendosjes së drejtësisë dhe barazisë si parime kyç në konsolidimin e një Maqedonie të përbashkët dhe Europiane. Pra, partia është mjeti përderisa shteti i së drejtës, shteti qytetarë, i barabartë dhe demokratik është qëllimi. Dhe si të tilla skam se si ti ndajë dhe të zgjedhë në mes të këtyre dyjave.
KOHA: Arsimimi shikohet si një faktor kryesor në emancipimin dhe vetëvlerësimin e femrës në shoqëri dhe është i nevojshëm të shihet si një nga shtyllat mbajtëse të pozitës së saj?
AZIZI – LUTA: Unë mendoj se arsimimi duhet parë si kriter i pakontestueshëm për politikëbërësit dhe jo vetëm, qofshin ato meshkuj ose femra. Sepse arsimi bën të mundur ruajtjen, zhvillimin dhe përparimin e vlerave fillimisht të individit pastaj edhe të kombit. Nëpërmjet arsimit merr hov zhvillimi shoqëror. Në politikë është vërtetuar se njerëzit e arsimuar me shumë gjasë duan demokracinë dhe kanë prirje për të kundërshtuar alternativat jo demokratike, prandaj ato edhe i nevojiten politikës. Në Maqedoni, ajo që duhet theksuar është fakti se për përfshirjen e gruas në politikë zbatohen standarde tjera me çka ajo duhet të posedojë kualifikimet më të larta intelektuale e profesionale përderisa për meshkujt kjo e fundit llogaritet si diçka irelevante. Një qasje e tillë duhet pranuar se nuk i bën mirë politikës, sistemit dhe se nuk i bëhet shëndet shoqërisë dhe se padyshim duhet ndryshuar.
KOHA: Të jesh e suksesshme do të thotë të kesh vetëvlerësimin, qëndrueshmërinë, pasionin dhe ambicien si forca që i shtyn ato në pozicionet drejtuese?
AZIZI – LUTA: Suksesi zakonisht vije pas punës, angazhimit dhe vullnetit të hekurt për ta arrirë atë. Dhe kjo nuk ndodhë vetëm në politikë normalisht, por vlen për çdo segment tjetër të jetës shoqërore. Sepse, bota është e njerëzve të veprimit dhe atyre që bashkë me punën vlerësojnë dhe veten. Kur jemi te politika, padyshim që vetëvlerësimi, pasioni dhe qëndrueshmëria janë elemente shtytëse të cilat bëjnë të mundur përfshirjen në garë apo edhe mund të determinojnë fatin tënd në fund të garës. Përderisa të qenit në një pozicion drejtues natyrisht se kërkon edhe aftësi tjera disa prej të cilave fitohen me eksperiencë, shkollim, trajnime dhe përgatitje profesionale në mënyrë që suksesi të karakterizojë punën tënde. Sepse ndonjëherë është më e vështirë ta mbash se sa ta arrish atë.
KOHA: Çdo ditë ne përballemi me sfida të ndryshme të jetës, me punë që ti bëjmë shumë mirë në mënyrë që të jemi të lumtur. Ndër vite ç‘kujtoni mes sfidave dhe gëzimeve?
AZIZI – LUTA: Padyshim që sfidat na shoqërojnë gjatë gjithë jetës si gjatë formimit tonë individual atij profesional e natyrshëm ato bëhen më të shpeshta dhe më të thella varësisht peshës së aktiviteteve, angazhimeve ose përgjegjësive që bartim në jetë. Unë personalisht, duke qenë shumë e re në moshë, kam filluar aktivitetin tim fillimisht si pjesë sektorit civil, duke qenë pjesë e Lëvizjes Qytetare Zgjohu në atë kohë, kështu duke kontribuar në nxitjen e debateve dhe inicimin e shumë çështjeve që kryekëput kishin të bënin me nismat kombëtare, qytetare e politike. Përderisa në vitin e dytë të studimeve bashkë me shumë kolegë nga universitete të ndryshme që gravitonin në Shkup, themeluam Lëvizjen Studentore Dardania, e cila ndërgjegjësonte të rinjtë dhe ngacmonte vetëdijen e tyre në dimensione të ndryshme për të drejtat studentore, rinore e kolektive. Unë isha pjesë e grupit inicues pastaj dhe kryetare e kësaj Lëvizje, e cila për kohën që funksionoi, u bë një lloj akademie për përgatitjen dhe rekrutimin e të rinjve në Shkup. Pastaj, përfundimi i studimeve dhe ftesa për punë në Komunën e Çairit, ku edhe kam punuar për dy vite rresht si zëdhënëse, përveç se përbënte sukses për mua njëherit ishte edhe një sfidë shumë e madhe. Aktivitetin tim politik e kam filluar duke e trashëguar në një farë forme nga babai im, për ta intensifikuar pastaj edhe më shumë gjatë punës në Çair. Që nga viti 2011 kam qenë pjesë aktive e Forumit Rinor të Partisë, përderisa në vitin 2014 isha pjesë e listës për deputet në zgjedhjet parlamentare të atij viti, kur edhe e mora mandatin si deputetja me e re në historinë e parlamentarizmit të Maqedonisë, duke qenë thjeshtë një 23 vjeçare. Kjo për mua, përveç se përkthehej në një ëndërr të bërë realitet dhe një privilegj, për shkurt kohë përgjegjësi e madhe dhe sfidat e njëpasnjëshme filluan të rëndojnë mbi supet e mia. Nuk ishte aspak e lehtë të funksionosh në kohën kur Maqedonia po përballej me krizën më të thellë politike dhe institucionale. Megjithatë, dëshira dhe vullneti i pakompromis për të dhënë më të mirën, për të arsyetuar mbështetjen dhe ndihmuar qytetarët gjithmonë, ishin forca dhe arsyeja që shoqëronin përpjekjet tona të përditshme në materializimin e politikave në të mirën e qytetarëve, kombit dhe shoqërisë.
KOHA: Besoni se përkrahja ju ngrit apo forca, aftësia e vetë njeriut. Si ndodh në Maqedoni?
AZIZI – LUTA: Dua të besoj se forca nuk ka pse e përcakton të parin ose më të mirin , përderisa lobimi ose përkrahja është një trend i cili nuk e karakterizon vetëm Maqedoninë apo neve si shoqëri por si i tillë praktikohet gjithandej dhe llogaritet si një mekanizëm legjitim. Kurse nga ana tjetër aftësia, përgatitja, eksperienca dhe pjekuria si cilësi të cilat unë llogarisë se janë të domosdoshme për një ngritje meritore dhe të drejtë ende nuk merren parasysh sa duhet. Maqedonia nga një vend në tranzicion dhe shoqëri me probleme të shumta nga e kaluara, përfundimisht mendoj se ka filluar të lëvizë drejt një fryme demokratike, një shoqërie vlerash dhe meritokracie, një shoqëri besimi dhe mundësie, një shtet i qytetarëve dhe për qytetarët.
KOHA: Arti më i madh i luftës është të mposhtësh “armikun” pa luftë?
AZIZI – LUTA: Po kjo është një thënie filozofike mbi luftën, dhe zakonisht ndodhë kur rruga drejt qëllimit është po aq e rëndësishme sa vet qëllimi. Betejat më të vështira janë ato të luftës në tavolinë sot, betejat politike. Sepse politika përveç se paraqet formën për të shprehur idetë, nevojat dhe vizionin për një jetë më të mirë ajo paraqet dhe mjetin për realizimin e të njëjtave. Prandaj, politika ka nevojë për të rinj të arsimuar, të përgatitur, të guximshëm dhe plot vullnet për të zhvilluar betejat e kohës që njohin fuqinë e mendjes si të vetmin mjet me të cilin mund të fitohet lufta.
KOHA: Ç‘është dashuria mes familjes, njeriut dhe Atdheut?
AZIZI – LUTA: Dashuria mes familjes, njeriut dhe atdheut ka vetëm një emërues të përbashkët dhe është vet Jeta! Familja për mua është gjithçka. Ajo është e shenjtë, begati dhe pasuri. Unë aty mësova të njoh njeriun dhe të dua atdheun. Si fëmijë kam pasur një jetë plot harmoni dhe në paqe, nga një familje e rëndomtë shqiptare dhe arsimdashëse. E rritur ndër vlerash të gërshetuara fetare, zakonore e kombëtare. Dhe sot, nëse për diçka ndjej krenari dhe e mbrojë me fanatizëm, është pikërisht familja. Ndër vite ajo ka qenë mbështetja ime më e madhe ndër sfidash e fortunash, gëzimesh e suksesesh që kanë karakterizuar rrugëtimet e mia. Krijimin e një familje unë e çmoj për mision të shenjtë, dhe si të tillë e kam marrë mbi supe edhe unë sot, në këtë kapitull të ri të jetës me plot përgjegjësi dhe kënaqësi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.