Simovski dhe paraardhësit e tij maqedonas në krye të ESHS-së nuk janë të vetmit fajtor për talljen që ky organ i lartë shtetëror iu bën shqiptarëve, me ç’rast ai po dëshmon se rruga e vetme për të ruajtur “20 përqindëshin”, është mbyllja hermetike e numrave që tregojnë rritje të natalitetit të shqiptarëve. Fajtor janë edhe zyrtarët tanë, të cilët mjaftohen me avancime minore nga “referentë i ulët”, në “referent të mesëm”, një në çdo dy-tre muaj. Zyrtarë këta që nuk arritën dot as në Njësinë e Tetovës të emërojnë udhëheqës sektor
Nga Vedat MEMEDALIU
Regjistrimi i popullsisë që pritet të mbahet më 1 prill të vitit 2020, nuk do të përmbajë pyetjet e përkatësisë etnike dhe fetare. Kjo, sepse siç ka përsëritur drejtori i politizuar i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski, qenka keqpërdorur për qëllime politike, dhe kështu nuk po deshkan të jenë pjesë e numërimit të popullsisë. Deklaratë të njëjtë Simovski pati dhënë edhe në ditën e parë kur e mori postin e drejtorit në organin më të mbyllur për shqiptarët (ESHS), aty ku maqedonasit udhëheqin me mbi 90 për qind të sektorëve e ku shqiptarët bëjnë vetëm llogaritjen përfundimtare të shifrave që u servohen nga kolegët e tyre maqedonas.
Mohimi i deklarimit të qytetarëve sipas etnisë, në fakt s’është asgjë tjetër pos politikë e pastër diskriminuese, të cilën e zbaton pikërisht drejtori i ESHS, Simovski, së cilës ai deklarativisht ka dëshirë t’i ikë. Kjo, sepse edhe si drejtor, ai po dëshmon se rruga e vetme për të ruajtur “20 përqindëshin”, është mbyllja hermetike e numrave që tregojnë rritje të natalitetit të shqiptarëve në vend. Ky organ, ndër më të rëndësishmit në shtet, ka kohë që fsheh numrin e lindjeve sipas përkatësisë etnike. Nëse dikur kishim numër të saktë të fëmijëve sipas kategorisë së etnitetit, sot Simovski publikon numra të përgjithësuar të lindjeve – në komuna, por pa specifikuar etnitetin e prindërve. Kështu ndodh edhe me statistikën e mortalitetit, apo edhe të ikjeve nga vendi. Madje, edhe kurorëzimet dhe divorcet publikohen vetëm sipas komunave dhe jo etnitetit.
ESHS nën drejtimin e Simovskit nuk publikon tashmë as numrin e çifteve sipas etnisë që marrin mbështetje financiare për fëmijën e tretë dhe të katërt. Nuk publikohet më as numri i nxënësve në klasë të parë sipas etnitetit. Kjo u ndalu para tre-katër vitesh, kur numri i filloristëve shqiptarë në klasë të parë arriti mbi 30 për qind, ndërsa ai maqedonas kishte rënë nën 60 për qind.
Pretendimi se deklarimi etnik dhe ai fetar nuk është kusht në shumë vende të Bashkimit Evropian, është më shumë sesa qesharak. Maqedonia, siç e di edhe Simovski, është larg standardeve të BE-së. Në BE, vendet anëtare megjithëse mund të kenë konteste të hapura, ata njohin njëri-tjetrin. Simovski ka dëshmuar të kundërtën. Ai dhe ESHS madje vazhdojnë ta trajtojnë edhe Kosovën si pjesë të Serbisë. Në listën e ESHS-së të vendeve që Maqedonia ka shkëmbin tregtar, Kosova fqinje vazhdon të figurojë si Serbi (!), edhe pse ka 10 vite që Shkupi zyrtar e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Jo më larg se para dy javësh, Raporti mujor i ESHS-së për eksport-importin e mallrave, e nxori Serbinë të parën si shteti me të cilin Maqedonia ka më shumë shkëmbim-tregtar. Kosova nuk figuronte askund.
Por, Simovski dhe paraardhësit e tij maqedonas në krye të ESHS-së nuk janë të vetmit fajtor për talljen që ky organ i lartë shtetëror i bën shqiptarëve. Fajtor janë edhe zyrtarët tanë, të cilët mjaftohen me avancime minore nga “referentë i ulët”, në “referent të mesëm”, një në çdo dy-tre muaj. Zyrtarë këta që nuk arritën dot as në Njësinë e Tetovës të emërojnë udhëheqës sektor.
Edhe tani, por edhe siç kemi parë me kohë, partitë shqiptare në pushtet vazhdojnë të mos e vlerësojnë rolin e rëndësishëm të numrave që nxjerr ESHS. Dhe kjo do të ndodhë kështu derisa Simovski do të arrijë të ruajë “20 përqindëshin e popullatës ndryshe nga maqedonasit”. Sepse, kështu do të vazhdojë politika e numrave dhe nuk do të hapen kërkesa të reja etnike. E ne na mbetet të vazhdojmë debatin se sa u shtuam dhe sa po humbim karshi të tjerëve. Debat që do vazhdojë edhe nja 20 vite tjera, sigurisht.
Por, përtej kësaj, shqiptarët si shoqëri dhe si etnitet, kanë mundësi t’i tregojnë botës se sa janë realisht dhe kjo lehtësisht mund të arrihet nëse bëhet një analizë e detajuar e të gjitha segmenteve e institucionet ku shqiptarët janë prezent. Mjafton të shikohet numri i nxënësve, por edhe i pjesëtarëve të komunitetit fetar si dhe abonuesit e telefonisë mobile për të identifikuar qartësisht numerologjinë e shqiptarëve, që do t’i prishte të gjitha skemat dashakeqe të ESHS-së. (koha.mk)