Nga Xheladin MURATI
Politika është si futbolli, por kultura politike dallon nga kultura në futboll. Si në futboll ashtu edhe në politikë ka rebelim, rrahje, përleshje, fyerje dhe sharje. Thjesht trazira. Në futboll ka lojtar njëlloj si në politikë. Në futboll ka trajner, refer, sulmues, qendërsulmues, mbrojtës, anësor, mesfushor. Edhe në politikë ka parti, kryetar, buldozer, sulmues, diplomaci, fushë mejdani, centrist, majtist, djathtist e të ngjashme. Njëlloj si në futboll edhe në politikë duhet të ketë mbrojtës, sulmues, goditës i drejtpërdrejt dhe ato që e ndalin topin apo veprimin. Në futboll ka ekipe kundërshtare kurse në politikë shumicë parlamentare dhe opozitë.
Në politikë duhet të dihet të hidhet topi, të ndalet kur duhet dhe të godasësh në momentin e duhur, ashtu ndodh edhe në futboll. Të vetmen gjë të përbashkët kanë rregullat e lojës. A mund të krahasohet politika me futbollin? Politika dhe futbolli, përballë njëra tjetrës? Edhe po edhe jo. Është gabim të krahasohet, por veprimet që bëhen në futboll dhe në politikë janë identike. Dallimi kryesor midis futbollistit dhe politikanit qëndron në moshën. Futbollisti duhet të jetë i ri, politikani i vjetër. Në futboll ka transfere, edhe në politikë njëlloj. Në politikë ka eksperienca të dështuara,edhe në futboll njëjtë. Edhe në politikë ka bashkëlojtarë dhe kundërshtar sikurse edhe në futboll. Në futboll ka klube, në politikë ka parti. Që të dyja kanë ambicie maksimalisht për shfrytëzimin e simpatizuesve dhe votuesve. Në futboll ka lojtar profesionist, në politikë ajo ndodh rrallë. Në politikë gjërat bëhen gjithnjë më serioze, kurse në futboll jo. Në futboll, minutazhi i lojës është caktuar, në politikë jo. Në futboll ka rendimente edhe pse ato nuk janë gjithnjë me pritshmëritë e klubit, kurse në politikë ka vendime që reflektojnë me ptitshmëritë e partisë. Futbollistët lidhen me kontrata milionëshe, kurse politikanët me vendime zgjedhore nga qytetarët. Në futboll ka nevojë për mbështetje dhe motivim, në politikë përafërsisht është njëlloj. Në futboll ka surpriza, në politikë surprizat janë të rralla, por në të dyja rastet sfiduese.
Seancat politike zgjasin me vazhdime, me ditë – kurse ato në futboll zgjasin shkurt dhe me mundësi vazhdimi dy here nga 15 minuta. Nëse në futboll ka lojë të bukur, dresa firmato, sjellje rivale kurse në politikë ka lojë të mirë, sjellje kundërshtuese pozitë-opozitë, veshje elegante, firmato, mbase edhe politika është lojë fjalësh me pasoja ose jo. Sikurse lojtarët që lënë gjurmë në futboll edhe politikanët lënë gjurmë, njëlloj, për të keq apo për të mirë. Në politikë ka penalizim sikurse në futboll që ka penallti. Ka edhe shumë dallime mes futbollistit dhe politikanit. Futbollisti shitet dhe blihet për para të majme, kurse politikani mundohet të gjejë mënyra të vjen te paraja. Politika dhe futbolli japin porosi për përmirësime dhe mënyra se si mund të përmirësohet vetëdija kombëtare e shoqërore, përpiqen të motivojnë simpatizuesit dhe votuesit, mbështetësit dhe kundërshtarët. Edhe në njërën edhe në tjetrën përdoren artileri të rënda për të çarë rrugën drejt suksesit e fitores. Në thelb, çka e dallon politikën nga futbolli? Duhet të jemi të zgjuar në gjykimin tonë. Ato dallojnë në filozofinë që realizojnë e krijojnë. E dyta, në futboll ka kampionate, madje kampionat botëror, politikës kjo i mungon. E treta, ato dallojnë në dështime, dështon politika krijohet krizë e madhe dhe dështon loja e futbollit shpejt tejkalohet. E katërta, loja e futbollit realizohet ne stadium me shumë shikues, kurse politika realizohet në salla parlamentare pa shikues. E pesta, futbolli realizohet gjithnjë para publikut me spektator kurse politika ka gjasa te realizohet edhe fshehurazi.
Po ku dallojnë futbollisti nga politikani? Mund të gjejmë më shumë elemente, por tri janë kryesoret: futbollisti dallon në uniformën e quajtur dres, në topin si mjet themelor të lojës si dhe në referin (gjykatësin) e lojës. Politikani ka elegancën e veshjes, fjalën si mjet të lojës dhe kryeparlamentari që jep e merr fjalën. Së fundmi, politikani i vërtetë është gjithmonë në lëvizje, në kërkim të së resë, sikurse futbollisti, por nuk kanë shpirt binjak mes vete. Prandaj edhe politika edhe futbolli janë një eksperiencë e shkëlqyeshme, por e vështirë, por për dallim nga politika futbolli është një profesion më i kërkuar tek ne e në botë. (koha.mk)