Drejtuesit e Interit dhe të Fiorentinës po punojnë për të realizuar një shkëmbim, që do të mirëpritej nga të dy trajnerët përkatës, Antonio Conte dhe Vincenzo Montella.
Kështu numri një i pankinës zikaltër nuk duket i bindur nga ajo që mund t’i ofrojë Matteo Politano në vijën e sulmit dhe ka dhënë dritën jeshile për largimin e tij, ndërsa vijon të kërkojë një tjetër mbrojtës të majtë, që do t’i ofronte garanci.
Emri më i preferuar nga Conte për momentin është ai i anësorit të Fiorentinës Cristiano Biraghi, i cili përveç eksperiencës, është rritur në ekipet e moshave zikaltër dhe do të ishte i përshtatshëm edhe për listën e Championsit.
Nga ana tjetër Politano do të merrte menjëherë vendin e titullarit si sulmues i majtë në formacionin e 4-2-3-1 të Vincenzo Montellës, ndërsa përveç ish futbollistit të Sassuolos, zikaltrit do t’i japin Fiorentinës edhe një tjetër mbrojtës të majtë si Federico Dimarco.
Aktualisht palët po punojnë për një shkëmbim të thjeshtë huazimesh, me të drejta blerjesh për t’u ushtruar vetëm në fund të sezonit të ardhshëm, gjithmonë nëse futbollistët do të mund të bindin trajnerët përkatës.
Fillimisht Interi pati ofruar një shkëmbim përfundimtar mes Biraghit dhe Dalbert, por duket se drejtuesit e Fiores refuzuan dhe tashmë mbrojtësi brazilian do të duhet të marrë në konsideratë ofertat nga Franca.