Policia në Greqi ka arrestuar shtatë vetë që kanë ngjyer me të gjelbër tonë të tëra vaj luledielli dhe e kanë shitur si vaj ulliri. Prokuroria greke bëri të ditur të dielën se në Greqi janë shitur shumë tonë vaj luledielli si vaj ulliri. Ajo akuzoi shtatë persona, që e kanë ngjyer vajin e lulediellit të verdhë në ngjyrë të gjelbër, në mënyrë që të duket si vaj ulliri. Ky vaj i falsifikuar është eksportuar edhe në Gjermani. Policia arrestoi të dyshuarit – një familje me katër anëtarë dhe tre të afërm – në qytetin Larissa. Vaji i falsifikuar u është shitur në enë pesëlitërshe konsumatorëve grekë dhe është eksportuar në mbajtëse një tonëshe vaji, kryesisht në Gjermani. Policia gjeti në vend pesë tonë vaj të falsifikuar, i cili nuk qe paketuar ende dhe dymbëdhjetë mbajtëse, të destinuara për eksport. Produkti shitej si “Vaj ulliri ekstra i pastër, direkt nga prodhuesi”. Në Greqi, një vaj i vërtetë i tillë kushton nga 26 deri 30 euro. Policia pati arrestuar më parë rreth 60 tregtarë të vajit të falsifikuar dhe vetëm më vonë konstatoi se ku ndodhej qendra e dyshuar e mashtrimit.