Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Suleyman Soylu deklaroi se pjesëtarët e policisë turke dje kanë konfiskuar sasinë më të madhe të narkotikëve në historinë e vendit, ndërsa bëhet fjalë për 1 ton e 271 kilogramë heroinë, raporton Anadolu Agency.
Soylu në Antalya u adresua në konferencën ndërkombëtare për luftë kundër trafikimit të drogës, të cilën e organizoi Zyra e akademisë policore të Turqisë. Soylu tha se vendi i tij zhvillon luftë serioze dhe vendimtare në këtë plan.
Ai tha se vetëm në vitin 2018 janë zbatuar 134.088 operacione.
“Në periudhën në fjalë kemi konfiskuar rreth 80 ton marijuanë, 10.6 milionë tabletë captagon, 7.8 milionë ekstazë. Gjatë vitit kemi konfiskuar 15.9 ton heroinë”, tha Soylu.
“Dje kemi konfiskuar dërgesën më të madhe në histori. Ekipet tona policore në qytetin Erzincan konfiskuan 1 ton e 271 kilogramë heroinë që ishte fshehur në një kamion. Kjo sasi nuk është pjesë e shifrës së përmendur për vitin 2018”, tha ministri Soylu.