19:19 – Policia e Kosovës njofton se përmes rrugëve operative ka siguruar informacione se Marko Gjuriq dhe persona të tjerë, janë parë të jenë prezentë në lokacionin ku kishin planifikuar të mbanin një takim me përfaqësues dhe qytetarë të veriut të Mitrovicës.
Me qëllim të verifikimit të informacionit dhe zbatimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS), i cili ka ndaluar vizitën në Kosovë të disa zyrtarëve serbë duke përfshirë, Vulin dhe Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për të vepruar në atë lokacion.
Njësitet kompetente policore gjatë hyrjes në atë lokacion me qëllim të verifikimit të informacionit të siguruar dhe për të zbatuar vendimin zyrtar të autoriteteve të shtetit, gjatë hyrjes kanë hasur në pengesa dhe rezistencë të disa personave që gjendeshin në atë lokacion.
Edhe përkundër pengesave dhe rezistencës së shfaqur njësitet policore duke përdorur mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme policore, kanë arritur ta verifikojnë informacionin dhe njëherit ta arrestojnë z.Gjuriq i cili ishte prezent në atë lokacion.
Policia e Kosovës bazuar në refuzimin e hyrjes në RKS-ë, të njëjtin e ka larguar nga territori i Republikës së Kosovës.
Gjuriq do të deportohet nga Kosova
I ashtuquajturi drejtor për Zyrën për Kosovën, Marko Gjuriq pritet të dëbohet nga Kosova.
Ai është arrestuar gjatë ditës nga Policia e Kosovës, pasi ka hyrë pa leje në Kosovë.
Gjuriq është sjellë më herët në stacionin policor në Prishtinë.
Momenti kur Gjuriq përcillet për në Stacionin Policor “Qendra”
Me duar të lidhura prapa e i rrethuar me forca të shumta të Policisë së Kosovës, Marko Gjuriq është shoqëruar në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë.
Marko Gjuriq sillet në Stacionin “Qendra” në Prishtinë
18:27 – Policia e Kosovës e ka sjell në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë, shefin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq.
Gjuriq u arrestua pasi kishte hyrë pa leje dhe ilegalisht në Kosovë.
Ndalohet qarkullimi para stacionit “Qendra”, pritet ardhja e Gjuriqit
18:25 – Çdo moment pritet që në stacionin “Qendra” në Prishtinë të arrijë Marko Gjuriq, zyrtari serb i arrestuar në veri të vendit.
Policia ka ndaluar qarkullimin e veturave në afërsi të stacionit policor.
Detaje nga arrestimi i Gjuriqit
17:53 – Arrestimi i tij erdhi diku kah ora 17:30 derisa ai ishte brenda objektit të Gjykatës në Mitrovicë.
Ai sapo kishte nisur bisedat në kuadër të dialogut të brendshëm që shteti i Serbisë po e zhvillon për Kosovën, transmeton Koha.net.
Edhe përkundër faktit se shumë qytetarë ishin mbledhur para objektit të Gjykatës në veri, policia ia doli të futej në objekt duke përdorur shok-bomba, kur edhe e morën Gjuriqin.
Sipas asaj që raporton “TV Most”, janë dëgjuar edhe të shtëna, xhama të thyer dhe thirrje në gjuhën shqipe, ndërsa është hedhur edhe gaz lotsjellës në sallën ku gjendej Gjuriq dhe zyrtarët tjerë serbë.
Policia do ta sjellë Gjuriqin në Prishtinë, është arrestuar edhe Joviq
17:51 – Burimet e fundit nga Veriu i Mitrovicës thonë se pas arrestimit, Policia e Kosovës është nisur për në Prishtinë bashkë me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Mediat serbe raportojnë për kaos në Mitrovicë, derisa në qytet është dëgjuar edhe alarmi.
Bashkë me Gjuruqin është arrestuar edhe bashkëpunëtori i tij, Zhelko Joviq.
Ende nuk kanë mundur të konfirmohen informatat për arrestimin e Selakoviqit, anipse është bërë me dije se është arrestuar edhe ai.
Qindra qytetarë serbë raportohet se janë mbledhur tek ura kryesore e lumit Ibër.
Në jug, sipas KP-së, ka forca të shtuara të policisë, ndërsa në veri po dëgjohet pa ndërprerë alarmi.
Arrestohet Marko Gjuriq
17:39 – Pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës sapo kanë arrestuar shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, raporton “KoSSev”.
Gjuriq nga Mitrovica: Erdhëm siç premtuam – Veriu s’do të jetë pjesë e Kosovës së vetëshpallur
17:38 – Mediat në Serbi raportojnë se para gjykatës në Mitrovicë janë pritur nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
Gjuriq, siç raporton “Novosti”, ka thënë se ai dhe Selakoviq kanë ardhur sot në Mitrovicë që të diskutojnë me serbët e Kosovës për të ardhmen e, siç ka thënë ai, “krahinës jugore” dhe ka porositur që pa ta nuk ka zgjidhje për “Kosovën e Metohinë”.
“Erdhëm ashtu siç premtuam dhe u morëm vesh para disa ditësh. Erdhëm që t’ju përcjellim mesazhin se Kosova e Metohia dhe veriu i KeM asnjëherë nuk do të jenë pjesë e Kosovës së vetëshpallur apo të Shqipërisë së madhe”, ka thënë Gjuriq.
Ai ka shtuar se politika e Serbisë arritja e një kompromisi që do të nënkuptonte se “Serbia në KeM duhet të fitojë diçka”.
Njësitë speciale të Kosovës rrethojnë objektin ku po qëndron Gjuriqi
17:36 – Sipas KosovaPressit, njësitë speciale të Kosovës kanë rrethuar objektin ku ndodhen Marko Gjuriq dhe Nikola Selakoviq në Mitrovicën e Veriut.
Ata pritet të kryejnë arrestimin e tyre, pas hyrjes në Kosovë pa leje.
Qytetarët janë mbledhur për të parë se çfarë po ndodh.
Marko Gjuriq dhe Nikolla Selakoviq nuk kanë leje për vizitë në Kosovë.
Ata kanë ardhur në Kosovë për të mbajtur një debat për dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, por nuk kanë marrë leje nga Qeveria e Kosovës.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës nisen drejt veriut
17:28 – Njësitë speciale me autoblindat e tyre të cilat kanë qenë të stacionuara nëpër pika të ndryshme në jug të Mitrovicës, sapo janë nisur në veri, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Gjuriqin në Kosovë e ruajnë 50 xhandarë serbë
17:24 – Kreu i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, është duke qëndruar në Mitrovicën e Veriut, nën përcjelljen e 50 xhandarëve serbë.
Askush nuk po lejohet t’i ofrohet sallës ku po mbahet takimi rreth dialogut të brendshëm për Kosovën, ndërsa edhe gazetarët janë përjashtuar.
Gjuriq hyn në Kosovë
I ashtuquajturi drejtor për Zyrën e Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka hyrë në sallën ku pritet të mbahet debati mbi dialogun e brendshëm për Kosovën, njoftojnë burime të KosovaPress-it.
Më herët Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ai nuk ka leje për vizitë në Kosovë, ndërsa është paralajmëruar arrestimi i të gjithë atyre zyrtarëve serbë që hyjnë në vendin tonë pa marrë leje paraprake.