Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me problematikën e hasur në stadiumet shqiptare gjatë ndeshjeve të luajtura të Superiores. “Uniformat blu” i kanë kthyer përgjigje reagimeve dhe pretendimeve të FSHF-së në lidhje me dhunën e ndodhur në stadiumet shqiptare e konkretisht në ndeshjen Kamza-Laçi, ku gjyqtari Hamiti u godit dhe përfundoi në spital.
Deklarata e gjatë e Policisë së Shtetit nuk bën asgjë tjetër vetëm se pason përgjegjësinë nga vetja për t’ia lënë Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky institucion vë në pah faktin se nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me FSHF-në, madje është përballur me neglizhencën e tyre në lidhje me shkresat e dërguara.
Policia shpjegon se situata të tilla kanë qenë të paralajmëruara, pasi FSHF dhe aktorët e tjerë të futbollit të luajtur në Shqipëri nuk kanë përmbushur as minimumin e standarteve që duhen plotësuar sipas ligjit. Në deklaratë theksohet se vetëm dy terrene sportive përmbushin standartet. “Nga 61 terrene sportive, vetëm në 2 stadiume, “Elbasan Arena”, Elbasan dhe “Loro Boriçi”, Shkodër përmbushen kushtet e sigurisë për të zhvilluar aktivitete sportive. Në 59 impiante të tjera rezultojnë problematika dhe mangësi të theksuara”.
Në fund dhe një kërcënim i tërthortë për FSHF-në, pasi përveç aktorëve të tjerë që janë proceduar penalisht, Policia informon se do të merren masa dhe ndaj drejtuesve të Federatës nëse këta nuk reagojnë. “Kërkohet prej institucioneve që kanë detyrime të drejtpërdrejta për organizimin e eventeve sportive, të përmbushin këto përgjegjësi ligjore. Në të kundërt, do të merren masa të ashpra për të penalizuar jo vetëm shkaktarët e akteve të dhunës, por edhe përgjegjësit për mos-marrjen e masave që parandalojnë përshkallëzimet e ngjarjeve me pasoja”, – shkruhet në deklaratë.
Një luftë e tillë e ftohtë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe FSHF-së nuk i shërben askujt! Futbollit të luajtur jo, e jo, por sjell më shumë pasiguri në stadiumet tona dhe kupton se lojtarët, gjyqtarët apo dhe tifozët mund të jenë në qiell të hapur duke u lutur që ndonjë i shkretë të mos çmendet. Të dy palët kërkojnë reflektim, një reflektim që përcillet vetëm nëpërmjet deklaratave teorike, pasi në praktikë… Në praktikë përfundoi në spital një gjyqtar, po nesër kush do e ketë rrallën?