Urim HASIPI
Tetovë, 7 dhjetor – Më shumë se dy javë, në Tetovë, disa nga semaforët në bulevardet kryesore kanë qenë jashtë funksionit. Ndonëse tashmë në qytetin e Tetovës ka shumë pak semaforë, sidomos me ndërtimin e rrethrrotullimeve, megjithatë edhe ato pak që janë ndodh që të jenë jashtë funksionit, shkruan gazeta KOHA. Sipas informacioneve, ka qenë kërkesë e policisë, gjegjësisht Stacionit për Siguri në Komunikacionin rrugor në Tetovë, që semaforët të jenë jashtë funksionit, me qëllim që të mos shkaktohen kolona dhe pengesa në komunikacion. Këtë e ka bërë të ditur ndihmës udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Publike në Tetovë, Memet Jonuzi.
Ai tha se semaforët nuk kanë qenë në defekt, por vetëm ka qenë kërkesë e policisë. “Është e vërtetë se semaforët nuk kanë qenë në funksion. Kjo ka qenë me kërkesë të Policisë së Komunikacionit. Ne kemi pasur gjithmonë bashkëpunim me policinë dhe kemi respektuar kërkesën e tyre që semaforët të jenë jashtë funksionit. Nuk bëhet fjalë për defekte, sepse të njëjtit kanë qenë në gjendje të rregullt dhe vetëm kemi respektuar bashkëpunimin që kemi me policinë”, deklaroi Memet Jonuzi, ndihmës udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Publike në Tetovë.
Sipas tij, kërkesa është parashtruar nga policia, me qëllim që të evitohen gjithnjë sipas tyre, kolonat e gjata të automjeteve në bulevardet kryesore. Më pas kemi pranuar kërkesë që të ndërpritet kjo masë dhe të vendosen sërish në funksion semaforët. Në ndërkohë, sipas informacioneve të Stacionit për Siguri në Komunikacionin rrugor në Tetovë, ka qenë kërkesë e tyre që semaforët të jenë jashtë funksionit dhe në atë të rast të vlejnë shenjat e komunikacionit. Sipas tyre, përgjatë kohës sa kanë qenë jashtë funksionit nuk ka pasur pengesa më të mëdha në zhvillimin normal të komunikacionit, sidomos në Bulevardin e Ilindenit dhe rrugën Industriale. “Gjatë kohës së fundit në Bulevardin e Ilindenit dhe Vidoja Smilevski Bato, ka pasur pengesa në zhvillimin normal të komunikacionit, gjegjësisht kolona të gjata të vetura. Vlerësimi ynë ka qenë që semaforët të jenë jashtë funksionit apo rolit që kanë dhe në ato vende të vlejnë rregullat sipas shenjave të komunikacionit që janë në ato udhëkryqe”, tha Besir Qamili, zëvendëskomandant në Stacionin Policor për Siguri në Komunikacionin rrugor në Tetovë. Megjithatë, sipas policisë, pas akuzave dhe kritikave të shumta nga qytetarët, ata kanë vendosur që të tërheqin kërkesën që semaforët të jenë jashtë funksionit.
”Mirëpo, kemi pranuar shumë ankesa dhe kritika për këtë veprim dhe kemi vendosur që të tërheqim vendimin. Tash në ato pjesë ku do të ketë kolona dhe pengesa në zhvillimin normal të komunikacionit do të vendosim polic rrugor nëse kërkohet. Mendimi ynë është se masa e përkohshme që semaforët të jenë jashtë funksionit ka pasur efekte pozitive, por tash e tutje si do veprohet në këto situata pritet të kemi koordinime shtesë”, deklaroi Qamili.
Në ndërkohë, në Tetovë gjithsej ka 7 semaforë të vendosur në udhëkryqe, kurse për vitin që vjen janë planifikuar riparime të të njëjtave dhe vendosjen e një semafori në rrugën tek Tetovarja. Në dekadën e fundit në Tetovë, kryesisht në rrugët kryesore, janë larguar semaforët dhe janë vendosur rreth-rrotullime. (koha.mk)