Delvina KËRLUKU
Haxhi Maqellara, ka lindur në Dibër të Madhe (ashtu i pëlqen ta thërret këtë vend, sepse siç thotë bilbili i këngës shqipe, Dibranët cilësohen për mikpritje dhe janë zemërgjerë) në vitin 1953. Si këngëtar dhe instrumentist, fillimisht veproi në gjimnazin e Dibrës, pastaj ne SHKA “Liman Kaba”, të Dibrës. Më vonë u inkuadrua në Ansamblin profesionist “Shota” të Prishtinës dhe në SHKA “Kastriotët” e Ferizajit. Nga viti 1983 në SHKA “Ibe Palikuqi” të Shkupit. Ka marrë pjesë në Festivalet “Kosovarja këndon”; “Akordet e Kosovës” dhe në “Festivalin e Gjakovës”. Këngëtari thotë se nuk mban mend se në sa festivale ka marrë pjesë. Në festivalin “Kosovarja këndon”, u shpalla këngëtari më i mirë. Në atë kohë në këtë Festival këndonin edhe meshkujt. Në “Akordet e Kosovës” dhe “Festivalin e Gjakovës”, ka marrë çmimin e parë të publikut. Këngëtari Haxhi Maqellara, paralajmëron se është në përgatitje të një romani, duke e zbuluar edhe titullin, “Agonia”
KOHA: Çfarë roli kishit në Shoqërinë Kulturore Artistike “Liman Kaba”?
MAQELLARA: Në SHKA “Liman Kaba”, fillimisht u inkuadrova si instrumentist. Mandolinën e kisha si instrument që e mbaja në dorë. Kjo ka ndodhur në vitin 1968. Isha anëtari më i ri i shoqërisë. Pastaj, me kohë, në vitin 1970 fillova edhe të këndoj dhe në vitin 1972, në turneun që patëm në Shqipëri, isha këngëtari më i suksesshëm. Më vonë, në vitet 1978 – 1979, isha udhëheqës artistik i grupit të folklorit, bashkë me Atli Qormemetin, ndërsa Nazim Kaba udhëheqës artistik i gjithë programit. Në atë kohë unë isha dhe koreograf.
KOHA: A u ka ndarë mirënjohje kjo shoqëri kulturore për kontributin tuaj?
MAQELLARA: Fatkeqësisht jo!
KOHA: Ç’domethënie kishte SHKA “Liman Kaba” për Ju?
MAQELLARA: SHKA “Liman Kaba” për mua në atë kohë ishte shtëpia ime e dytë. Suksesin e fillimeve të mia, ia dedikoj asaj si dhe mësuesit tim të parë, Atli Qormemetit dhe të Madhit (e të ndjerit) kompozitor, Musa Piperku.
KOHA: Na tregoni për angazhimet e juaja në Ansamblin “Ibe Palikuqi”?
MAQELLARA: Në SHKA “Ibe Palikuqi” u inkuadrova si koreograf dhe këngëtar. Me ardhjen time në këtë shoqëri, ajo u bë një nga ansamblet më të suksesshme shqiptare në ish Jugosllavi, kjo falë edhe angazhimit tim të madh, të anëtarëve të kryesisë e mbi të gjitha të kryetarit të saj, të madhit dhe të ndjerit, Alush Hamidi. Miku im Alushi ishte i papërtuar dhe lirisht mund të them, i papërsëritshëm. Në këtë fjalë, nuk dua të anashkaloj edhe kontributin e anëtareve të tjerë të kryesisë. Si anëtaret, që përbëheshin nga këngëtaret,valltaret dhe instrumentistët me në krye vëllezërit Curri. Edhe SHKA “Ibe Palikuqi”, për mua u bë si shtëpi e dytë. Anëtaret e saj ishin njerëz të mrekullueshëm, të dashur dhe me plot vullnet. Do të përmend disa emra që i kam ruajtur në kujtesë: Kryetarin, emblemën e shoqërisë, Alush Hamidin, i cili e ka shkruar dhe strofën e këngës sime të dytë “Lulkuqja e Kosovës”, humoristin mixhën Xhelë, Farkun, Qenanin, kryetarin aktual të shoqërisë së ansamblit, Ismetin, Nevapin, Fuatin, këngëtarët Nexhat Kumanova, Burhan Balla, Lumturie Axhami, motrën e Alushit, Nexhat Sumën e shumë të tjerë. Pastaj instrumentistët, Agimin dhe të vëllain, Samiun, i cili njihej si kitarist dhe mbi të gjitha, vëllezërit Curri, Nijaziun dhe Nehatin. Kërkoj ndjesë nëse kam harruar ndonjërin. U bënë 30 vite që jetoj larg tyre.
KOHA: A mendoni se shoqëritë “Liman Kaba” dhe “Ibe Palikuqi” mbijetuan edhe me veprën tuaj?
MAQELLARA: Jo, nuk mendoj ashtu. Unë jam njëri ndër ata që kontribuan fuqishëm në mbijetesën e tyre.
KOHA: Ç’është Dibra për Ju?
MAQELLARA: Gjithçka ose thjesht qyteti më i dashur në botë. (Për këtë ai këndon këngën: “Malli për Dibrën time”; Jam Krenar që jam Dibran, etj)
KOHA: Shkolla e juaj është përvoja në jetë?
MAQELLARA: Sigurisht që po, megjithëse kurbeti është një përvojë më e madhe.
KOHA: Cili është shoqëria juaj e fëmijërisë (emrat)?
MAQELLARA: Kam shumë shokë, por më të afërt kam Fisnik Camin, Nazif Tominaj, Petrit Ramkun dhe Nehat Ballancën.
KOHA: Jeni kërcënuar ndonjëherë nga policia?
MAQELLARA: Jo nga policia, po nga pushteti sllavokomunist, sidomos nga Apostol Arbellski, i cili, si sekretar i partisë që ishte, atëherë, bëri çmos që të ma ndërpriste karrierën time, por nuk ia arriti, sepse u shpërngula në Prishtinë.
KOHA: Si i përjetuar demonstratat e vitit 1981?
MAQELLARA: Shumë keq. Në atë kohë unë isha ushtar në Beograd dhe, duke qenë në burg si shumë shqiptarë që i arrestuan, sidomos kosovarët, pas mbarimit të shërbimit, me mbajtën edhe 45 ditë të tjera.
KOHA: E doni më shumë Kosovën apo Shqipërinë ose nuk bëni dallim?
MAQELLARA: Shqipëria dhe Kosova janë si shpirti dhe zemra e një njeriu. Nuk mund ta veçoj asnjërën.
KOHA: A ndikuan trazirat politike në largimin tuaj nga vendlindja?
MAQELLARA: Sigurisht që po. Edhe në Kosovë unë isha i ndjekur, sepse popullariteti im i madh, pushtetin serbosllav e tmerronte. Në vitin 1987 shkova në Amerike me vizë pune për të kënduar. Pasi u ktheva një vit më vonë, një inspektor policie, shqiptar ky dhe burrë shumë i mirë, në hotel “Grand” më takoi rastësisht dhe me tha : “Haxhi, të dua fort si këngëtar dhe njeri. Ik jashtë shtetit se je në LISTËN E ZEZË. Do të të burgosin. Këtë që ta thash, mos ia thuaj kujt”. Pas kësaj bisede, brenda 10 ditëve u largova me bashkëshorten dhe dy fëmijët.
KOHA: Keni qenë “refugjat”?
MAQELLARA: E thashë edhe pak më lartë, ishin trazirat politike dhe paralajmërimi i punonjësit të policisë që më detyruan të largohem. Më besoni, që në Gostivar kur hipëm në tren e deri në Beograd, kam qarë pandërprerë. Me plot-kuptimin e fjalë, refugjat kam qenë prej ditës që hyra në Amerike e derisa mora dokumentet. Është plagë e rënde të jesh refugjat…
KOHA: Kur ikët nga vendlindja, ç‘porosi i le nënës?
MAQELLARA: Nënës sime të dashur e tash më të ndjerë, nuk i lash asnjë porosi. Qanim te dy në përqafim. Ajo më puthte ballin, faqet dhe duke mi fshire lotët, m’i puthi edhe sytë. Ne fund i thashë se: “Do Zoti, do të shihemi shpejt !
KOHA: Pse e thoni në këngë se nëna jote ishte “”halle madhe”. Na e përshkruani nënën?
MAQELLARA: Nëna ime e shtrenjtë, ishte nënë e 9 fëmijëve. Me sakrifica të mëdha na rriti, na edukoi dhe na shkolloi. Hallet e saj ishin shumë të mëdha, ashtu si hallet e gjithë nënave shqiptare. Ndaj dhe në shumicën e këngëve të mia, unë kam përmendur emrin e Nënës.
KOHA: Cila rrugë është më e vështirë, ajo e emigrantit apo e këngëtarit të suksesshëm?
MAQELLARA: Pa diskutim ajo e emigrantit. Unë i kam provuar të dyja.
KOHA: Çfarë punë keni punuar?
MAQELLARA: Këtu në Amerikë, fillimisht në pastrim, si shumica e dibranëve dhe shqiptarëve.
KOHA: Keni dhënë kontribut të ndjeshëm për këngën shqiptare. Si kundër shpërblim, ç’keni marrë?
MAQELLARA: Kam fituar zemrën dhe shpirtin e popullit tim. Kam qenë prezent në çdo shtëpi të shqiptarëve, në dasma dhe gëzime të ndryshme familjare. Kam marrë edhe 10 dekorata nga të cilat dy janë tituj: “MIRENJOHJA E QYTETIT TË TIRANËS, e dhënë kjo nga ish kryetari i bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha si dhe titullin “NDERI I KULTURËS DIBRANE”, nga ish kryetari i Peshkopisë, zoti Ilir Krosi.
KOHA: Me ju më shumë mburret familja, dibranët apo të gjithë shqiptarët?
MAQELLARA: Për familjen jam i sigurt se mburret me mua, e sa për dibranët dhe shqiptarët, u mbetet atyre të shprehen.
KOHA: Në edukimin e fëmijëve tuaj ka kontribuar më shumë bashkëshortorja apo Ju?
MAQELLARA: Pa diskutim se bashkëshortja ime, Fatbardha, e cila edhe me profesion është pedagoge.
KOHA: Sa nga familja e gjëra, Maqellara, janë këngëtarë?
MAQELLARA: Gati të gjithë. Unë, vëllai Agroni dhe djali i tij, Bledari, kemi bërë emër.
KOHA: Sa fëmijë keni?
MAQELLARA: Kam një djalë, Burimin dhe dy vajza, Mimozën dhe Gonxhen.
KOHA: Fëmijët tuaj kanë këtë dhunti – këngën?
MAQELLARA: Për çudi jo. Burimi ka pasur pasion futbollin, ndërsa vajzat kanë pasion letërsinë.
KOHA: Sa e rëndësishme është familja për një këngëtar?
MAQELLARA: Jo vetëm për këngëtarin, por për çdo njeri, familja, sidomos ajo e shëndoshë, është guri themeltar i suksesit. Unë kam pasur këtë fat që të kem familje të shëndoshë, falë bashkëshortes sime.
KOHA: Jeton në Amerikë, pse?
MAQELLARA: Amerikën e ka bekuar Zoti, ndaj jetoj këtu.
KOHA: Kënga e Ganimetës, është një porosi për atdhedashuri?
MAQELLARA: Super-hiti i viteve 80-ta, “Lulëkuqja e Kosovës”, ka vetëm atë porosi, Atdhedashurinë.
KOHA: Sa vëllezër e motra keni?
MAQELLARA: Ne jemi 9 fëmije. Gjashtë vëllezër e tre motra. Një na ka vdekur,vëllai i madh Zeni, i cili gjithashtu ishte një muzikant i përkryer.
KOHA: Në ç‘moshë e keni fituar paranë me djersën tuaj?
MAQELLARA: Që në moshën 20 vjeçare, kur u inkuadrova në Ansamblin SHOTA të Prishtinës.
KOHA: Sa vjeçar jeni martuar?
MAQELLARA: 27 vjeçar.
KOHA: A do të ktheheni ndonjëherë në vendlindje?
MAQELLARA: Nuk i dihet.
KOHA: Ju zgjodhët Amerikën që të jetoni, por a keni dashur të jetoni në ndonjë vend tjetër?
MAQELLARA: Ëndrra ime ka qenë Prishtina, por rrethanat ishin të atilla që më detyruan të largohem drejt Amerikës, siç e thashë edhe më lart.
KOHA: Cila është kënga juaj, që të mban gjallë?
MAQELLARA: Janë qe të gjitha, por unë do të veçoja katër : Kënga NËNA IME; MALLI PËR DIBRËN TIME, LULKUQJA E KOSOVËS dhe TË FALEMNDERIT MOJ TIRANË.
KOHA: Dashuria më e madhe ndaj vendlindjes, apo nënës?
MAQELLARA: Dashuria ndaj Nënës, nuk krahasohet me asnjë lloj dashurie!
KOHA: Përse qan, Haxhi Maqellara?
MAQELLARA: Unë kam qarë edhe atëherë kur jetoja në Dibër e Prishtinë, po tani që erdha në Amerikë, qaj më shumë dhe më shpesh. Qaj për prindërit e mi, të dashur, që si kam më, për vëllezërit, motrat dhe shokët. Qaj për Kosovën dhe Çamërinë martire, për Dibrën kreshnike…
KOHA: A urren këngëtari?
MAQELLARA: Unë urrej pseudo shqiptarët dhe pseudo muzikën tonë.
KOHA: A jeni i vetëdijshëm se këngët e juaja, këndohen nga çdo dibran dhe më gjerë?
MAQELLARA: Pa diskutim se po.
KOHA: Cilët janë bashkëpunëtorë të këngëve tuaja?
MAQELLARA: Nga kompozitorët janë: Edi Balili, Përparim Tomçini, Edmond Zhulali e Saimir Çili, ndërsa nga poetët Jorgo Papingji, Agim Doçi, Remzi Zeqja, Flora Brovina dhe i paharruari Alush Hamidi.
KOHA: Cila është porosia juaj për rininë shqiptare?
MAQELLARA: Të shkollohen sa më shumë dhe të mos emigrojnë. Sa i takon muzikës, të këndojnë SHQIP!
KOHA: A keni në plan të mbani një koncert në vendlindje, me këngët tuaja?
MAQELLARA: Sivjet kam 45 vjetorin e aktivitetit tim artistik. Për 35 vjetorin mbajta një koncert në Dibër, por me shpenzimet e mia, qe ishin shumë. Sivjet kam dëshirë që të mbaj një recital, por kjo varet nga vullneti i Komunës Dibër.
KOHA: A pensionohet këngëtari?
MAQELLARA: Kurrë!
KOHA: Për çfarë do të vdisje?
MAQELLARA: Për fëmijët e mi dhe për Atdheun!
KOHA: Preferoni më shumë veshjen kombëtare në një koncert apo kostumin?
MAQELLARA: Më përpara preferoja vetëm veshjen kombëtare …
KOHA: Si ndjeheni më shumë amerikan apo shqiptar?
MAQELLARA: Tani jam shqiptaro-amerikan.
KOHA: Keni shkruar ndonjëherë, ditar apo…?
MAQELLARA: Jam në përgatitje të një romani, me titull “AGONIA”. Subjekti i këtij romani është dashuria mbinjerëzore e dy të hendikepuarve, vajzë e djalë, që të dy shqiptarë. Është histori reale nga koha kur isha absolvent i mjekësisë në Shkup.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.