Urim HASIPI
Tetovë, 5 maj – Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar arsyet se pse nuk ka lejuar zgjerimin e parkimit zonal në disa rrugë të Tetovës, pas kërkesës së parashtruar nga Ndërmarrja publike “Parkingu i qytetit”. Në përgjigjen e policisë qëndron se Sektori për komunikacion në kuadër të policisë së uniformuar – Byroja për Siguri Publike ka shqyrtuar tërë dokumentacionin dhe ka konstatuar se rrugë magjistrale në qytet është ajo rrugë që lidh disa rrugë të vendbanimeve me rrjetin e rrugëve shtetërore.
“Kjo rrugë duhet të mundësojë qarkullim të automjeteve me shpejtësi nga 40 deri në 90 kilometra në orë dhe të jep shërbime më të larta në komunikacion. Kryqëzimi i kësaj rruge është i mundur vetëm me rrugë primare dhe me ato servisore. Në pajtim me këtë rregullore, në rrugët magjistrale në qytet, nuk mund të planifikohet parkim”, qëndron në përgjigjen e Policisë së Tetovës. Po ashtu, policia ka kërkuar që Komuna e Tetovës të bëjë klasifikim të ri të rrjetit të rrugëve në Tetovë. “Në lidhje me këtë Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, është prononcuar më 6 mars, ku si arsye se pse nuk ka dhënë lejen e kërkuar, është thënë se duhet të vërtetohet ligjshmëria e vendimit të klasifikimit të ri të rrjetit të rrugëve, me kërkesë që të plotësohet dokumentacioni nga Plani Detal Urbanistik”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga MPB-ja thonë se ata kanë vepruar në bazë të ligjit për siguri në komunikacionin rrugor. Përndryshe, Ndërmarrja publike “Parkingu i qytetit” parashtroi kërkesë deri tek Ministria e Punëve të Brendshme për zgjerimin e zonave të parkimit në rrugët “Todor Merxhan” nga bulevardi i Ilindenit deri te Strasho Pinxhur. Në bulevardin e Ilindenit, gjegjësisht rrugët Dervish Cara deri tek Kiro Ristovski Dërnc si dhe rruga Boris Kidriç.
Ndryshe, sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrje është kërkuar leje nga policia, që në rrugën Todor Merxhan të organizohet parkim në anën e djathtë në drejtim që automjetet lëvizin nga udhëkryqi i rrugës së Ilindenit me rrugën Strasho Pinxhur dhe kjo do të jetë pjesë e zonës A. Në rrugën e Ilindenit duhet të organizohet parkim në të dy anët e qarkullimit, gjegjësisht deri në kryqëzimin e rrugëve Kiro Ristovski Dërnc dhe rrugën Dervish Cara. Në rrugën Bllagoja Toska të organizohet parkim zonal në të dy drejtimet, nga kryqëzimi i rrugëve Memet Pash Deralla deri në udhëkryqin e rrugës Metodija Çento. Gjatë përpunimit të dokumentit duhet që të merret parasysh edhe konfiguracioni momental i rrugëve dhe të ketë kujdes me regjimin aktual të komunikacionit në qytet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara