Tetovë, 27 mars – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, kohëve të fundit është duke zhvilluar një betejë ndaj personave që merren me tregtinë e drogës në rajonin e Tetovës dhe më gjerë, shkruan gazeta KOHA. Gjatë javës që e lamë pas janë realizuar disa aksione në vende të ndryshme kundër narkodilerëve të Tetovës. Aksioni më i ri është zhvilluar një në shtëpinë e 33 vjeçarit nga Reçica e Vogël, të shtunën pasdite dhe i njëjti aksion është realizuar me urdhëresë gjyqësore. Me këtë rast, sipas zëdhënësit të Policisë së Tetovës, Marjan Josifovski, është konfiskuar sasi e madhe e marihuanës dhe tableta ekstazi. “Ndërsa në katin përdhesë të shtëpisë është gjetur një qese me një materie të panjohur, me siguri mariuhanë, sasia e së cilës në mënyrë shtesë do të vërtetohet, ndërkaq në një vitrinë është gjetur një peshore digjitale me mbetje të gjelbra të mariuhanës. Në të njëjtën kohë, në tre qese më të vogla të mbështjella janë gjetur gjithsej 131 tableta ekstazi me forma dhe madhësi të ndryshme. Gjësendet e gjetura pas këtij kontrolli policorë, janë marrë me vërtetim për procedurë të mëtejshme, përderisa 33 vjeçari L.C është dërguar në stacionin policorë në Tetovë nga ku pas kryerjes së bisedës, është lënë i lirë. Pas zbardhjes së të gjitha detajeve që ndërlidhen me rastin në fjalë dhe në bashkëpunim me prokurorin publik, kundër L.C do të pasojë padi adekuate në procedurë të rregullt”, informoi zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Marijan Josifovski.
Ndërkaq, ditë më parë në një aksion të pjesëtarë të Njësisë për tregti të palejuar me drogë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në rrugën Tetovë-Jazhincë në Xhepçisht kanë ndaluar veturën e tipit Pezho 206, me targa të Tetovës, e drejtuar nga 50 vjeçari F.I nga Tetova dhe gjatë kontrollit të veturës, kanë gjetur një materie të panjohur në qese plastike, me siguri marihuanë, e cila ka peshuar rreth 2 kilogram. 50 vjeçari menjëherë është arrestuar, ndërsa 20 minuta më vonë në fshatin Poroj është arrestuar 47 vjeçari M.A mga ky fshat, i cili ka drejtuar veturën BMW me targa të Tetovës, për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale lëshim të palejuar në treg të lëndëve narkotike substancave psikotrope dhe prekusorëve, për shkak të dyshimeve se ka lidhje me personin e parë të arrestuar. Krahas kësaj, në lidhje me këtë aksion është arrestuar edhe një person tjetër nga fshati Odër, me iniciale S.F. Po ashtu, gjatë javës u ndaluan edhe dy persona në Tetovë, në afërsi të qendrës sportive, njëri nga Gostivari dhe një vajzë nga Manastiri, të cilët u kapën duke përdorur lëndë narkotike. (U.H)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara