Policia mësyn te Malaga, tjetër skandal i drejtuesve

Skandali i videos erotike të ishtrajnerit është vetëm një anë e medaljes në situatën e Malagës. Pasi ana tjetër, është një skandal që ka prekur presidentin dhe djemtë e tij. Mediat spanjolle kanë bërë me dije se dje në zyrat e klubit ku luajnë dy lojtarët e Kombëtares, Armando Sadiku dhe Keidi Bare, ka mësyrë policia dhe hetuesit në një çështje, e cila është tentuar të mbahet “top sekret”.

Drejtuesit – Nga sa është bërë me dije, presidenti Abdullah Al Thani dhe djemtë e tij, Naser, Najef dhe Rakan janë nën vëzhgim. Më tej, shtohet se të katërt drejtuesit e lartë të skuadrës spanjolle, janë caktuar që të dëshmojnë në gjyq në datën 18 shkurt të këtij viti. Pavarësisht kësaj, çështja nuk është zbardhur.

Ndërhyrja- Policia kombëtare ka bërë dje një ndërhyrje në zyrat e klubit në “La Rosaleda”, e cila i referohet një urdhri të gjykatës për ta bërë këtë gjë. Nga sa bëhet me dije, në zyrat e klubit janë mbledhur të gjithë dokumentet dhe provat e nevojshme për drejtimin e klubit nga Al Thani dhe djemtë e tij. Një skandal me karakter ekonomik që mund të sjellë edhe dënim të rëndë për Malagën, deri edhe në përjashtim. Në këtë rast, nëse do të ishte vendim drastik, Bare dhe Sadiku do të mund të deklaroheshin futbollistë të lirë.

Klubi – Malaga ka bërë një reagim në lidhje me këtë: “Klubi i futbollit Malaga kërkon të qartësojë atë që ndodhi në stadiumin ‘La Rosaleda’. Policia gjyqësore ka ardhur në zyrat e klubit për të kërkuar informacione në llogari të një çështjeje që është mbajtur sekret. Klubi ka bashkëpunuar gjatë gjithë kohës për çfarëdo kërkese që kanë pasur agjentët. Megjithatë, këto veprime nuk kanë cenuar funksionimin normal të klubit. Duam të falënderojmë agjentët për profesionalizmin dhe mirësjelljen e tyre kundrejt stafit tonë”, ka qenë deklarata e Malagas.