Omer XHAFERI
Shkup, 29 mars – Nën presionin e inspektorëve të policisë, një javë pas arrestimit, Sevdail Miftari i akuzuar si pjesëmarrës në konfliktin e armatosur në “Lagjen e Trimave” në maj të viti 2015, është shantazhuar se duhet të flasë kundër të akuzuarve Irfan Lutfiu, Besnik Ajdini, Arsim Bajrami dhe Fadil Fejzullahu. Përndryshe, asnjëherë më nuk do t’i sheh fëmijët dhe familjen e tij. Në burgun hetues të Shutkës, sipas rrëfimit të Miftarit, përfaqësuesit e Ministrisë për Punë të Brendshme e kanë marrë në pyetje dhe kanë kërkuar nga ai që personat e apostrofuar, t’i potencojë si organizatorë për transportin e grupit, furnizimin me ushqim, akomodimin e tyre e kështu me radhë, shkruan gazeta KOHA. Në ndërkohë, gjatë përshkrimit të ngjarjeve, ai tha se si gjithë anëtarët tjerë të grupit, ka menduar se ky kurth ka qenë i përgatitur nga Ali Ahmeti. Mirëpo, duke i dëgjuar audio-materialet e prezantuara nga Prokuroria, i akuzuari Miftari potencoi se është i bindur në pafajësinë e plotë të kreut të BDI-së lidhur me këtë rast.
“Më manipuluan”
“Unë dhe gjashtë anëtarë të familjes time, pavarësisht se kemi marrë pjesë në luftën e 2001-shit, asnjëherë nuk jemi rreshtuar në radhët e BDI-së, aq më pak ta kemi votuar këtë subjekt politik. Kështu që në fillim, edhe unë kam menduar se këtë rast e ka përgatitur Ali Ahmeti, por duke i dëgjuar bisedat telefonike të anëtarëve tjerë të grupit me Aliun, kam konstatuar se nuk është e mundshme që një person i cili të ofrohet në ndihmë duke ta hapur telefonin, të jetë edhe tradhtar”, tha i akuzuari Miftari, në rrëfimin e tij para Trupit gjykues ditën e mërkurë. Ndaj kësaj deklaratë ka reaguar i akuzuari tjetër i grupit Nasuf Bekiri, i cili e ka thirrur Miftarin që të tregojë publikisht se vallë, para fillimit të kësaj seancë, mos ka qenë i kërcënuar të flasë në këtë mënyrë. “Ty të ka mësuar dikush se si duhesh ta mbrosh Ali Ahmetin, atë kriminel. Trup të qoftë”, reagoi ashpër Nasufi. Nga ana tjetër, për dallim prej shumicës së të akuzuarve, të cilët deri më tani duke folur për ftesat se kush i ka thirrur që të futën në Maqedoni, i akuzuari Miftari, në këtë rast përmendi identitetin e disa personave të cilët nuk janë shtetas të Maqedonisë, dhe të njëjtit për momentin, siç tha ai, gjenden në liri. Megjithatë, ai nuk tregoi se cila ka qenë lidhja paraprake e tij me këta persona, gjegjësisht prej nga është njohur më herët. “Personalisht vetën e ndiej të manipuluar. Fillimisht më 4 maj më është paraqitur Avni Rashiti, shtetas i Kosovës, dhe më ka thënë se duhet të bëhem gati se në Maqedoni do të fillojë një luftë. Pas kësaj, më 5 maj, me ftesë të Faruk Imerit, jemi takuar në Gjilan. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe dy persona tjerë, të cilët nuk i njoh. Nga ata më është thënë se nga Ohri e deri në Kumanovë, ekzistojnë rreth 2 mijë persona të veshur në uniformën e UÇK-së. Ndërsa unë, paraprakisht e kisha të ngulitur në kokë deklaratën e ish gjeneralit të policisë, Stojançe Angellov, ku thotë se VMRO ka paguar një grup me 2 milionë euro që të shkaktoj trazira me qëllim ndalimin e bombave të Zoran Zaevit. Këtë gjë e kam diskutuar edhe me këta persona, të cilëve ju kam thënë se në rast se bëhet fjalë për interesa personale, unë nuk dua të jem pjesë këtij grupi. Por, atë më kanë thënë se bëhet fjalë për bashkim kombëtar dhe në këtë mënyrë pranova t’i bashkëngjitëm grupit”, deklaroi i akuzuari Miftari. Në kuadër të kësaj deklarate, i akuzuari Lendrit Rustemaj e ka pyetur Miftarin, se vallë – Faruk Imeri, mos ka shtetësi të dyfishtë dhe a bëhet fjalë për të njëjtin person i cili jeton në Haraçinë të Shkupit?. Mirëpo, i akuzuari Miftari, tha se nuk është në dijeni për këtë gjë. Ndryshe, gjatë procesit të deritanishëm, i akuzuari Miftari disa herë ka ndërhyrë në fjalimet e të akuzuarve tjerë, duke përmendur emra të inspektorëve të policisë, në mesin e të cilëve edhe emrin e inspektorit Nimetullah Abdullau, si person që nga afër ka qenë i lidhur me zhvillimet e Kumanovës.
“Derisa të gjithë kanë folur, ti vazhdimisht ke përmendur emrat e inspektorëve të policisë, ndërsa sot kur vet je duke e prezantuar rrëfimin tënd, nuk je duke e bërë një gjë të tillë. Por vetëm thekson se për ty kanë qenë të dyshuar”, ishte kjo pyetje e drejtuar Sevadil Miftarit nga i akuzuari Bajram Elshani. Ky reagim i Elshanit ka pësuar pasi Miftari, kohë më parë kur Qernan Iseni nga Hotla dha dëshminë e tij para Trupit gjykues, u potencua si personi që ka folur me shoferin e automjetit, të cilin Mirsad Ndrecaj e kishte dërguar nga Kumanova. Atëkohë u fol për një inspektor policor me emrin Armend, i cili ishte futur në shtëpinë e Qenanit, ndërsa Miftari ishte takuar me shoferin jashtë shtëpisë.
Përplasje dhe fyerje mes të akuzuarve
Ndryshe, gjatë seancës së mbajtur ditën e mërkurë, është ngritur dhe ka folur edhe Qenan Iseni, i cili e shfrytëzoi rastin dhe e tërhoqi fjalën ku kishte thënë se, një inspektor i policisë me emrin Armend, është futur në shtëpinë e tij, datën e 7 majit 2015. Një përplasje e pazakontë e shoqëruar me fyerje dhe sharje të rënda në këtë seancë ka ndodhur edhe mes të akuzuarit Besnik Bajrami dhe të akuzuarit Miftari, gjatë kohës që ky i fundit ka bërë thirrje që personalisht të paraqitet personi i cili e kishte ftuar në shtëpi inspektorin e MPB-së, kohë kur këta ishin larguar nga shtëpia e Isenit dhe ishin strehuar në një shtëpi të braktisur në pjesën malore të fshatit Hotël. Përpos avokatëve dhe të akuzuarve, Miftari, është përgjigjur edhe në pyetjen e prokurorit Naum Panovski, i cili ka kërkuar nga i akuzuari të sqarojë se, pasi ka vërejtur se situata nuk është në rregull, pse nuk ka tentuar të largohet? Miftari u përgjigj se ka pasur frikë të mos shpallet tradhtar nga ana tjetër e grupit. Karakteristikë tjetër e kësaj seance, të cilën e përmendi i akuzuari Miftari, ishte e lidhur me fazën më të hershme të procesit, atëherë kur prokuroria i ka prezantuar dëshmitarët e fshehur, me çka në një rast – njëri prej këtyre dëshmitarëve i pyetur nga avokati mbrojtës Naser Raufi, se a ia ka vënë prangat personalisht Mirsad Ndrecajt, është përgjigjur se kolegë i tij ka qenë ai që e ka bërë një gjë të tillë. Ndërsa, gjatë kësaj kohe, i akuzuari Miftari tha se prokurorët janë ngritur dhe kanë shkuar në vendin ku ka qëndruar dëshmitari i fshehur. Prezantimi i fakteve dhe provave në këtë seancë ka vazhduar nga Fatmir Reçica. Ndërsa, seanca e radhës është caktuar me datë 19 prill. (koha.mk)