Policia malazeze : Nuk ka të dhëna se Dritan Abazoviqi po shantazhohet nga grupet kriminale

26

Prej dy ditësh tashmë në mediat malazeze qarkullon lajmi që lideri i lëvizjes URA, politikan shqiptar Dritan Abazoviq është kërcënuar me jetë nga njëri prej shefave të një klani mafioz rajonal. Drejtoria e Policisë (UP) njoftoi se Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB) paraqiti një dokument ku thuhej se bazuar në të gjitha të dhënat në dispozicion të këtij organi shtetëror, nuk ka të dhëna operacionale dhe informacione që tregojnë se siguria e kryetarit të Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviqi është e rrezikuar.

Burime të medias së rëndësishme “Vijesti” nga rajoni dhe Mali i Zi kanë marrë informacione që Abazoviq8i ishte shënjestër e një grupi kriminal, kurse në polici thonë se këto të dhëna nuk i posedojnë. “Bazuar në të dhënat që i disponojmë nga njësitë në terren, drejtoria e policisë nuk disponon një të dhënë të tillë sa i përket sigurisë së Dritan Abazoviqi dhe familjarëve të tij”, kanë bërë të ditur në policinë malazeze. Ata theksojnë se do të kryejnë kontrolle tjera të detajuara lidhur me çështjen e ngritur nga Vijesti. Në anën tjetër, jo zyrtarisht nga URA bëjnë me dije se disponojnë një informacion të ngjashëm dhe se në këtë rast është i përfshirë edhe një shtetas i Malit të Zi që jeton në Perëndim.

Ndërkohë, ditën e djeshme është bërë me dije se e para vizitë zyrtare e kyeministrit dhe zëvendës kryeministrit të Malit të Zi do të jetë në Bruksel. Një vendim i tillë është marrë në takimin e të mandatuarit për përbërjen e qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiqi dhe kandidatit për zëvendëskryeministër, Dritan Abazoviq, me shefin e Delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Oan Kristina Pop. Me gjithë raportimet se Abazoviqi kërcënohet me jetë, në këtë takim ai as nuk e ka përmendur këtë si fakt e jo më ta shtronte si pikë bisedimi. Lëvizja Qytetare URA e vlerëson këtë marrëveshje si një shprehje të vullnetit politik për integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) dhe një partneritet edhe më të fortë midis Malit të Zi dhe BE-së.

URA njofton se ky bashkëpunim do të “intensifikohet menjëherë pas formimit të Qeverisë dhe fillimit të proceseve të rëndësishme të reformës, të cilat janë të nevojshme për Malin e Zi”.

I mandatari për krijimin e qeverisë së Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, i ka vlerësuar kërcënimet e bëra ndaj Dritan Abazoviqit si kërcënime kundër normalitetit dhe përparimit në Malin e Zi. Ai tha se autoritetet shtetërore duhet të marrin urgjentisht të gjitha masat për të mbrojtur shqiptarin, por edhe qytetarë të tjerë të Malit të Zi. “Mali i Zi nuk duhet të jetë më kurrë një vend në të cilin vihen në diskutim të drejtat themelore të njeriut”, shkroi Krivokapiqi në llogarinë personale në Twitter. “Kërcënimet ndaj Dritan Abazoviqit janë kërcënime për gjithçka normale dhe progresive në vendin tonë! Autoritetet shtetërore të marrin urgjentisht të gjitha masat e mbrojtjes së Abazoviqit, por edhe qytetarë të tjerë të vendit tonë”, shtoi më tej ai. Pretendimi për kërcënim me jetë është konfirmuar edhe nga zëra nga URA. Drejtori ekzekutiv i grupit parlamentar, URA, Zoran Mikiq, tha ditën e djeshme në një konferencë për shtyp se një klan rajonal kriminal dëshiron të rrezikojë jetën e politikanit shqiptar/BW.