Tiranë, 15 nëntor – Policia në qytetin italian Ravenë sekuestroi mbi 2,4 tonë marijuanë me prejardhje nga Shqipëria, që paraqet sasinë më të madhe të kësaj droge të sekuestruar deri tani në qytet.
Hetimet e zhvilluara nga karabinierët e komandës rajonale të Ravenës çuan në arrestimin e një 26-vjeçari italian, i njohur për forcat e rendit, e gjithashtu të 3 shqiptarëve, respektivisht 27, 53 dhe 21 vjeç.
Të gjithë u burgosen nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Sekuestrimi u bë i mundur pas një kontrolli territori. Një patrullë evidentoi një furgon që po lëvizte në zonën e Savios në drejtim të Ravenës.
Brenda furgonit u gjetën 2,4 tonë marijuanë, 62 kilogramë hashash dhe 4 kilogramë vaj hashashi. Autoritetet e cilësojnë këtë si një prej konfiskimeve më të rëndësishme në këtë territor. Policia u vu më pas në kërkim të personit të arratisur dhe pas një operacioni që rezultoi me të shtëna armësh e mobilizimin e disa patrullave e një helikopteri u vunë në pranga 3 shqiptare.
Siç bëjnë të ditur mediat italiane, hetimet vazhdojnë për të sqaruar prejardhjen e sasisë së drogës, edhe pse dyshohet për një zbarkim nga deti në Lido di Classe.