Prishtinë, 14 dhjetor – Gjendja në pjesën Veriore të Kosovës, e banuar me popullatë serbe, edhe krahas atmosferës së tensionuar e cila mbisundon gjatë këtyre ditëve në pritje të votimit të sotëm në Kuvend të formimit të Ushtrisë së Kosovës, sot në mëngjes është e qetë dhe nuk janë vërejtur kurrfarë problemesh, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Besim Hoti, për portalin “Gazeta Ekspres” deklaroi se policia i ka kryer detyrat e saj të rregullta dhe nuk pret kurrfarë problemesh.
“Është mirë dhe qetë, nuk ka kurrfarë problemesh. Situata është e qetë. Nuk presim të ndodhë diçka e padëshiruar. Policia është duke i zbatuar detyrat e veta”, deklaroi Hoti.
Sot në mëngjes pjesa veriore në qytetin e ndarë të Kosovës, Mitrovicë, u gdhi me flamuj të Serbisë, në prag të votimit të sotëm në Parlamentin e Kosovës për formimin e ushtrisë së Kosovës.