Shkup, 16 maj – Policia e Kosovës është në dijeni se ku ndodhet Afrim Ismailoviq, i akuzuari i dytë për vrasjen e pesëfishtë tek Liqeni i Smilkovës, i cili së bashku me të akuzuarin e parë Halil Demirin, nuk janë të kapshëm për autoritetet gjyqësore të Maqedonisë, zbuloi në seancën e sotme për lëndën “Monstra”, Agim Ismailoviq, vëllai i Afrimit.
Në pyetjen nga prokurorja Fatime Fetai se ku është vëllai i tij Afrimi, i akuzuari Agim Ismailoviq tha se është në Prishtinë. Ai tha se me vëllanë e tij ka kontaktuar përmes viberit, kur është lëshuar në liri.
“Policia e Kosovës është në dijeni se ku ndodhet vëllai im, ndërsa unë nuk e di adresën e saktë”, tha Ismailoviq.
Para gjykatës tha se qëndron në deklaratën që e ka dhënë para gjashtë vitesh – se nuk e ka bërë veprën për të cilën është akuzuar dhe nuk ndjehet fajtor.
Në fillim të seancës gjyqësore, prokurorja Fatime Fetai tha se PSP-ja e ndërmerr këtë lëndë kur Gjykata Supreme i hoqi aktgjykimet e gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë dhe lënda është kthyer në gjykim të sërishëm.
Fetai nga gjykata kërkoi që të akuzuarit të parë dhe të dytë t’u gjykohet në mungesë, sepse nuk janë të qasshëm. Derisa Fetai e lexonte aktakuzën, një pjesë e të afërmve të të vrarëve qanin në sallën gjyqësore.
Gjykimi për “Monstrën” sot filloi nga fillimi sepse lëndën e mori Prokuroria Speciale Publike.
Në sallën gjyqësore të pranishëm janë Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Fejzi Aziri dhe Sami Luta, si dhe të afërm të të vrarëve.