Omer XHAFERI
Shkup, 3 mars – Nuk kam lidhje me ngjarjet e “Lagjes së Trimave” aq më pak me ardhjen e Andi Krasniqit – Komandantë Malishevës natën mes 6 dhe 7 majit të vitit 2015, në shtëpinë time. Me këto fjalë, shtetasi i Maqedonisë, banor i fshatit Hotël, Kenan Iseni e filloi mbrojtjen e tij para Trupit gjykues në Gjykatën Penale të Shkupit, lidhur me aktakuzën e ngritur nga prokuroria për “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste”, shkruan gazeta KOHA. I akuzuari Iseni, gjatë rrëfimit të lidhjes së tij me pjesën tjetër të grupit të të akuzuarve, tha se Malishevën e njeh prej kohës së luftës së vitit 2001, ndërsa për herë të fundit e ka takuar në vitin 2002. Paraqitja e Malishevës me shokë në shtëpinë e tij për isenin dhe anëtarët tjerë të familjes ka qenë një befasi e madhe dhe e papritur, me çka i njëjti tha se madje është alivanosur, pasi grupi prej nëntë personash pjesërisht të armatosur i udhëhequr nga Turgaj Gashi dhe Fatlum Vishesella, pa paralajmërim janë futur në oborrin e tij. “Gjatë luftës së 2001, shtabi i Malishevës ka qenë i pozicionuar disa metra larg shtëpisë time, kështu që ne jemi njohur që në atë kohë. Mirëpo, unë fare nuk e kam pritur atë me shokë, me uniforma të zeza – me emblemën e UÇK-së, që të paraqitet në oborrin tim mbrëmjen e 7 majit. Pas hyrjes se këtyre personave në shtëpinë time, ka filluar kundërshtimi nga dy djemtë e mi të mëdhenj, me të cilët jam fjalosur, ndërsa nga Malisheva kam marrë premtimin se ditën e nesërme do të largohen nga aty. Brenda kësaj kohe, ato filluan duke i sqaruar arsyet e ardhjes në Maqedoni, me çka thanë se mos përmbushja e Marrëveshjes së Ohrit, montimi i rasteve politike gjyqësore ndaj shqiptarëve, e kështu me radhë… janë shkaku kryesor se pse ata kanë ardhur. Ndërsa, unë nuk i kam pyetur më tepër, por kam pritur që ta agojë dita dhe të njëjtit të largohen nga aty”, tha Iseni para gjykatëses Verka Petrovska, përcjell gazeta KOHA.
Memeti e di gjithë ngjarjen
Në përshkrimin e zhvillimeve të 8 majit, Iseni tha se Andi Krasniqi-Malisheva, gjatë asaj dite e ka kontaktuar Mirsad Ndrecajn, i cili ka qenë në Kumanovë, e prej të cilit ka kërkuar sigurimin e transportit nga fshati Hotël e deri në Kumanovë, me çka Mirsadi e ka njoftuar se pas pak do t’i dërgojë një veturë. Vetura, e cila brenda disa orëve është paraqitur në fshatin Hotël, dhe e cila ka pasur për qëllim transportimin e grupit të armatosur prej nëntë personash, të cilët sipas Isenit, vetëm gjashtë prej tyre kanë poseduar pushkë automatike AK-47 (kallashnikovë), është ka ndaluar rreth 30 metra larg shtëpisë së tij. Përpos shoferit, në këtë veturë, siç tha Iseni, kanë qëndruar edhe dy persona tjetër, njërit prej të cilëve e kishte njohur më herët, respektivisht sipas tij, bëhet fjalë për një inspektor të policisë me emrin Armend, por se mbiemri nuk i kujtohet.
Njoftimin e tij me këtë inspektor, Iseni tha se e kujton gjatë një procedurë për nxjerrjen e pasaportës në sektorin e Ministrisë për Punë të Brendshme në Kumanovë. “Inspektori Armendi, së bashku me një person tjetër të cilin e njoh si figurë, kanë trokitur në derën time dhe më kanë pyetur se a janë pjesëtarët e grupit brenda. Unë jam përgjigje se këtu janë dhe ai veti i dyti ka hyrë brenda edhe është takuar me pjesëtarët e grupit. Pasi është futur brenda, ai nuk ka fol shumë, por vetëm e ka lëvizur kokën edhe trupin, dyshoj se ka pasur ndonjë kamerë me vete. Dhe, pastaj më është drejtuar mua, duke më thënë që në shtëpi time grupin ta mbajë edhe një natë më tepër! Unë i kam thënë që nëse dëshiron, le ti marrë në shtëpinë e tij. Por, ai më është përgjigjur duke më thënë se nuk kam se pse frikësohem, kur një pjesë e madhe e policisë është e përfshirë në këtë rast”, potencoi Iseni. Në ndërkohë, ai shtoi se përpos Armendit (inspektorit të policisë), këtë rast në detaje e di edhe punonjësi tjetër i shërbimeve sekrete, Shenasi Mehmeti.
Gjatë kohës që Armendi ka qëndruar në shtëpinë e Isenit dhe është takuar me pjesëtarët e grupit, sipas rrëfimit të Kenan Iseni, anëtari i grupit Sevdail Miftari, ka dalë jashtë dhe ka biseduar me personin e tretë, më këtë rast shoferin, ndërsa për disa çaste është futur brenda dhe ka thënë se gjithçka çka bëhet është një lojë e thjeshtë. Në ndërkohë, Gashi dhe Vishesella, së bashku me Malishevën dhe anëtarët tjerë të grupit, janë larguar nga shtëpia e Isenit, dhe janë pozicionuar mbi fshatin Hotël, në njërën prej shtëpive të braktisura, gjegjësisht po atë ditë më 8 maj Malisheva e ka thirrur Iseni, dhe i ka kërkuar që të siguron transport deri në Kumanovë.
“Meqë më thirri Malisheva, unë u ngjita mbi fshat dhe ata kërkuar nga unë që të siguroj një furgon, mirëpo unë refuzova, ndërsa Turgaj Gashi doli prej kontrolle dhe më tha se: ose do t’ju gjej ndonjë transport, ose ai do t’i hy fshatit dhe në çdo shtëpi do ta marrë nga një anëtar. Përgjigja e tij dhe e Vishesellës ishte se ata kanë ardhur për të vdekur këtu. Kështu që, transportin nga Hotla deri në Kumanovë e kanë siguruar këta dy të fundit, unë nuk kam lidhje me këtë çështje, por vetëm i kam ndihmuar Malishevës, duke ja mbajtur një çantë deri tek ambulanca para ‘Lagjes së Trimave’, të gjithën në këmbë, duke ecur rreth 7 kilometra dhe më pas jam kthyer për në Hotël, rreth orës 2:45 pas mesnate”, tha Iseni, në vazhdimin e dhënies së dëshmisë. Seanca gjyqësore ka vazhduar me prezantimin e dëshmisë nga Fadil Fejzullahu, ndërsa më 7 mars pritet që para Trupit gjykues të rrëfehet i akuzuari Irfan Lutfiu.
Kur Armendi kërcënoi Isenin
Rreth orës pesë të mëngjesit më 9 maj të 2015, oborri i shtëpisë time në fshati Hotël u mbush me pjesëtarët e policisë. Prezencën e tyre e kishte vërejtur e shoqja, ndërsa pas pak ato u futën brenda dhe m’i lidhën duart me pranga. Kështu me vepruan edhe më fëmijët e mi. Kështu tregoi Kenan Iseni nga fshati Hotël, i cili po atë ditë, sërish ka takuar inspektorin e policisë, Armendin. “Pasi na kanë dërguar në Stacionin Policor në Kumanovë, edhe njëherë e kam takuar inspektorin Armendin, i cili më është kërcënuar duke më thënë se duhet ta mbylli gojën dhe mos të flasë se ai ka qenë në shtëpinë time ditë më parë”, theksoi Iseni. Duke u mbështetur në dispozitat ligjore të Ligjit për procedurë penale, i njëjtit në këtë fazë e lejon parashtrimin e pyetjeve edhe nga vetë të akuzuarit tjerë. Në këtë rast, Andi Krasniqi-Malieshava e pyeti Kenan Isenin, sepse nuk i ka paralajmëruar se personi i cili ka ardhur t’i transportojë për në Kumanovë, më datë 8 maj – ka qenë pjesëtar të policisë së shtetit. “Ardhja e tij (Armendit) në shtëpinë time ka qenë pas bisedës që e ke bërë t’i me Mirsad Ndrecajn. Unë e kam njohur se është polic, por unë nuk e kam thirrur atë. Në këtë drejtim, nuk kam dashur të fus huti në mesin tuaj, për arsye se kam menduar se i dini më mirë se unë veprimet që i bëni”, tha Iseni, në përgjigjen e tij drejtuar Malishevës. (koha.mk)