Omer XHAFERI
Shkup, i shkurt – Emigrantët e ndaluar të cilët gjatë vitit 2016 kanë qëndruar në Qendrën e pranimit për të huaj në Shkup (QPHSH), në mungesë të shujtave të rregullta të ushqimit nga institucionet kompetente, kanë qenë të detyruar që njëherë brenda javës ushqimin ta blejnë nga ana e nëpunësve policor, shkruan gazeta KOHA. Ky informacion dhe shumë të dhëna tjera janë përfshi në raportin vjetor të Shoqatës së juristëve të rinj të Maqedonisë (SHJRM), sipas të cilëve, personave të ndaluar në këtë qendër shpesh herë janë ankuar se nuk furnizohen me ushqim të rregullt, gjegjësisht shujtat që përbehen prej konservave dhe bukës ju jepen një apo dy herë brenda ditës. Gjatë intervistave dhe kontakteve që i kanë pasur me emigrantët e kësaj qendre, përfaqësuesit e SHJRM-së kanë qenë të njoftuar se detyrimisht u është imponuar blerja e ushqimit nga policia. “Mënyra e këtillë e zhvillimeve në këtë qendër është në kundërshtim me Rregulloren e rendit shtëpiak të QPHSH-së, ku thuhet se brenda një dite emigrantëve duhet t’ju jepen tre shujta ushqimi. Përpos këtyre vërejtjeve, personat e ndaluar në këtë qendër janë ankuar edhe për kushtet e pa përshtatshme sanitare, mungesa e pajisjeve higjienike, siç janë: sapuni e detergjentet e ndryshme, respektivisht në hapësirat ku kanë qenë të vendosur janë paraqitur insekte të llojllojshme, përfshirë edhe krevatet ku kanë fjetur”, thuhet në raportin e SHJRM-së, raporton KOHA. Pjesa dërmuese e emigrantëve, numri i të cilëve për vitin 2016 ka arritur 438 persona, siç theksohet në raport, kryesisht ka qenë e përbërë nga burra, ndërsa vetëm 10 për qind apo 40 persona, kanë qenë gra. Përveç se në raportin e SHJRM-së janë konstatuar këto shkelje, qytetarëve me prejardhje nga Pakistani, Afganistani, Irani, Siria dhe Moroko, përfaqësuesit e kësaj shoqate ju kanë ofruar këshilla juridike se cilat janë të drejtat e tyre për parashtrimin e kërkesave për azil, me çka para organeve gjyqësore përfaqësuesit ligjor të kësaj shoqate i kanë zhvilluar procedura për pranim të azilit. Gjatë prononcimit të mëtejmë për aktivistët e SHJRM-së, personat e ndaluar në QPHSH, kanë bërë të ditur se arrestimi i tyre është bërë në kohën kur i kanë shfrytëzuar shërbimet e trafikantëve, me çka janë lënë të lirë pas dhënies së deklaratës në procedurë penale, të cilën shteti e ka zhvilluar kundër trafikantëve të emigrantëve. “Në pjesën e parë të vitit të kaluar këta persona nuk kanë pasur vendim për ndalesë. Por, atyre u është ndarë një vërtetim për konfiskim të mjeteve. Pas intervenimit tonë dhe Avokatit të Popullit në gusht të vitit të kaluar, të gjithë të ndaluarve organeve përkatëse u kanë dorëzuar nga një kopje të vendimit për ndalesën e tyre. Kjo praktikë e funksionimit ka vazhduar deri në fund të vitit 2016. Megjithatë, problemi ka vazhduar të jetë prezent për arsye se emigrantët e ndaluar nuk kanë pasur mundësi ta kuptojnë përmbajtjen e këtij dokumenti, aq më pak nuk kanë pasur të dhëna për të drejtën e përfaqësimit apo të ankesës. Arsyeja e bazë e potencuar në këto vendime që i kanë ndarë institucionet shtetërore, thuhet se ndalesa është realizuar në bazë të nenit 12, paragrafi 2, i Ligjit për kontroll kufitar dhe se mbajtja e tyre bëhet me qëllim të vërtetimit të identitetit”, potencohet në raportin e SHJRM-së, të publikuar në fund të muajit janar. Pavarësisht se intensiteti i fluksit të emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme drejtë Evropës ka rënë, duke iu referuar raporteve nga aksionet e organizuara dhe kontrollet e zakonshme të policisë së Maqedonisë, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar një varg tentimesh për hyrje ilegale në territorin e vendit. Ruta ballkanike, e cila fillonte nga Greqia dhe kalonte nëpër Maqedoni, e vazhdonte drejtë Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, zyrtarisht është shpallur e mbyllur, por aktivitet dhe organizimet e trafikantëve me njerëz dhe emigrantë vazhdojnë të jenë prezent.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.