Vërejtjet më të mëdha të viteve të fundit si nga Avokati i Popullit, por në përgjithësi nga opinioni kanë qenë se Sektori për Kontroll të Brendshëm në MPB nuk e kryen punën e tij si duhet. Toleranca apo heshtja ndaj reagimeve të qytetarëve për punën e policisë shpesh herë kanë rezultuar me pasoja të rënda
Omer XHAFERI
Shkup, 21 shtator – Ditë më parë, një polic nga Manastiri kishte vra, dhe pastaj djegur kufomën e një bashkëqytetari i tij. Krimin ai e kishte kryer me armë zyrtare, kurse si nëpunës policie ai e ka keqpërdorur pozitën zyrtare për qërim privat të hesapeve. Siç ka raportuar edhe gazeta jonë, kjo ngjarje ka tronditur banorët lokalë për faktin se ara ndjehen të pasigurt në raport me sjelljet e policëve të cilët jo rrallë dinë të shkelin kodeksin e tyre profesional.
Në anën tjetër, edhe krismat me armë zyrtare në dasma dhe ahengje të ndryshme familjare , paraqesin një sekret publike, por që vazhdimisht anashkalohet nga organet e rendit të cilët mjaftohen vetëm me apele që këto evente të kalojnë në qetësinë maksimale, shkruan gazeta KOHA.
Gjatë këtij viti, MPB po ashtu njoftoi se disa pjesëtarë të njësitit ALFA e kanë keqpërdorur autoritetin e tyre zyrtar për zgjidhjen e problemeve familjare. Profesori i sociologjisë, Hasan Jashari, duke i komentuar rastet e tilla thekson se keqpërdorimi i autoritet policor në vendin tonë parqet një problem mjaftë delikat.
“Përderisa në shoqërinë tonë ka raste kur në mitingje zgjedhore festohet me automatik, në prani të ministrave dhe deputetëve, atëherë nuk duhet të presim shumë edhe nga administratorët apo nëpunësit e vegjël të MPB-së. Në këtë rast ne si shoqëri ballafaqohemi me një patologji sociale, e cila burimin e ka prej lartë, prej strukturave më të larta qeveritare, të cilët gjatë festimeve të tyre përdorin armatimin dhe nuk ndëshkohen. Iluzion do të ishte nëse ne presim disiplinë te zyrtarët e policisë, kur ajo mungon te eprorët e tyre”, thotë sociologu Jashari.
Procesi i seleksionimit të policive të ri sipas tij nuk duhet ti nënshtrohet ndikimeve politike, klanore dhe familjare. Vërejtjet më të mëdha të viteve të fundit si nga Avokati i Popullit, por në përgjithësi nga opinioni publik, kanë qenë se Sektori për Kontroll të Brendshëm në MPB nuk e kryen punën e tij si duhet. Toleranca apo heshtja ndaj reagimeve të qytetarëve për punën e policisë shpesh herë kanë rezultuar me pasoja të rënda. Degradimi në vend publik, rrahjet dhe zënkat e ndryshme janë vetëm disa nga shkeljet, të cilat pjesëtarë të policisë i kanë bërë në të kaluarën, por se procedimi i këtyre rasteve brenda policisë ka ndodhur pasi janë shkaktuar dëmet. Për gazetën KOHA nga MPB bëjnë të ditur se nga fillimi i vitit e deri kah mesi i shtatorit Sektori i për Kontroll të Brendshëm ka iniciuar 27 procedura për vërtetim të përgjegjësisë disiplinore.
”Lëndët disiplinore janë hapur për të konstatuar veprat penale apo ato për kundërvajtje, me elemente të dhunës apo njëkohësisht janë obliguar eprorët përkatës që personave në fjalë t’iu konfiskohen armët dhe municioni”, thonë nga MPB.
Ndryshe, edhe pse gazeta KOHA duke u mbështetur në zhvillimet e fundit kërkoi sqarim nga drejtuesit e policisë së shtetit se vallë në të ardhmen do të ashpërsohen kriteret për pranim të pjesëtarëve të ri, ata nuk u përgjigjen.
Megjithatë, prononcimi i tyre kryesisht lidhet me kompetencat ligjore që i gëzojnë pjesëtarët e policisë për mbajtjen e armës, gjegjësisht konfiskimin e tyre. Normat e ligjit për polici thonë se arma me municion do ti merret një nëpunësi, atëherë kur ndaj tij do të filloj procedura për kryerjen e veprës penale apo asaj për kundërvajtje. Një veprim i tillë i drejtuesve të policisë mund të ndodhë edhe atëherë kur ata pranojnë njoftime nga Qendra përkatëse për punë sociale, se një nëpunës policor ka marrë pjesë në dhunë familjare. Ndryshe, policia e shtetit nuk dispononme të dhëna se sa është numri i armëve ilegale që gjenden në duart e qytetarëve. (koha.mk)