Iu takon elitave politike e kulturore që distancën në mes të ideve dhe njerëzve ta reduktojnë në tema që e bëjnë më të shëndetshëm debatin publik. Pa këtë angazhim, distanca mes nesh jo vetëm që do të shkon duke u rritur, por ka rrezik që ajo të kompensohet me trajta të imponuara të mendimit e veprimit vasal
Nga Emin AZEMI
Titulli i këtij editoriali mund të tingëllojë paksa populist, por si i tillë tejkalon kurtuazinë semantike. Në kohën kur shoqëria shqiptare po shkon duke u polarizuar, jo për shkak të ideve, por për shkak të tekeve e inateve, në kohën kur e ardhmja matet në bazë të fjalëve e jo punëve të kota, është i domosdoshëm një debat konstruktiv, madje edhe për ide që në shikim të pare janë kontradiktore me njëra tjetrën.
Debati është thelbi i demokracisë, kurse demokracia shpërfaq gjithë mekanizmat vendimmarrës ku liria e shprehjes dhe e votës është “kaburanti” që i jep një shoqërie lëvizje dhe progres. Domosdoshmëria për të qenë i lirë e sovran në shprehjen e pikëpamjeve e ideve, do të duhej të ishte parakushti i të gjitha rrethanave që e bën një debat të shëndosh në rrafshin etik, shoqëror e profesional.
Në shoqërinë shqiptare në Maqedoni, të paktën, këto tridhjetë vite pluralizëm, ka pas një mal idesh që janë endur nëpër pëlhurën e hollë të mospajtimeve e përplasjeve. Madje edhe sot, jehona e këtyre mospajtimeve përvidhet në debatin publik dhe askush nuk di ta shpjegojë saktësisht se si është e mundur që një shoqëri me kaq punë të pakryera i del kohë të merret me punë të kota.
Në fushatën zgjedhore këtu te ne, që ka filluar para dy ditësh, po nxjerr sërish krye pyllnaja e pa krasitur e një debati që nuk prodhon kurrfarë progresi. Përkundrazi, mënyra si debatojnë aktualisht shqiptarët e politikës në Maqedoni, fitohet përshtypja se këtu kemi të bëjmë me një popull prej 250 milion banorë, ku secila krahinë ka specifikat dhe ngjyrimet e veta socio-psikologjike. Ambicia për të absorbuar rreth vetes kaq shumë vetëbegenisje dhe zelli për të refuzuar idenë e tjetrit, po bëhet një lajtmotiv fatpërcjellës i gjeneratave të tëra politikanësh të cilët po kaliten në garë të egër antagonizmash që assesi të gjejnë ndonjë pikëtakim dikund.
Një shoqëri, si kjo e jona, që ende vuan pasojat e transformimeve të papërfunduara sociale, kulturore e psikologjike, është luks i tepërt të ballafaqohet me një intensitet kaq të theksuar mospajtimesh të brendshme. Iu takon elitave politike e kulturore që distancën në mes të ideve dhe njerëzve ta reduktojnë në tema që e bëjnë më të shëndetshëm debatin publik. Pa këtë angazhim, distanca mes nesh jo vetëm që do të shkon duke u rritur, por ka rrezik që ajo të kompensohet me trajta të imponuara të mendimit e veprimit vasal.