Trajneri argjentinas i Totenhem Hotspur, Maurisio Poketino ka përfunduar në radarin e presidentit të Real Madridit, Florentino Perez. Skuadra angleze mposhti 3-1 Real Madridin në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, dhe kjo fitore ka parë Poketinon të dal në krye të listës së ngushtë të kandidatëve të Perezit për të pasuar trajnerin Zinedin Zidan në Real. Sipas tabloidit anglez “Daily Mail”, Perez ka një marrëdhënie të shkëlqyeshme me Poketinon, duke iu referuar atij si “Poch” kur dy skuadrat u takuan në Madrid dy javë më parë. “Unë kam shumë respekt për Florentinon. Jam i kënaqur nëse ndihet në të njëjtën mënyrë. Ai është gjithnjë miqësor ndaj meje”, ka thënë Poketino për “Radio Marca”.
Poketino gjithashtu i ka impresionuar tifozët e Realit duke deklaruar se kurrë nuk do mund të konsiderojë të punojë për Barcelonën për shkak të së kaluarës së tij me Espanjolin. Pavarësisht se Zidan fitoi shtatë trofe në 19 muajt e tij te “Mbretërit”, ka pyetje në lidhje me aftësinë e tij për të udhëhequr skuadrën e re që klubi ka mbledhur. Dhe këto dyshime u intensifikuan pasi Poketino i dha një mësim futbolli Zidanit në ndeshjen e mesjavës në “Wembley”. Në të vërtetë, pas kësaj, një editorial për gazetën spanjolle “Marca”, e cila është i afërt me Realin dhe Perezin, e ka quajtur trajnerin francez “të paditur”.