E ardhmja e Paul Pogba duket se do të jetë larg Manchester United duke filluar nga sezoni i ardhshëm, edhe pse francezi ka kontratë deri në vitin 2021 me “Djajtë e Kuq”. “The Sun” ka zbuluar se klubi anglez i ka kërkuar agjentit Mino Raiola që të takohen për të biseduar për rinovimin e kontratës. Mirëpo, sipas gazetës angleze, Pogba është i vendosur për t’u larguar dhe Raiola ka refuzuar të zhvillojë një takim për këtë temë me United.
Gazeta shpjegon se Pogba nuk ndihet mirë dhe nuk është i lumtur me atmosferën në dhomat e zhveshjes. Për më tepër, që 26-vjeçari nuk është i bindur për të ardhmen me një trajner si Ole Gunnar Solskjaer. Pak ditë më parë në media u shkrua se Pogba i ka vënë në dijeni drejtuesit e klubit se do të largohet në fund të sezonit, teksa Real Madridi është objektivi kryesor për të ardhmen e tij, por nuk përjashtohet as një rikthim tek Juventus.