Evis HALILI
Shkup, 21 mars – Pa kritikë letrare dhe sistem të verifikuar vlerash, rrugëtimi i librit nga krijuesi tek lexuesi bëhet gjithnjë e më i vështirë, sidomos për zhanrin e veçantë, atë të poezisë. Kështu pohojnë poetë e krijues në Ditën Botërore të Poezisë – 21 marsin, që në Shkup e qytete të tjera është shënuar me aktivitete të ndryshme, shkruan gazeta KOHA.
Pa kritikë të mirëfilltë nuk mund të bëhet klasifikimi aq i nevojshëm i vlerave krijuese poetike dhe ai diferencim i domosdoshëm i emrave të përveçëm që shënojnë referencë origjinaliteti dhe kreativiteti, pohojnë krijuesit. Duke sjellë në disa raste atakimin nga shfaqjet banale e krijime diletante që kanë theksuar fytyrën e mërzitshme të saj. Poeti Bardhyl Zaimi thotë se do të ishte vonuar receptimi i Lasgush Poradecit si poet par exellencë, sikur për poezinë e tij të mos shkruante shkrimtari Mitrush Kuteli, i cili tashmë njihet se ndër kritikët e parë në kritikën letrare shqipe. Të njëjtën gjë bënte edhe Konica me “Kohëtoren e letrave shqipe”.
“Nga këto dy shembuj dhe të tjerë nga tradita jonë letrare, ne mund të kuptojmë rëndësinë e institucionit të kritikës si një pikëmbështetje e domosdoshme në krijimin e hierarkisë së vlerave. Fatkeqësisht, ky trekëndësh semantik është fragmentar në ambientin letrar shqiptar. Poezia sot, këndohet në heshtje, e pavërejtshme, por pa diskutim me emra të fuqishëm që i bëjnë nder letërsisë shqiptare dhe letërsisë përgjithësisht. Është pikërisht kritika letrare ajo që vë në spikamë vlerat e një letërsie. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit ka munguar kritika letrare, me shumë pak përjashtime. Realisht, sistemi i komunikimit letrar e njeh këtë trekëndësh semantik, krijues-kritikë letrare-lexues, si një mundësi për të komunikuar me një vepër letrare, me letërsinë përgjithësisht”, thotë për KOHA, Zaimi. Por, fatmirësisht, shton ai në gjithë këto rrethana, janë kultivuar dhe kanë reflektuar shpirtra të veçantë, autorë origjinal që me krijimet e tyre tashmë kanë e kanë vendosur poezinë në piedestalin që e meriton.
Meqë është e kaq rëndësishme për një popull e për një gjuhë, poezia duhet ta ketë mbështetjen e domosdoshme institucionale dhe në këtë pikëpamje poetja Lindita Ahmeti thotë se duhet veçmas të stimulohet kritika letrare përmes së cilës mund të bëhet klasifikimi aq i nevojshëm i vlerave krijuese poetike. Po ashtu poezia ka nevojë t’i jepet hapësirë më e madhe nëpër shkolla, fakultete dhe institute të letërsisë. Natyrisht edhe në media.
“Për fat të keq, poezia tek ne nuk vlerësohet nga ana e atyre faktorëve shtetërorë të cilët duhet t’i mbështesin artet. Megjithatë, kush e ndal poezinë në gjuhën shqipe? A ndalet lumi malor? Nga rrjetat sociale shihet se kemi prodhim të madh në poezi, që do të thotë se rrjedha e traditës vazhdon. Sigurisht, e gjithë ajo poezi që del në rrjetat sociale, në portale e në shtyp nuk i përmbush kriteret e poezisë së njëmendët. Një pjesë e vogël e saj radhitet në ato që konsiderohen vlera të vërteta letrare. Po edhe në këtë pjesë ‘të vogël’ ka mjaft poetë të mirë”, shton poetja Ahmeti. Një tjetër problem me të cilin haset jo vetëm poezia, por edhe letrat në përgjithësi është periudha e komunikimit elektronik, e cila po zvetënon rëndësinë e fjalës së shkruar. Kështu pohon pedagogu i letërsisë në Universitetin e Tetovës, Arlind Farizi. Sipas tij, “kultura e telefonizimit”, e ka transformuar qëllimin e komunikimit nga “kërkim për letërsinë për librin”, pasi telefoni mbetet një transmetues i thjeshtë i mesazhit apo informacionit, por jo dhe kënaqësisë së të lexuarit të librit, poezisë.
“Çdo zhvillim në teknologjinë informative nënkupton një hap më tej në zhvillimin e qytetërimit. Zbulimi i radios dhe televizionit përshpejtoi këto procese, kurse me shfaqjen e kompjuterit faktikisht filloi një tjetër qytetërim, ai i librave elektronik në formë CD-sh. Sot gjendemi në periudhën kalimtare ndërmjet kulturës së bazuar në fjalën e shkruar, që filloi me ndërtimin e shtypshkronjës dhe kulturës së bazuar në mediumet audio-vizuale. Tani gjithnjë e më shumë bie rëndësia e fjalës së shkruar, që zëvendësohet me komunikimin elektronik”, thotë për KOHA, Farizi.
Në Ditën Botërore të Poezisë në Shkup dhe qytete të tjera janë zhvilluar disa aktivitete që synojnë nxitjen e leximit, poezisë, ndërsa në Akademinë e Shkencave dhe Arteve u shpall fituesi i Kurorës së Artë të Mbrëmjeve poetike të Strugës. Poeti polak Adam Zagajevski është nderuar me këtë çmim në edicionin e 57 të këtij manifestimi që zhvillohet në muajin gusht. (koha.mk)