Poezia është një mrekulli, është një magji…

Delvina KARLUKU

Lindita Ahmeti (1973 Prizren, Republika e Kosovës). Shkollën fillore, gjimnazin dhe studimet për filologji klasike (Instituti për studime klasike pranë Fakultetit filozofik) i mbaroi në Shkup. Ka botuar shtatë përmbledhje me poezi: “Mjedra dhe bluz”, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1993; “Ishulli Adular”, “Shkupi”, Shkup, 1996; “Brezi i Zonjës”, “Arbëria design”, Tetovë, 2000; “Vetë përballë Erosit”, “Brezi 9”, Tetovë, 2004; “Lulja Alba” (përzgjedhje) “Toena”, Tiranë, 2008; “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim”, Portalb, dritare realiteti, Shkup, 2015 dhe “Dhoma pa derën dalëse”, Logos A, Shkup, 2015

Katër përmbledhje të saj poetike janë përkthyer në gjuhën maqedonase e një në bullgarisht. Ka fituar disa çmime letrare për veprat dhe poezitë e saj: Çmimi për librin më të mirë të botuar në gjuhën shqipe në Maqedoni për përmbledhjen Mjedra dhe bluz (1993); Çmimi për poet më të mirë në gjuhën shqipe nga ana e Pen-it shqiptar në Tiranë (2013); Çmimi Qiriu i Naimit për vjershën më të mirë, të cilin e ndan Festivali poetik “Ditët e Naimit” në Tetovë; Çmimi Milingona e artë për arritje në botimet shkencore e artistike me librin Mështeknaja e babait, me mallëngjim (2015) Përveç kësaj, ajo është përfshirë në disa antologji poetike dhe mjaft zgjedhje poezish e vjersha të veçanta janë botuar në gjuhët e sllavëve të jugut, në spanjisht, gjermanisht dhe anglisht. Lindita jeton në Shkup.

KOHA: Poezia, thonë, është një realitet shpirtëror, por që është i pashkëputshëm nga realiteti objektiv. Si e shihni ju poezinë në këtë kontekst?

AHMETI: Po, poezia është një realitet shpirtëror, një produkt i magjishëm i shprehur përmes një gjuhe të zgjedhur, por ju keni të drejtë kur thoni se ky realitet është i pashkëputshëm nga bota që na rrethon. Por, poezia është një art që kërkon organizim të përsosur dhe, natyrisht edhe të ndërlikuar. Këtu domosdoshmërisht gërshetohen në mënyrë të përsosur ideja e poetit me ndjenjën ose të themi, pse jo, mendimi me muzën. Kuptohet realiteti objektiv nuk mund të hyjë në varg i tillë siç është, real, por vjen si gjurmë e mbetur në trurin tonë e cila, pastaj, “prarohet” në kujtime dhe buron si ndjenjë fisnike e derdhet në vargje. Për t’i lidhur të dyja këto anë, dy “realitetet”, atë shpirtëror dhe atë objektiv, për të cilat më pyesni, poetit i duhet një punë jo e lehtë. Duhet këtu të zgjidhen e të renditen figurat letrare dhe mjetet tjera poetike e gjuhësore. Është, pra, një mori gjërash që ndërlidhen në krijimin e poezisë. Poezia është një mrekulli. Është një magji. Është ana tjetër e pasqyrës ku fillon tregimi i Lizës nga Bota e çudirave. Mos të harroj: do të shtoja se organizimi nuk është skematik. Poezia nuk i duron skemat. Ajo është punë individuale.

KOHA: Si kanë ndikuar natyra me mrekullitë e saj dhe mjedisi shoqëror ku u formuat në krijimtarinë tuaj?

AHMETI: U rrita dhe jetën po e kaloj në një vis mes të së cilit qëndron Mali Sharr. Në të dy anët e këtij mali madhështor i kam qytetet më të dashura. Në një anë është Prizreni, vendlindja ime dhe vendi ku i kam kaluar vitet e para të fëmijërisë, në anën tjetër është Tetova, vendlindja e Babit tim dhe vendi ku i kaloj çastet më të mira tash. Ky rajon është një vend i cili dallohet me blerimin e pasur, me bimësi të pasur, është një vend që menjëherë të lë mbresa të pashlyeshme me pamëninë e papërshkrueshme. Mendoj se, ambienti me Prizrenin e Tetovën nuk e lë indiferent asnjë njeri. Aq më pak poetin. Këtu edhe njerëzit janë disi “më poetikë”. E si mund të mos ndikohem nga këto rrethana?!

KOHA: A kanë arritur notat magjike të këngës popullore ta prekin me ndonjë impuls vargun tuaj?

AHMETI: Gjithsesi. Kur nuk mund të largohen notat e këngës popullore nga krijimtaria, sepse ato strehohen në vetëdijes e deri në thellësitë e ndërdijes. Kur poeti merr të shkruajë, ai doemos, edhe pavetëdijshëm, ka njëfarë relacioni me fuqinë krijuese të gjenisë popullore. Kush mund ta anashkalojë, ta zëmë, këngën N’drrasë të vekut kush po kjan..?

KOHA: Po mitologjia? Atë e shohim dendur në tërë krijimtarinë tuaj, pra në të gjashtë përmbledhjet që keni botuar deri më tash? Si do ta shpjegoni rrezatimin e miteve në poezi?

AHMETI: Marrëdhëniet midis mitologjisë dhe letërsisë e kanë zanafillën shumë larg, që nga koha e Jo Kohës, siç e emërton Mirçe Elijade kohën paramitologjike. Ato shkojnë gjithmonë së bashku. Nuk ndahen, do të kisha thënë. Dhe, lënda e parë e letërsisë antike, në pjesën dërmuese të saj, përbëhet prej mitit, i cili, si dje edhe sot e kësaj dite mbetet pjesë e rëndësishme e komunikimit kulturor të njerëzve. Përmes tij bëhen shpjegime të ndryshme alegorike të dukurive shoqërore. Për rëndësinë e mitit më duhet ta përmend studiuesin e njohur Shelingun i cili jep shpjegime shumë të qëlluara lidhur me raportet e mitologjisë dhe arteve. Në pikëpamjet e këtij dijetari mitologjia ka vend qendror në letërsi dhe ai e mbron qëndrimin se qeniet mitologjike kanë për artin po atë rëndësi të cilën e kanë për filozofinë IDETË e Platonit. Kështu edhe mitologjia bëhet edhe vetvetiu poezi, madje poezi e natyrshme ose absolute e njëherësh edhe lëndë dhe element i poezisë, siç do të kishte thënë teoricieni i madh i letërsisë Meletinski. Siç po shihet, nuk ka “shpëtim” nga miti, aq më shumë për mua që jam filologe klasike. Mendoj se miti është një dorë e sigurt e ndihmës për metaforat dhe simbolet të cilat janë shpirti i poezisë.

KOHA: Në poezinë tuaj vërehen, ose do të kisha thënë unë, dëgjohen disa tone të largëta pikëllimi që përjetohen si jehonë që vjen nga një kohë e shkuar e cila ka qenë e ngarkuar me halle të mëdha. A mos janë këto gjurmë klithmash që arrijnë në poezinë tuaj nga fëmijëria e vështirë apo…?

AHMETI: Fëmijëria është një kohë kur regjistrohen çastet e vështira, por edhe të lumtura të njeriut. Fëmijëria ime i ka pasur të dy këto pole në shuma të bollshme. Fatkeqësisht në fëmijërinë time dominojnë hallet e vështirësitë. Nëse këtyre ua shtojmë edhe elementin e nostalgjisë për fëmijërinë që ikën shpejt, do të pajtohem me ju se kemi të bëjmë me disa tone të largëta pikëllimi që vijnë si jehonë në ato kohë dhe strehohen në vargjet e mia.

KOHA:Të flasim edhe pak për fëmijërinë dhe rininë… Shkollën fillore, të mesmen e fakultetin… Sa vend mund të gjejnë këto vite në laboratorin tuaj krijues? E kam fjalën edhe për kujtimet nga ato ditë, por edhe për ndikimin që ka pasur shkolla për përcaktimin tuaj të bëheni poete?

AHMETI: E thashë, kam pasur një fëmijëri me halle, sepse familja ime është ballafaquar me presione nga ana e pushtetit të atëhershëm, por ajo kohë e fëmijërisë më ka falur edhe plot çaste lumturie, sepse kam qenë e rrethuar me dashurinë e babait, të nënës dhe prindërve të saj, pra gjyshit dhe gjyshes dhe anëtarëve të kësaj familjeje të dashur. Kohën e shkollimit për të cilën po më pyesni do ta kisha përshkruar shkurt: kohë e leximit intensiv. Sa i përket ndikimit nuk mund të them se shkolla ndikoi në punën time letrare. Te unë ka ndikuar, në radhë të parë, familja, natyrisht pas dashurisë që kam pasur vetë për letërsinë, për leximin, sepse unë jam rritur në një familje ku vazhdimisht flitej për letërsinë, në një shtëpi muret e së cilës kanë qenë plot libra, pra ka qenë gjithmonë një shtëpi – bibliotekë.

 

KOHA: Çfarë do të na thoni për vendlindjen? Çfarë vendi zë ajo në ëndrrat tuaja?

AHMETI: Thashë diçka më lartë për vendlindjen. Po shtoj se vendlindja ime është madhështore, siç është edhe ana tjetër e këtij peizazhi të veçantë – vendlindja e babait tim, dy vende me peizazhe të rralla. Por, sa është me rëndësi pamja madhështore e maleve, po aq kanë rëndësi edhe ato gjërat e imta që e bëjnë këtë vis, gjërat që nuk i shohim në përditshmërinë tonë të dhënë pas luftës për ekzistencë, gjërave “të padukshme”, më mirë do të kisha thënë, gjërave që nuk ua vëmë mendjen, që nuk i vërejmë ndonëse orë e çast kalojmë pranë tyre. Bie fjala një lule në plasë të shkëmbit, një thnegël, një xixëllojnë, një fije bari, një garroq në dru, një burim, një shkëmb. I dua këto “gjëra të imta” sepse të gjitha e bëjnë mozaikun lirik të vendlindjes, i dua sepse janë gurë që e bëjnë mozaikun e veprës sime, i dua sepse janë gurët që e bëjnë mozaikun e bukur të ëndrrës sime. Është ajo shija e vendlindjes që vetëm ndjehet e shijohet e që nuk përshkruhet.

KOHA: Poezia juaj synon gjithmonë dritën, por vazhdimisht nëpër të bie në sy kacafytja me erebin? Me një fjalë kemi të bëjmë me vështirësitë të cilat na i sjell jeta. Besoj se nga vështirësitë e jetës disa lodhen, të tjerët forcohen… Ju ku bëni pjesë?

AHMETI: Çdo poezi e mirë e synon dritën. Ekzistenca e njeriut, më mirë të themi qëllimi jetësor, është drita si metaforë. Që të dilet në dritë, natyrisht, nuk është punë e lehtë dhe disa në këtë rrugëtim të mundimshëm lodhen, kurse disa forcohen. Besoj se mua më ka forcuar ky udhëtim.

KOHA: Buzëqeshja është e pranishme gjithmonë te ju?

AHMETI: Kur më pyesni për buzëqeshjen më kujtohen poetët si Bodleri dhe Remboja…

KOHA: Pse jeni përcaktuar të merreni me filologji klasike?

AHMETI: Në vend të përrallave im atë më së shpeshti m’i rrëfente mitet antike kur isha fëmijë, ku perënditë dhe heronjtë e krijesat e ndryshme mitike enden lirshëm, si njerëzit. Shumë shpejt kjo botë mitike plot situata pasionante e ndezi kërshërinë time. Perënditë e heronjtë, bëmat e tyre, njerëzit e kohës antike, dramat, pastaj krijesat tjera mitike edhe transformimet, i gjithë ai kozmos zuri vend të rëndësishëm në ëndrrën time. Pastaj epika, Iliada dhe Odiseja, më në fund, më bënë plotësisht për vete dhe unë, duke i pasur edhe informacionet tjera nga im atë dhe nga librat e lexuar, u regjistrova në Institutin për filologji klasike pranë Fakultetit filozofik në Shkup. Kështu unë u gjeta në shtegun e gjuhëve dhe kulturave monumentale helene dhe romake, e entuziazmuar se do të njihesha më për së afërmi me letërsinë antike dhe do të depërtoja më thellë edhe në lirikën, dramaturgjinë, filozofinë dhe prozën antike, një trashëgimi që është themel jo vetëm i civilizimit evropian, por edhe i atij botëror. Është kënaqësi e llojit të vet të gjendesh para një sfide të këtillë që do të thotë: jo vetëm t’i lexosh këto vepra, por edhe t’i studiosh dhe t’i përkthesh ato.

KOHA: Poezia juaj është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Sa i rëndësishëm është përkthimi i poezisë sot?

AHMETI: Për përkthimin e poezisë do të isha thirrur te një autor francez Z. Malaplat, i cili thotë: “Në qoftë se letërsia botërore paraqet një tërësi, atëherë kjo ndodh, në radhë të parë, në saje të përkthyesve. Vetëm një numër i vogël lexuesish është në gjendje ta vlerësojë tekstin letrar në gjuhën e huaj, kur e kemi parasysh njohjen e dy, tri ose më shumë gjuhëve. Ndryshe ky numër zvogëlohet deri në zhdukje”, shton ky autor. Nisur nga ky fakt përkthimi i poezisë, dhe jo vetëm i saj, jo që është i rëndësishëm, them unë, por është i domosdoshëm.

 

KOHA: Krijimtaria juaj është përfshirë në shumë antologji. A ju jep shtytje që të vazhdoni të shkruani?

AHMETI: Natyrisht më vjen mirë kur poezia ime përfshihet nëpër antologji të ndryshme, sepse kështu vlerësohet puna ime. Për shtytje, s’e di… Poezinë unë e dua, ajo është jeta ime, prandaj nuk mund të ndahem prej saj, madje edhe sikur mos të përfshihem nëpër antologji, unë përsëri do ta kisha fatin të lidhur me letërsinë.

KOHA: Cila është fuqia e poezisë sot?

AHMETI: “Poezia po i afrohet fundit të saj. Ajo tash po mbaron”… Kështu thotë kritiku dhe poeti Zhan Mishel Malfua në librin e tij me ese Lamtumirë poezi (Adieu au poeme). Qëndrimet kritike të këtij autori nuk janë të vetmuara, mirëpo shumica e autorëve që merren me studimin e poezisë janë të vendosur në mendimin e tyre se poezia është princesha e artit të fjalës. Pra poezia vazhdon të jetë një nga artet e rëndësishme dhe pjesë me peshë për identitetin e çdo populli. Këtë e dëshmojnë tash edhe rrjetat sociale të cilat “vlojnë” nga vargjet.

KOHA: Çfarë mendoni për traditën letrare në dialektin e veriut dhe çfarë mendoni për poetët që shkruajnë edhe sot në këtë dialekt?

AHMETI: Tradita letrare në dialektin e veriut paraqet një fond të paanashkalueshëm të letërsisë shqipe. Në këtë dialekt kanë shkruar kolosët si: Migjeni, Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Ernest Koliqi, Esat Mekuli, Martin Camaj, e të tjerë. Pa këtë pasuri nuk do ta kishim universin poetik shqiptar të plotë, nuk do ta kishim atë pasuri të madhe letrare që është krijuar që nga Formula e Pagëzimit e Buzuku deri më sot, pa këtë fond letërsia shqipe do të kishte qenë shumë më e varfër. Mendoj se poezia mund dhe duhet të vazhdojë të shkruhet edhe në këtë dialekt. Ky dialekt duhet të kultivohet në letërsi në përgjithësi. Ka disa poetë që kanë bërë punë të mirë në poezinë e shkruar në dialektin e veriut. Do t’i veçoja dy poete që po bëjnë punë të mirë duke krijuar në këtë dialekt: Ledia Dushi dhe Donika Dabishevci e disa të tjerë. Megjithatë nuk do të kisha dashur të ketë keqkuptime dhe krijimtaria letrare të ngatërrohet me gjuhën e standardit. Kjo e fundit është gjuhë e komunikimit publik dhe ajo duhet të respektohet sepse është e sanksionuar me ligj. Ndërkaq, letërsia nuk mund të kufizohet me ligj dhe me rregulla. Ligji i vetëm i letërsisë është liria.

KOHA: Cili është mendimi juaj për zërin e heshtur të femrave shqiptare në kulturë? A gabojnë ato?

AHMETI: Nuk ka dyshim se zëri i femrës shqiptare në kulturë duhet të dëgjohet, sepse sot ka një numër të konsiderueshëm intelektualesh të njohura në mjediset tona. Mendoj se po të heshtin, ato do të kishin gabuar. Duhet të flasin, t’i shtrojnë idetë e tyre publikisht, t’i sheshojnë rezultatet e punës së tyre krijuese, duhet ta kenë statusin shoqëror që e meritojnë, ta ngrenë zërin për të vërtetën e pozitës së popullit tonë këtu, mirëpo unë nuk i mbështes fare ideologjitë e ndryshme feministe, sepse mendoj se janë kontradiktore, madje-madje edhe ekstremiste dhe si të tilla më shumë mund të bëjnë dëm sesa të sjellin ndonjë dobi për realizimin e idealeve të femrës shqiptare.

KOHA: Kush është heroi i Linditës?

AHMETI: Ka shumë njerëz që më duan dhe që i dua, që më respektojnë e që i respektoj. Ka edhe të tillë që i adhuroj, po një është që unë e veçoj nga të gjithë – ai është im atë. Të them se e respektoj është pak, pak është të them edhe se e dua, për shkak se ai është një njeri i jashtëzakonshëm, një personalitet që i ka të gjitha vlerat, i durueshëm, i qetë, punëtor, i buzëqeshur. Vetëm ai i ka përballuar të gjitha sfidat e mia më shumë se të vështira që i kam pasur në jetë, ai m’i ka hapur shtigjet jetësore, ai më ka bërë ta dua librin, pra ai ka qenë dhe është mbështetje vigane imja gjithmonë e në çdo situatë. Ai ka qenë dhe është HEROI im. Babi im. Të cilin gjithë shoqëria ime e quan HEROI im.

KOHA: Çfarë këshille keni për shkrimtarët e rinj?

AHMETI: Nuk kam ndonjë këshillë, sepse letërsia është punë individuale dhe secili duhet ta kërkojë dhe ta gjejë vetë shtegun e vet në udhëtimin krijues nëpër hapësirën e bukur të letërsisë.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.