Kapilarizimi i kësaj avarie mendimi në gjithë hapësirën publike, po e ushqen gjithnjë e më tepër dinozaurin e politikbërjes së keqe, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë
Nga Emin AZEMI
Në Kosovë po ndërtohet një narrativ shumë i çuditshëm. Në njërën anën publiku bombardohet me skenarë konspirativ për copëtimin Kosovës, kurse në anën tjetër – mungojnë idetë për ta bërë atë më të dinjitetshme për të jetuar.
Janë nja dy, tre gazetarë, të cilët më tepër po kryejnë punën e zëdhënësve të oborreve politike, se sa që kryejnë misionin e tyre profesional. Nga goja e tyre njeriu dëgjon lloj-lloj planesh sekrete mbi atë se si do të duket Kosova në të ardhmen. Është bërë madje shprehi e kudondodhur nëpër mejhanet e Prishtinës që muhabeti i parë të filloj me këto plane. Pihet kafja, nxirren shtëllungat e tymit dhe bashkëbiseduesi në cepin tjetër të tavolinës të shikon me dylbitë e politikës. Gjithçka duket mjegull, sa nga tymi i duhanit, po aq edhe nga efektet e planeve konspirative që shpërndahen nëpër studio televizive.
Tirana është bërë një arenë konkurruesish pa kriter në debatin shterp që Kosovën e Shqipërinë i nxjerrin në dimensionet ireale të kohës. Njeriu e ka vështirë të dëgjojë ndonjë folës me logjikë esull, sepse zukama e “analizave” të shumta që zhurmërojnë eterin po e mbyt edhe atë pak zë racional që ka mbetur skutave të (mos)vëmendjes publike.
Mbindërtimi i narrativit për Kosovën në gazetarinë shqipe po bëhet me tulla të huazuara nga uzinat e braktisura të mendësisë pa sens e pa takt. Zëdhënësit e oborreve të ngushta politike po dalin të jenë më të informuar se vet institucionet legale të Prishtinës dhe Tiranës, ndërkohë që ata vazhdojnë ta shesin shtrenjtë injorancën e tyre të paketuar me konspiracion. Mos u habitni nëse ata i shihni të ndërrojnë anën, sepse ata sot janë me njërin, nesër janë me tjetrin politikan. Krejt kjo varet nga sasia e taxhisë që e konsumojnë, bashkë me ujemin e mjerimit intelektual e moral që politikanët e posedojnë me bollëk.
Është e vështirë të tangetohet rezoni i shëndosh brenda kësaj logjike kontroverse që po e instalojnë këta “podoficira” të mendimit publik. Kapilarizimi i kësaj avarie mendimi në gjithë hapësirën publike po e ushqen gjithnjë e më tepër dinozaurin e politikbërjes së keqe, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë.
Folës të kontraktuar që përsërisin tezat e tyre, pa thënë asgjë të re, nga java në javë dhe lënia anash e emrave të tjerë nga bota akademike dhe e mediave, në Tiranë e Prishtinë, është inxhinieringu më bizar që po i ndodhë gazetarisë sonë, sidomos asaj televizive. Për rrjedhojë ky tip gazetarie po ndërton narrativin që i konvenon politikës së keqe për të cilën ata bëjnë argatllëk, ndonëse argatët më të mjerë të këtij biznesi po del të jenë politikanët me nuhatje të prishur për sa i përket projektimit të strategjive mediatike e propagandistike. (koha.mk)