Pochettino: Nëse fitoj Champions-in, ndoshta do të qaj një javë radhazi!

Trajner i “Spurs” që nga vitit 2014, argjentinasi 47-vjeçar nuk e ka fituar ende një trofe të madh europian, si lojtar dhe trajner. Sidoqoftë, ai është i vendosur ta shfrytëzojë maksimalisht rastin që i jepet më 1 qershor, kur skuadra e tij do të sfidojë Liverpool-in në finalen e Ligës së Kampionëve, për këtë edicion. Po çfarë do të thotë ky “stacion” në karrierë për të? Mauricio Pochettino përgjigjet:

“Unë mendoj se kjo do të thotë të jesh në krye të futbollit botëror, në një pozicion që jo shumë të tjerë e kanë përjetuar. Ne qëndrojmë me këmbët në tokë, gjithsesi, sepse kemi një finale përpara. Kemi bërë kaq shumë përpjekje për të arritur deri këtu, e kemi shijuar çdo moment dhe mendoj se kjo është ajo, që ne përfaqësojmë si klub. Mbërritja në finalen e Champions-it është e vështirë të përshkruhet me pak fjalë, ose në pak minuta.

Është diçka, në të cilën ende nuk jemi zhytur plotësisht. Ne mund ta kuptojmë atë plotësisht kur të jemi në Madrid dhe loja të fillojë. Atëherë do të kemi një kuptim më të mirë për finalen. Ndjenja mbizotëruese në stërvitje është tejet pozitive. Ne i jemi mirënjohës futbollit për klubin dhe mbi të gjitha për lojtarët”.

Trajneri, me këtë rast, i konsideron heronj lojtarët që stërvit dhe mundësuan këtë sukses: “Ne e kemi shijuar çdo moment të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve. Çdo ndeshje ka qenë si një finale për ne, ashtu i kemi luajtur dhe festuar. Kemi punuar fort për objektivin tonë përfundimtar dhe në sajë të përpjekjeve të lojtarëve jemi në finalen e Ligës së Kampionëve”.

Megjithatë, a ishte objektiv në fillim të sezonit, arritja në finalen e Championsit? Pochettino tregohet i sinqertë: “Sigurisht jo, por duhej të fitonim çdo ndeshje që kishim përpara, të kalonim çdo pengesë, të bënim përpjekje të mëdha. Me rëndësi ishte të bënim gjithçka mundeshim, sepse në futboll vendos edhe fati. Fatmirësisht, falë forcave tona arritëm diçka të mrekullueshme”.

47-vjeçari tregon edhe vlerat e tij kryesore, që e udhëheqin në futboll: “Pasioni është gjëja kryesore. Futbolli që ne të gjithë duam vjen nga emocioni dhe pasioni. Futbolli na frymëzon dhe na ngacmon. Është një gjë pozitive, nëse ke në dispozicion lojtarë profesionistë dhe të talentuar. Për mua, gjëja më e rëndësishme është të jesh i frymëzuar nga ajo që do të arrish, të kesh një shtysë të brendshme për të ecur përpara.

Kjo është ajo, që të ndihmon të shijosh atë që bën çdo ditë. Pastaj, kjo shtysë të ndihmon të përcjellësh idetë tuaja te klubi, stafi dhe lojtarët. Gjithkush duhet të ndihet pjesë e këtyre ideve, të gjithë duhet të jenë në gjendje të bëjnë sugjerime dhe të ndiejnë se po marrin pjesë në implementimin e tyre. Vetëm kështu mund të bëjmë hapa përpara, të dalim nga zona jonë e rehatisë dhe të gjejmë stimuj të rinj”.

Finalja e Champions-it është arritja më e madhe në karrierë për argjentinasin, si futbollist dhe trajner, ndaj emocionet janë të rralla e të shumëfishta: “Nëna më thotë: Je një “llorón”, që në spanjisht do të thotë “qaraman”. Ajo më thotë gjithnjë: Kur je i lumtur, qan, kur je i trishtuar, qan. Hajde tani, bëhu burrë dhe mos qaj më! Ndonjëherë ndodh që marr makinën për në shtëpi, e cila është 20 minuta larg nga qendra stërvitore e Tottenham, dhe dëgjoj muzikë.

Teksa e lidh atë me momente të jetës sime, nis të qaj. Dhe kur shkoj në shtëpi, gruaja më pyet: Çfarë ka ndodhur? I them: Muzika më kujtoi një moment të 30 viteve më parë në Argjentinë. Dhe ajo më kthehet: Ti je i çmendur. Filmat? Po, qaj edhe me to. Qaj me gjithçka. Nëse do të fitojmë Ligën e Kampionëve, nuk e di, ndoshta do të qaj për një javë rresht”.