Trashëgimia e Dibrës dhe dibranëve është zhdukur në kontinuitet. Monumentet kulturo-historike të cilët kanë qenë të shumta, sot mund të numërohen në gishta. Prandaj bashkëbiseduesi i jonë, arkitekti Gazmend Cami dhe dibranët në përgjithësi kërkojnë një angazhim më të madh të kompetentëve për të realizuar projekte me të cilët do të shpëtoheshin objektet kulturore-historike që kanë ngelur edhe sot
Vjollca SADIKU
Dibër, 10 gusht – Problemi i mos sanimit të objekteve kulturo-historike në Dibër nga ana e institucioneve kompetente vazhdon të jetë prezent edhe sot e kësaj dite. Enti për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vendin tonë shumë pak projekte ka përkrahur në këtë sferë në Komunën e Dibrës në dekadat që kaluan. Edhe pse Dibra ka poseduar shumë trashëgimi kulturore siç janë shtëpitë e vjetra qytetare, teqe, hamamët, si dhe urat, sot shumë pak kanë ngel nga ajo trashëgimi, projektet të cilët kanë qenë të pakta as nga së afërmi nuk kanë mundur të ndikojnë në ruajtjen të kësaj pasurie.
Vendbanimi urban i Dibrës, i cili përmendet shumë shekuj me radhë për pasurinë kulturo-historike, për fat të keq, në shtatë dekadat e fundit ka filluar të zhvishet nga monumentet që ka patur gjatë historisë. Pas Luftës së Dytë Botërore janë rrënuar disa xhami, teqe, shumë shtëpi tipike qytetare dibrane, por edhe objektet të tjera të cilët flisnin për historinë e begatë të shqiptarëve në trojet e veta. Për fat të keq, edhe gjatë dy dekadave të fundit duke mos përkrahur projekte për mirëmbajtjen e monumenteve kulturoro-historike Enti për mbrojtjen e pasurisë kulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndikoi drejtpërdrejt në rrënimin e shumë objekteve siç janë Hamami i vjetër, Hamami i ri, dhe disa shtëpi të njohura të familjeve dibrane të ndërtuara më shumë se para 100 viteve me arkitekturë dibrane.
Eksperti në këtë lëmi arkitekti i njohur dibran Gazmend Cami thekson se shumëçka nga pasuria kulturore dhe historike e Dibrës është zhdukur. Sipas tij, edhe ata projekte të cilët janë renovuar nga ana e institucioneve kompetente të vendit kanë qenë parciale dhe me fonde teje të ulëta. Si shembull përmend teqenë e njohur të Shejlerëve dibran. Ky objekt monumental i cili gjendej në afërsi të tregut të Dibrës ishte në fazë rrënimi vite me radhë. Pronarët e këtij objekti, familja Shehu, meqë objekti ishte në mbrojtje të Entit, nuk kishin të drejtë të sanonin objektin dhe të mbahet si i tillë. Enti për mbrojtjen e monumenteve kulturo-historike ndahu mjetet vetëm për ndërrimin e kulmit të kësaj teqe, por ai “harroi” se objekti në tërësi ishte në një situatë të rëndë dhe kërkonte sanim të përgjithshëm.
Më në fund, siç thotë arkitekti Cami, ju dha e drejta familjes që të bëj rekonstruimin. Sot objekti në fjalë është rekonstruar. Një problem që është prezent dekada me radhë në Dibër është edhe mirëmbajtja e shtëpive karakteristike dibrane. Kanë ngelur vetëm disa shtëpi, thotë arkitekti Cami dhe shton se këta shtëpi mirëmbahen tërësisht me mjete të familjarëve, respektivisht pronarëve. Edhe pse shtëpia e familjes Erebara gjendet në qendër të qytetit dhe në monedhat 100 denarëshe (fotografia e tavanit e punuar me dru), familja Erebara vazhdon me buxhetin e saj të mirëmbajë këtë shtëpi tipike dibrane. Ka dhe raste të tjera, por qëndron fakti se shumë e shumë shtëpi të vjetra historike sot nuk janë, ato i takojnë të së kaluarës. Para disa kohëve u rrënua një ndër shtëpitë më të bukura tipike dibrane e familjes Disha, shtëpia e familjes Grazhdani e shumë e shumë shtëpi të tjera.
Katër teqetë e njohura të Dibër menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore me intriga të ndryshme politike janë rrënuar tërësisht. Pas lufte u dogj edhe xhamia qendrore e qytetit, e cila kishte edhe një Sahat Kullë të ngjashme me xhaminë e Ethem Begut në Tiranë. Sa u takon problemit të Hamamëve, duhet theksuar se deri tani ka patur disa projekte për Hamamin e vjetër të qytetit, i cili gjendet në afërsi të xhamisë të Hynqarit. Projektet mbeten vetëm në letër meqë Hamami i vjetër vazhdon të jetë vetëm një deponi e mbeturinave që hidhen nga banorë të papërgjegjshëm. Sa i takon Hamamit të ri, ai për fat të keq e humbi tërësisht pamjen e tij dhe sot vetëm një pjesë e tij përdoret si galeri e arteve.
Edhe shumë ura karakteristike të Dibrës sot më nuk ekzistojnë. Ura e Gorencës në të cilën ka kaluar edhe rruga “Vija Egnatia” ishte viktimë e ndërtimit të akumulacionit të Liqenit të Dibrës dhe hidrocentralit Spile. Por, edhe pse kanë ngelur në këmbët e saj, “Ura e Drenit” e ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane, ka dëmtime të mëdha. Para një viti janë dëmtuar gurët e kësaj ure e cila gjendet mbi lumin e Gajres. Flitet se ka patur tendenca nga persona për të gjetur pasuri ari. Por, edhe pas reagimeve të shumta institucioneve lokale, deri sot kjo urë nuk është sanuar në pjesën ku ka dëmtime. Trashëgimia e Dibrës dhe dibranëve është zhdukur në kontinuitet. Monumentet kulturo-historike të cilët kanë qenë të shumta, sot mund të numërohen në gishta. Prandaj bashkëbiseduesi i jonë, arkitekti Gazmend Cami dhe dibranët në përgjithësi kërkojnë një angazhim më të madh të kompetentëve për të realizuar projekte me të cilët do të shpëtoheshin objektet kulturore-historike që kanë ngelur edhe sot. Pikërisht këto monumente janë të pakta, por flasin për historinë e bujshme të dibranëve gjatë shekujve. (koha.mk)