Ka pranuar në policinë e Tiranës se ka thyer jo një, por më shumë se 20 stola në stadiumin “Air Albania”. Bëhet fjalë për tifozin e Tiranës, Ledio Guni, që do të dalë përpara togave të zeza për t’u dënuar sipas ndryshimeve të reja të Kodit Penal për dhunën në stadiume, raporton newsport.al, përcjellë gazeta Koha.
Situatë absurde, që tifozi e pranon edhe vetë pas ndeshjes Kukësi – Tirana, luajtur të premten e javës se kaluar, që përfundoi me përmbysjen e tiranës në rezultatin 1 – 2. Tifozi i Tiranës e ka pranuar se ka shkatërruar mbi 20 stola me radhë, pasi është vënë përpara pamjeve filmike. Ai u ka thënë autoriteteve se i paguan vetë dëmeve të stolave të thyer prej tij, por ndërkohë nuk dihet sesi mund të zgjidhet ky ngërç, kur vetë klubi do të duhet të paguajë 1 stol – 100 euro për të gjithë stolat e thyer nga tifozët e vet.
Të njëjtën gjë kanë pranuar me deklarata edhe dëshmitarët që kanë evidentuar Gunin si shkatërrues të pronës publike, duke i thënë uniformave blu se nuk pati asnjë sqarim prej tij se pse thyente stolat, raporton newsport.al. Përveç dënimit që do të marrë nga gjykata, Guni, do të përballet edhe me vendimin e policisë dhe FSHF për të mos hyrë më në stadiumin Air Albania, ndërkohë që foto e tij do të shpërndahet për të gjithë stadiumet për të mos qenë asnjëherë spektator në ndonjë ndeshje.