I intervistuar nga “Sky Sport”, Zlatan Ibrahimovic, pasi foli për fëmijërinë dhe fillimet e tij të vështira në futboll, të karakterizuara nga varfëria, ka zbuluar edhe prapaskenat e prezantimit të tij me menaxherin Mino Raiola. Një takim i realizuar falë ndërmjetësimit të një gazetari, në kohën kur suedezi aktivizohej në kampionatin holandez me Ajax. “Pyeta një gazetar në Holandë, nëse njihte ndonjë menaxher, sepse më nevojitej, për shkak se situata nuk ishte nën kontroll”, tregon Ibra.
“Pas një jave ai më përmend dy emra: ‘njëri është menaxheri i David Beckam, ndërsa tjetri është një italian që sipas meje do të të pëlqejë shumë, bëhet fjalë për Mino Raiola’. Në takimin tonë të parë kishte marrë me vete disa statistika të futbollistëve të mëdhenj. Më tregon Shevchenkon që kishte shënuar 23 gola në 25 ndeshje, Inzaghin me 25 gola në 27 ndeshje, Vieri me 23 gola në 24 ndeshje. Më pas më tregon statistikat e mia: 4 gola në 21 ndeshje. Më pas më pyeti: ‘si mund të të shes nëse ke këto statistika?’. Unë që besoja te vetja iu përgjigja: ‘Nëse do të kisha statistika si të atyre, atëherë nuk do të më nevojitej një menaxher, do të më shiste edhe mamaja. Për këtë më nevojitej një menaxher’. Ai nisi të qeshë”, rrëfeu Ibrahimovic.