Po skadon afati për ankesa për zgjedhjet

Shkup, 17 tetor – Deri në orën 19 gjegjësisht orën 24 sot zgjat afati për dorëzimin e ankesave dhe padive për zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën. Pasi të veprohet për ankesat do të dihen edhe rezultatet përfundimtare për raundin e parë të votimit. Secili parashtrues i listës së kandidatëve në procedurën për votim, përmbledhjen dhe konfirmimin e rezultateve nga votimi mund të parashtrojë ankesë në KSHZ në afat prej 48 orëve pas përfundimit të votimit gjegjësisht publikimit të rezultateve fillestare. KSHZ është e obliguar të vendos për ankesën në afat prej 48 orëve pas pranimit. “Numrin e saktë ku zgjedhjet kanë përfunduar në raundin e parë mund ta kumtojmë kur rezultatet do të jenë përfundimtare, gjegjësisht kur do të përfundojë procedura për vendosje për ankesat dhe paditë. Shtruesit e listave kanë të drejtë edhe për mbrojtje gjyqësore, gjegjësisht të parashtrojnë padi deri te Gjykata Administrative. Pasi të përfundojë tërë kjo procedurë, mund t’i publikojmë rezultatet përfundimtare dhe atëherë do të kemi pasqyrë të saktë në sa vendvotime zgjedhjet kanë përfunduar në raundin e parë, ndërsa në sa komuna do të ketë raund të dytë”, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski dje në konferencë për shtyp. Kundër vendimit të KSHZ-së, mund të parashtrohet padi në Gjykatën Administrative, në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, pas ankesës është e obliguar të sjell vendim në afat prej 48 orëve pas pranimit të saj.