Po shihet fundi i pandemisë     

“Javën e kaluar numri i raportimeve të vdekjeve ka qenë më i vogli që nga marsi i vitit 2020. Nuk kemi qenë asnjëherë më afër përfundimit të pandemisë… Ende nuk kemi arritur aty, por fundi po shihet”, deklaroi dr. Ghebreyesus

 

Llausha ZENUNI

Shkup, 16 shtator – Java që lamë pas kishte numrin më të vogël të vdekjeve nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë në 2020. Kështu ka informuar kryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisëm, dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, ndërsa nga Zheneva ka fol edhe për Raportin më të fundit të OBSH-së. “Javën e kaluar numri i raportimeve të vdekjeve ka qenë më i vogli që nga marsi i vitit 2020. Nuk kemi qenë asnjëherë më afër përfundimit të pandemisë… Ende nuk kemi arritur aty, por fundi po shihet”, deklaroi dr. Ghebreyesus. Në Raportin e fundit javor të OBSH-së, të dhënat tregojnë se vdekjet ranë me 22 për qind javën e kaluar në vetëm rreth 11.000 në mbarë botën.

Advertisements

Në të njëjtën kohë, janë shënuar 3.1 milionë raste të reja me Kovid-19, që është rënie prej 28 për qind dhe vazhdim i trendit të rënies së rasteve të virusit në çdo pjesë të botës.

Gjithsesi, dr. Ghebreyesus porositi që tani nuk është koha që bota të dorëzohet ndaj kësaj beteje, por tha se duhet të jemi të kujdesshëm deri në fundin e afërt. “Nëse tani nuk e shfrytëzojmë këtë mundësi, i futemi rrezikut për më shumë variante të reja, më shumë vdekje, më shumë përçarje dhe më shumë pasiguri. Pra, le ta kapim momentin”, tha drejtori gjeneral i OBSH. Si duket, edhe në Maqedoni ka rënie të fataliteteve nga koronavirusi. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në 24 orët e fundit janë kryer gjithsej 866 teste prej të cilave 141 raste ishin pozitive. Gjatë kësaj periudhe është raportuar vetëm një person i vdekur në Shkup (84-veçar) në kushte spitalore.