Po rikthehet Milani, fitore në ‘frymën e fundit’ (VIDEO)

10

Nuk fitonte një ndeshje kampionatin në “San Siro” që prej 31 tetorit ndaj Spalit, por Milani ia doli të thyejë makthin mesditën e sotme ku mposhti Udinesen me rezultatin final 3-2 në një sfidë vërtetë spektakolare, veçanërisht në pjesën e dytë.

Kuqezinjtë vinin në një moment mjaft të mirë dhe me moral mjaft të lartë që prej ardhjes së Zlatan Ibrahimovi, ndërsa edhe sot u konfirmua rreshtimi I ri 4-3-1-2, por heroi këtë herë ishte kroati Rebic, që erdhi nga stoli dhe shënoi dy herë.

Pjesa e parë nisi me ritëm të lartë, por ishte një gabim në dalje i Giggio Donnarummës, që i dha mundësi Larsen të shënojë me një goditje të saktë nga jashtë zone dhe t’u japë avantazhin bardhezinjve.

Milani u përpoq të reagonte, por të besuarit e Gottit ishin rreshtuar në mënyrë perfekte dhe linin shumë pak hapësira për Ibrën me shokë, që rrallë herë arritën të shohin kuadratin e Mussos në pjesën e parë.

Që në start të 45-minutëshit të dytë, Pioli hodhi në fushë kroatin Rebiç në vendin e Bonaventurës dhe menjëherë ai barazoi shifrat në minutën e 48’, pas një aksioni të bukur të kuqezinjve, ku mbrojtësi Conti i shërbeu mjaft bukur në qendër.

Kaq mjaftoi që Milani të merrte zemër dhe të zhvendoste lojën në gjysmëfushën e Udineses, duke krijuar disa mundësi shënimi, por nga krahu tjetër mbrojtja fuste ujë nga krahu i Kjaer dhe në të paktën 3-4 raste Donnarumma bëri mrekullinë përballë sulmuesve friulianë, për të ruajtur rezultatin e barabartë.

Në minutën e 71-të ishte mbrojtësi dhe goleadori i kuqezinjve, francezi Theo Hernandez që gjeti golin e avantazhit gjatë zhvillimeve të një goditjeje këndore, duke shkuar edhe në kuotën e 5 realizimeve personale këtë sezon, më shumë se çdo lojtar tjetër te Milani.

Megjithatë takimi nuk ishte mbyllur ende dhe në minutën e 85-të, pas një krosimi në zonë, Lassagna iu vodh bukur Contit dhe Kjaer, dhe kërceu saktë me kokë, duke shënuar golin e barazimit dhe bërë që në “San Siro” të bjerë heshtja.

Arbitri kryesor akordoi 3 minuta shtesë dhe pikërisht në sekondat e fundit të lojës, atëherë kur shumica e tifozëve ishin ngritur për të lënë stadiumin, Rebic mori një top mbi vijën e 16 metrave dhe pasi krijoi hapësirën e duhur, gjuajti për të shënuar edhe golin e fitores për Milanin.

Me këtë 3-pikësh kuqezinjtë shkojnë në kuotën e 28 pikëve dhe tani rihapin shpresat për një vend në kupat e Europës teksa ndodhet -7 nga Champions, ndërsa Udinese mbetet në kuotën e 24 pikëve, shumë larg zonës së ftohtë.

https://www.youtube.com/watch?v=d3pNvcwa754

Comments are closed.