Po referendumit, por me sqarime plotësuese

Shqiptarët po tregohen të matur për dy arsye. E para, ata janë shumë të vetëdijshëm se cilat janë pasojat për vet ata nëse dështon referendumi dhe e dyta, ata nuk po duan të bëhen palë me kundërshtarët e proceseve euoroatlantike, një disponim ky që po mbisundon në qarqet që duan statu-quo në vend. Të gjithë ata që janë kundër dënimit të krimeve në regjimin e kaluar, janë për status-quo

Nga Emin AZEMI

A janë të mjaftueshme sqarimet që po bëhen lidhur me dilemat e shqiptarëve nëse ata fitojnë apo humbin me ndryshimet e ardhshme kushtetuese që pritet të ndodhin pasi të ketë kaluar referendumi? Profesori i të drejtës kushtetuese, prof.Shkariq në një sqarim të tij shkencor pat thënë para disa ditëve se identiteti i popullit maqedonas nuk mohohet. Përkundrazi, është ruajtur nacionaliteti i maqedonasve. Dikush do ta interpretojë atë si shtetësi, thotë Shkariqi, por gjithashtu mund të interpretohet si një përkatësi etnike. Ai theksoi se fakti që ndryshimet në Kushtetutë duhet të jenë të shpejta dhe të parevokueshme dhe do të kenë rëndësi për të gjitha kohët, i bën ndryshimet shumë të ndjeshme dhe më e ndjeshme e të gjithëve, sipas tij, do të jetë ndërhyrja në preambulë. Në anën tjetër, prof.Abdulla Memeti, në një analizë të tij më të gjatë, ndër të tjera ngre edhe këto shqetësime: “Çështjet e pazgjidhura që i preokupojnë shqiptarët në Maqedoni që nga pavarësimi i këtij shteti, sidomos statusi juridik-kushtetues dhe politik i tyre, zyrtarizimi i gjuhës shqipe dhe çështje të tjera lidhur me të drejtat e natyrshme të popullit shqiptar, një pjesë e të cilave janë përfshirë në Marrëveshjen kornizë të Ohrit, nuk lidhen dhe kushtëzohen nga suksesi ose mossuksesi i këtij referendumi, nga shprehja e vullnetit të lirë të qytetarëve të këtij shteti për integrimin në NATO dhe BE, por nga koncepti i shtetit që duhet të definohet me ndryshimet e reja kushtetuese, si dhe nga vullneti politik dhe marrëveshja mes faktorëve politikë të brendshëm për këto çështjeve, të cilat përfundimisht duhet të zgjidhen pas referendumit”.
Referendumi do të jetë konsultativ, ndërkohë që hapat e ardhshëm që parashihen sipas marrëveshjes janë që deri në fund të vitit 2018 në tërësi të miratohen amendamentet e kushtetutës. Pas kësaj, Greqia në Kuvendin e saj do ta ratifikojë marrëveshjen. Pasi që të ndodhë e gjithë kjo, që parashihet në marrëveshje, emri i tashëm i shtetit zëvendësohet me emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. A kanë të drejtë shqiptarët të ndjehen të frikësuar nëse statusi i tyre do të reduktohet me ndryshimet e ardhshme Kushtetuese?
Këtë përgjigje duhet ta japin zyrtarët shqiptarë të cilët do të marrin pjesë në fushatat e tyre në prag të referendumit, në mënyrë që kuptimi i pjesëmarrjes në referendum dhe votimit PËR të ketë kuptim më të plotë.
Refuzimi i një tryeze të përbashkët të subjekteve politike shqiptare në prag të referendumit, duhet gjithsesi të kompensohet me një fushatë intensive sqaruese sepse shumë çështje e dilema janë të hapura në opinionin publik shqiptar dhe ato mund të mbyllen vetëm duke u përgjigjur sinqerisht dhe me kompetencë. Gjithçka tjetër mund të kthehet bumerang, sepse zgjedhjet pasuese po afrohen. Nuk duhet injoruar asnjë zë kritik. Përkundrazi intelektualët, mediat dhe shoqëria shqiptare në përgjithsi po tregohen mjaft të arsyeshëm në këto çaste dhe do të ishte i pajustifikueshme injorimi i gjithë kësaj maturie.
Shqiptarët po tregohen të matur për dy arsye. E para, ata janë shumë të vetëdijshëm se cilat janë pasojat për vet ata nëse dështon referendumi dhe e dyta, ata nuk po duan të bëhen palë me kundërshtarët e proceseve euoroatlantike, një disponim ky që po mbisundon në qarqet që duan statu-quo në vend. Të gjithë ata që janë kundër dënimit të krimeve në regjimin e kaluar, janë për status-quo. Të gjithë ata që janë kundër integrimeve euro-atlantike, janë për status-quo. Të gjithë ata që janë kundër shqiptarëve, janë për status-quo. Shqiptarët duhet të jenë kundër status-quos, por me sqarime plotësuese se çka do të ndodhë me statusin e tyre pas ndryshimeve eventuale kushtuese. (koha.mk)