Ai mbërriti te Milani verën e vitit 2018, me formulën e huazimit, por me mundësinë e blerjes përfundimtare nga kuqezinjtë për 35 milionë euro. Në fakt, kjo e fundit si mundësi nuk do të shfrytëzohet, ndaj aventurës së Tiemoué Bakayoko në “San Siro” i ka ardhur fundi. Pas një sezoni me luhatje në Serie A, mesfushori transalpin do të kërkojë t’ia rifillojë nga Premier League dhe Chelsea, duke pritur për një transferim të ri.
Këtë gjë e pranoi vetë në një intervistë me “L’Equipe”: “Po, do të kthehem te Chelsea. Atje kam ende një kontratë 3-vjeçare, nuk kam asnjë zgjedhje tjetër. Nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas, por duhet të kthehem te Chelsea. Kjo është e vetmja gjë që di me saktësi për momentin”.
E ardhmja e Bakayoko është ende për t’u vendosur, ndërsa mesfushori pranon se shpreson të luajë me PSG një ditë: “Do të doja të luaja në Paris, nuk mund të gënjej për këtë. Do të ishte e rëndësishme për mua dhe për të dashurit e mi. Ne jemi parizienë të vërtetë”.
Një “urë” e mundshme për ta përmbushur këtë ëndërr mund të jetë Leonardo: “Unë jam i lumtur për marrëdhëniet me të. Leonardo më mori te Milani, ishte ai që më lejoi të kthehesha në nivelet e sotme, duke pasur besim tek unë. Kam shumë respekt për të dhe për Milanin. Jam i lumtur që ai do të kthehet në Paris, në klubin e zemrës sime dhe të qytetit tim”.
Lidhur me ndonjë opsion tjetër në Itali, mesfushori francez ua “shkel syrin” dy trajnerëve: “Opsioni i sigurt është kthimi te Chelsea, por do të dëgjojmë edhe propozime të tjera. Një trajner që do të dëshiroja të punoja me të është Conte. Edhe Allegri ka të njëjtin stil loje. Me Gatuzon nuk kuptoheshim, ishte një raport i komplikuar. Por, nuk kam dëshirë të flas për të”.