Andres Iniesta e mbylli Botërorin jo ashtu siç do të kishte dashur. U largua që në fazën e 1/8-ave dhe në një ndeshje ku u aktivizua si zëvendësues. Njeriu që me golin e tij në 2010-ën i dha trofeun e vetëm të Kupës së Botës Spanjës nuk do ta veshë më fanellën e “La Rojas”: “Është realitet, kjo ishte ndeshja ime e fundit me përfaqësuesen. Në nivel individual, mbyllet një etapë e mrekullueshme. Nganjëherë finalet nuk vijnë ashti siç i shpreh apo i ëndërron. Është dita më e trishtë e karrierës sime. Po iki me një shije të hidhur, është një moment i vështirë. Nuk arritëm të hidhnim një hap më shumë për shkak të rrethanave. Nuk ishte lamtumira më e mirë, por në futboll këto janë gjëra që ndodhin”. Në mënyrë surprizuese, Iniesta nuk u preferua titullar nga Hierro, por u aktivizua në minutën e 65-të në vend të Andes Silvas.