Po humbin gjurmët e historisë, monumentet e kulturës në gjysmë rrënoja

Në Konispol gjurmët historike të shekullit të kaluar janë kthyer në gjysmë-rrënoja. 12 banesa dhe të paktën 3 objekte të tjera të njohura me statusin e monumentit të kulturës vuajnë dëmtime dhe transformime rrënjësore.

Godina të tilla si shtëpia e Alush Takës, valltarit të njohur Osman Taka, shtëpia e Dino Omarit, Beqo Zenunit apo Shefqet Haxhiut kanë humbur shumicën e elementëve të arkitekturës apo brendisë historike. Objektet ose janë përshtatur për nevojat e përditshme të banorëve të tyre ose nuk ekzistojnë më.

Hatixheja jeton prej vitesh në objektin e tipit kullë i njohur si Spitali i Konispolit, në origjinë shtëpia e familjes Haxhiu, por që prej dekadash nuk restaurohet.

Astrit Tatari, ish-mësues i gjimnazit të Konispolit thotë se ekziston rreziku që bashkë me trashëgiminë materiale të humbasë edhe memorja historike e trevës.

Ilmi Jupe, një tjetër arsimtar i zonës, tregon se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje restauruese dhe se lista e monumenteve duhet rishikuar duke hequr objektet që nuk ekzistojnë më.

Një tjetër shtëpi e njohur në Konispol e lidhur me emrin e vallëtarit të valles  çame, Osman Taka, nuk ka me asgjë që të kujtojë një monument kulture. Familja që jeton aty me qera di shumë pak për të kaluarën historike të banesës ndërsa transformimet për nevoja jetike i kanë zhdukur objektet e trashëguara të familjes Taka.

Në Konispol jetojnë sot rreth 2500 banorë. Më parë qyteza e vendosur buzë kufirit me Greqinë ruante një trashëgimi edhe më të pasur monumentale. Me dekadat dhe mungesën e vëmendjes Konispoli humbi pazarin dykatësh ku ushtronin aktivitetin rreth 40 zejtarë, medresenë, portat historike, rrugën mesjetare me kalldrëm dhe një trashëgimi të pasur jomateriale.(koha.mk)