Femrës sonë, në shumicën e rasteve, jo që nuk i ndihmohet, por ajo pengohet në mënyrat më të shëmtuara. Asaj i kërcënohen me të gjitha mjetet e mundshme të dhunës, deri te tentimi ose vetë përdhunimi, që për botën e emancipuar i tejkalon kufijtë e krimit
Nga Delvina KËRLUKU
Për gruan në shoqëri është folur shpesh dhe gjerësisht. Është folur dhe shkruar sidomos për pozitën e femrës shqiptare në shoqërinë tonë specifike. Themi specifike, meqë të tillë e ka pasur traditën dhe trashëgiminë: pa nivel arsimor të mjaftueshëm, me shkallë emancipimi të paktë, pa mbështetje pushteti, por edhe pa mbështetje të mjaftueshme të familjes, si pasojë e mendësisë provinciale dhe edukimit patriarkal. Mu për këto arsye që përmendëm, por edhe për shumë të tjera, femrës sonë i është dashur të bëjë një luftë titanike për të siguruar një pozitë sidoqoftë në shoqëritë dhe mjediset ku ka jetuar dhe vepruar. Është dashur t’i shkatërrojë barrierat e paragjykimet e ndryshme. Nuk mendoj se me një shkrim të këtillë do të arrij të përshkruaj gjendjen e gjysmës së njerëzisë. As ta ndryshojë pozitën e saj në mënyrë thelbësore. Vetëm desha të ndaj një shqetësim me lexuesin e nderuar, duke konstatuar se jemi larg së qenit të barabartë, dhe se dukuri të shëmtuara dhe sjellje barbare karshi femrës, hasim edhe në shekullin XXI, pra në ditët tona. Pra, dua të them dy – tre fjalë rreth gjendjes së grave, e veçanërisht të femrave shqiptare. Natyrisht që reformat e shpeshta në sfera të ndryshme të veprimtarisë shoqërore kanë ndikuar në ndryshimin dhe përparimin e pozitës së saj, por këto ndryshime janë të pakta e të vakëta dhe nuk mundësojnë zhvillim më të hovshëm të femrës sonë. Ajo ka nevojë për ndërmarrje rrënjësore? Për gjithë këto vite nuk është konsoliduar ndonjë brez femrash, që do të identifikoheshin me ndonjë arritje të shënuar në fushën e arsimit, shkencës, politikës, sipërmarrësisë. Edhepse kemi një numër jo të papërfillshëm femrash në fushën e artit dhe kulturës, si në muzikë, letërsi art figurativë etj., megjithatë ato janë ende nën hijen e emrave mashkullorë, jo rrallë ndodh që të nëpërkëmben dhe nënçmohen vlerat e tyre, edhepse i tejkalojnë vlerat, të themi artistike, të kolegëve meshkuj. Qëllon që ajo të mos merret seriozisht gjatë vlerësimit, përzgjedhjes, ftesës për pjesëmarrje në evente të ndryshme. Ajo paragjykohet dhe shpesh ndodh që organizatorët t’a ftojnë për ta zbukuruar ambientin, ose edhe për motive akoma më banale dhe ofenduese. Pra, ajo edhe në këto raste duhet të luftojë e dëshmojë vlera që i ka krijuar me aq mund e sakrificë, dhe jo stolitë që ia ka falur Zoti. Duke u mbështetur nga gjithë kjo që thamë më lart, mund të vijmë në përfundim se femra shqiptare në Maqedoni, akoma është e rrezikuar dhe nuk është ajo që rrezikon statusin dhe pozitën e mashkullit. Për të ardhur keq!
Kur po flasim për këtë temë, nuk mund t’i shmangemi një pyetjeje fare të thjeshtë: Pse mashkulli në këtë rast kënaqet me rolin e vëzhguesit pasiv? Nuk duam të themi: pse mashkulli bëhet pengesë e përparimit të femrës, e cila mund të jetë bija e tij, motra e tij, bashkëshortja e tij, kushërira e afërt apo e largët e tij? Përse nuk e do të barabartë, apo vetëm për të kënaqur sedrën e tij të sëmurë, se na qenka i lindur superior nga vetë Zoti?! Si nuk e kupton se pozita e mjerë e gjysmës së shoqërisë, është mjerim i tij dhe i gjithë shoqërisë?! Si nuk e kupton që ngecja e femrës, është ngecja e mbarë shoqërisë. Si nuk e kupton ai se “Dora që përkund djepin, është dora që përkund botën”. Deri kur shqiptari ynë do kënaqet me Dijen të Haki Stërmillit te romani “Sikur t’isha djalë”? Koha ecën edhe pa femrën e barabartë, por ecën shumë ngadalë, e pasojat i vuajmë të gjithë. Pse harrojmë faktin se shtylla e familjes është femra. Prandaj duhet luftuar të gjithë që kjo shtyllë të jetë e fortë – pra e arsimuar, e edukuar! Ajo kultivon brezin e ardhmërisë së shtetit, të kombit! Femrës sonë, në shumicën e rasteve, jo që nuk i ndihmohet, por ajo pengohet në mënyrat më të shëmtuara. Asaj i kërcënohen me të gjitha mjetet e mundshme të dhunës, deri te tentimi ose vetë përdhunimi, që për botën e emancipuar i tejkalon kufijtë e krimit. Dhe kjo dukuri është aq prezente, sa e has si lajm të rëndomtë e të shpeshtë në mjetet e informimit të përditshëm. Kjo që publikohet, por rastet që heshtën? Nuk dua të zgjatem se kjo është temë më vete, bashkë me neglizhencën e organeve kompetente. (koha.mk)