Moti po formësohet, në një botë kur klima po ndryshon. Uraganet intensifikohen më shpejt, zjarret bëhen më të pakontrollueshëm dhe shumë më kërcënues, reshjet e shiut janë më intensive. Tani, nuk ka më fatkeqësi vërtet “natyrore”. Lufta mund të mbetet ende e padukshme për shumëkënd, madje edhe në Ditën e Tokës. Por, ne jemi në mesin e saj. Dhe nuk jemi duke e fituar atë
Nga John D. SUTTER
Për vite me radhë, njerëz si ambientalisti dhe gazetari Bill Mekiben, kanë apeluar që ne kemi nevojë për një mobilizim në shkallën e Luftës së Dytë Botërore, për të luftuar emergjencën e ndryshimeve klimatike. Natyrisht, ata kanë të drejtë. Dhe në Ditën e Tokës, është e qartë që jo vetëm se po e humbim këtë luftë, por sërish po dështojmë ta shohim atë që po ndodh.
Unë takova Greta Tunbergun , adoleshenten suedeze që është “udhëheqësja botëror e nxënësve” mbi politikën e klimës, dhe që nisi një lëvizje globale të bashkëmoshatarëve të saj. E kam lexuar edhe Marrëveshjen e Re të Gjelbër që ajo ka propozuar, dhe kam parë videot e të rinjve, që kërkojnë nga kongresmenët e SHBA-së ta miratojnë atë. Këtë muaj, protestuesit në Londër bllokuan disa pjesë të qytetit, me thirrjet e tyre për llogaridhënien e politikës mbi këtë problem. Është e vërtetë që burimet e pastra të energjisë, po vazhdojnë të bëhen gjithnjë e më të lira. Makinat elektrike, janë sot më popullore se kurrë mëparë. Por, shkalla e emergjencës, nuk përputhet në asnjë mënyrë me madhësinë e kësaj fatkeqësie, e cila ashtu si Lufta e Dytë Botërore, kërcënon të dëmtojë apo madje ta zhdukë jetën njerëzore në planet, siç e njohim sot.
Ne e dimë të vërtetën rreth ndryshimit të klimës – që njerëzit po djegin karburantet fosile dhe po e ngrohin atmosferën, me pasoja potencialisht katastrofike – për dekada me radhë. Xhejms Hansen, dëshmoi për rreziqet e ngrohjes globale që kur ishte një shkencëtar i NASA-s në vitin1988. Titulli i “The Neë York Times: ”Ngrohja globale ka filluar, i tha eksperti Senatit”. Që atëherë, ka pasur një kohë më se të mjaftueshme, për të ndërmarrë ndryshime. Dhe shumë botime nga ambientalistët dhe ekspertët e klimës, që na e kujtonin këtë rrezik. Si gazetar që jam, jam marrë me klimën për vite me radhë, kam qenë pjesë e kësaj fushate. Para bisedimeve në samitin e klimës në Paris në vitin 2015, unë shkrova se kishte “100 ditë kohë për të shpëtuar botën”. Por, problem nuk janë afatet, por dështimi ynë që të reagojmë ndaj tyre. Situata bëhet edhe më e tmerrshme, pas viteve të shumta të mosveprimit.
Vitin e kaluar, ekspertë të shkencës klimatike në botë – Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike – publikuan një raport që jepte disa afate bazuar në realitetet e hidhura të shkencës dhe matematikës. Ata thanë se ndotja globale nga karboni, duhet të përgjysmohet deri në vitin 2030, dhe të reduktohet në zero deri në vitin 2050, për të shmangur pasojat më të këqija të ndryshimeve klimatike, të cilat përfshijnë përmbytjen e qyteteve bregdetare, përkeqësimin e stuhive, dhe fundin virtual të shkëmbinjve të brigjeve koralore. Ekziston një nxitje globale, për të përmbushur këto synime. Kjo merr formën e Marrëveshjes së Parisit mbi Ndryshimet Klimatike, e cila u kërkon vendeve të ulin emetimet, por nuk parashikon sanksione. Shtetet e Bashkuara, që janë më shumë përgjegjëse për ngrohjen globale se çdo komb tjetër, kanë premtuar nën administratën Trump të tërhiqen nga Marrëveshja e Parisit.
Sa larg jemi ne nga synimet për reduktimin e ndotjes? Aq sa ia kemi filluar nga mbajtja e tyre. Emetimet globale nga lëndët djegëse fosile u rritën në 2018 – në rreth 37 giga tonë. Dhe mos harroni që ndotja nga karbonit duhet të përgjysmohet në vetëm 11 vjet. Dhe të zerohet, deri në mesin e këtij shekulli. Kjo kërkon një ndryshim pothuajse total të ekonomisë globale – një kalim të shpejtë tek energjitë më të pastra, si era, energjitë diellore, dhe ndoshta bërthamore. Një pjesë e probemit, është dështimit për të njohur shkallën e problemit – ose siç kanë shkruar të tjerët, dështimi për t’u shqetësuar për borxhet e mëdha, që po u lëmë brezave të ardhshëm.
Një sondazh tregoi në vitin 2018, se 59 % e amerikanëve, ishin “të alarmuar” ose “të shqetësuar” rreth ngrohjes globale, një normë që është në rritje, krahasuar me 5 vite më parë. Por, shqetësime të tilla, jo domosdoshmërisht përkthehen në veprim politik. Një raport i vitit 2018 nga Gallup, zbuloi se ndryshimet klimatike renditen vetëm si çështja e 11-të më e rëndësishme për votuesit amerikanë – pas kujdesit shëndetësor, ekonomisë, emigracionit, trajtimit të grave në shoqërinë amerikane, politikës së armëve, taksave, politikës së jashtme, të ardhurave dhe shpërndarjes së pasurisë, konfirmimin e Bret Kavanoug në Gjykatën e Lartë dhe politikat amerikane të tregtisë. Mendoni pak analologji, sikur Lufta e Dytë Botërore, në mendjen e amerikanëve të renditej e 11-ta pas bombardimeve të Pearl Harbor. Ndoshta, ju mendoni që ne nuk e kemi parë ende versionine ngrohjes globale të Pearl Harbor. Por në fakt, ne e kemi parë atë.
Mos harroni valën e vapës së madhe që goditi Evropën në vitin 2003? Sipas të dhënave, rreth 70.000 njerëz humbën jetën. Pas asaj ngjarje, shkencëtarët përdorën për herë të parë teknika të “atributimit të klimës”, për të treguar se ngrohja e nxitur nga njerëzit, ka shumë të ngjarë të dyfishojë rrezikun e përsëritjes së dukurive të tilla. Që tani, është e mundur të shihen gjurmët e gishtave njerëzore për këto katastrofa. Uragani Harvinë Teksas; përmbytjet e vitit 2016 në Baton Rouge; Uragani Maria në Porto Riko, që vrau rreth 2975 njerëz. Natyrisht, jo çdo stuhi “shkaktohet” nga ndryshimet klimatike.
Por, bota është 1 gradë Celsius më e ngrohtë, që nga Revolucioni Industrial, për shkak të ndotjes që njerëzit po pompojnë në atmosferë. Dhe kjo, është një lojë e probabilitetit. Siç është shprehur Kerri Emanuel, një shkencëtar i klimës në Universitetin e Masaçusetsit: Moti po formësohet, në një botë kur klima po ndryshon. Uraganet intensifikohen më shpejt, zjarret bëhen më të pakontrollueshëm dhe shumë më kërcënues, reshjet e shiut janë më intensive. Tani, nuk ka më fatkeqësi vërtet “natyrore”. Lufta mund të mbetet ende e padukshme për shumëkënd, madje edhe në Ditën e Tokës. Por, ne jemi në mesin e saj. Dhe nuk jemi duke e fituar atë. (CNN)