Shorti i hedhur sot në Nyon të Zvicrës, i vlefshëm për 1/8 finale të Champion-sit, ka përvijuar, mes të tjerash, edhe një finale të parakohëshme, sikurse është Real Madrid-PSG. Galaktikët e trajnerit Zinedine Zidane do të sfidojnë “sheikët” e PSG-së, me në krye “tridentin” Cavani-Neymar-Mbappe. Në stolat respektivë të dy skuadrave janë “ndërruar kombësitë”: Te Reali drejton një francez, ndërsa te PSG-ja një spanjoll. Unai Emery ka thënë fjalët e para pas shortit, kur ka mësuar se do të “përplasë brirët” me kampionët e Europës në fuqi:
“Nuk mendoj se është shorti më i keq i mundshëm. Eshtë një mundësi e mirë, sepse tashmë e kemi një nivel për të luajtur kundër Real Madridit. Nëse doni të bëni diçka të rëndësishme në Champions, atëherë ju duhet të luani kundër Real Madridit. Për të mposhtur “Los Blancos”, ne do të duhet të luajmë me personalitetin dhe talentin tonë, sepse loja do të jetë qendra e botës së futbollit. E përsëris, skuadra ime është e gatshme ta luajë këtë raund. Ne do të punojmë që gjërat të jenë të përsosura kur të vijë dita e ndeshjeve”.