Shkup, 8 nëntor – Drejtuesit e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, deklarohen të kënaqur me jehonën e regjistrimit të studentëve për këtë vit. Numri në total i atyre që do të shënojnë gjeneratën e parë të studentëve të regjistruar në UNT, sipas të gjitha gjasave do të kalojë 200-shin. “Numri është në kornizat e parashikimeve tona për këtë vit”, thuhet mes tjerash në përgjigjen me shkrim të UNT-së për numrin e studentëve të regjistruar në afatin e dytë të regjistrimit, i cili u mbyll të premten e javës që shkoi. Zyrtarisht bëhet e ditur se në afatin e dytë janë paraqitur 68 kandidatë, prej të cilëve 28 janë pranuar, ndërsa 40 të tjerët janë në procedurë të shqyrtimit, për shkak se kanë dorëzuar dokumentet ditën e fundit. Kështu, duke llogaritur 140 studentët e regjistruar në afatin e parë dhe 28 të regjistruarit nga afati i dytë, për momentin ka shkuar në 168 numri i atyre që kanë fituar statusin e studentëve në këtë universitet dhe 40 të tjerë që janë në këtë rrugë. Pas regjistrimit të studentëve të ri, shihet qartë se janë rritur edhe mundësitë për shtimin e programeve studimore. Pra, UNT në vitin 2016/2017, nuk do të ketë nëntë programe sikurse u kumtua fillimisht, por 11 të tilla. Kjo, kuptohet pasi me regjistrimin e studentëve të rinj dhe atyre që pritet të regjistrohen së shpejti janë krijuar mundësitë që të zgjerohet dhe numri i programeve studimore. “Këtë vit do të nisim punën me 11 programe studimore. Pra, studentët janë organizuar në grupe sipas programeve të akredituara, ndërsa programet e inxhinierisë ekonomike, nanoteknologjisë dhe elektroteknikës, me gjasë do të mbesin të aktivizohen vitin e ardhshëm”… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.